Meta mbledh Kryesinë e LSI: Dialogu dhe konsensusi, domosdoshmëri për besueshmërinë e reformave

557
Tashmë që ekspertët i dhanë dorën e fundit draftit final për reformën në drejtësi, sipas kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, është koha që të hapet debati politik në parlament, por edhe jashtë tij, duke mos përjashtuar kështu edhe një tryezë mes tij, kryeministrit Rama dhe lideri të opozitës Basha.
Një vit të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendin e ka cilësuar 2016-ën kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta. Reforma në drejtësi dhe miratimi i saj me transparencë dhe përgjegjshmëri mbetet një nga prioritetet e kësaj force politike. Në mbledhjen e kryesisë së LSI-së Meta u shpreh se dialogu politik dhe konsensusi janë të domosdoshëm për efektivitetin e reformave të mëdha.
“LSI mbetet e bindur se konsensusi politik në parlament për amendamentet kushtetuese është i domosdoshëm si një bashkim vullneti politik të forcave parlamentare si përfaqësuese legjitime të shqiptarëve 90 % e të cilëve kërkon ndryshime rrënjësore në sistemin e drejtësisë. një reformë gjithëpërfshirëse, me jetëgjatësie, të sigurt, drejtësia ka nevojë për besimin dhe mbështetjen e publikut të gjerë dhe jo ndarjen e publikut. Tani që ekspertët kanë dhënë kontributin e tyre, është koha e çeljes së dialogut politik parlamentar, për të çuar përpara dhe konsoliduar procesin e reformës, me qëllim një dokument final. Është detyra jonë si LSI dhe mazhorancë të krijojmë hapësirën e nevojshme për opozitën që të jetë e përfshirë në dialog”, tha Meta.
Meta mori shembullin e reformës territoriale për të treguar se opozitës ju dhanë të gjitha mundësitë për tu përfshirë por ajo zgjodhi të bojkotonte.
“Shteruam të gjitha përpjekjet për të përfshirë PD në këtë proces e cila për fat të keq e paragjykua dhe u vetëpërjashtua në mënyrë sistematike. PD jo vetëm nuk shfrytëzoi mundësinë për të bashkëdrejtuar dhe për të pasur të drejtën e vetës, por paragjykoi se mazhoranca e kishte përcaktuar me kohë që hartë që e mbante të fshehur në sirtar. pavarësisht nga ky paragjykim ne i dhamë kohën e duhur, që ajo të përfshihej në atë reformë madhore që e kishin pranuar të gjithë palët prej kohësh, edhe pse mazhoranca i kishte 3/5 e votave për ta miratuar edhe e vetme. 5 variante ju dhanë PD-së duke ju lutur që të zgjidhte një prej tyre. Jo tha PD ne do të paraqesim versionin tonë. Ju lutëm PD që nëse nuk i pëlqente asnjë nga 5 variantet ajo të dorëzonte të sajin, pasi edhe vetë PD e dinte se reforma ishte e domosdoshme. PD ndoshta në efektet e presioneve të shumë kryetarëve të saj lokal, refuzoi të merrte pjesë në realizimin e kësaj reforme me konsensus, dhe pasi u bindëm plotësisht se u shteruan të gjitha mjetet politike, të mos harrojmë edhe letrën që Rama i çoi Bashës për tu takuar”, tha Meta. 
Fjala e Kryetarit të LSI-së, z. Ilir Meta në mbledhjen e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim 
Uroj të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe qytetarët për një vit sa më të mbarë dhe shpresojmë që edhe vështirësitë e shkaktuara këto kohë nga përmbytjet të përballohen dhe të menaxhohen sa më mirë.
Për këtë u kam kërkuar vazhdimisht dhe përfaqësuesve tanë në qeveri të jenë sa më aktiv në terren dhe administrimin e situatës.
Në këtë mbledhje të parë për vitin 2016 që do të diskutojmë edhe për shumë çështje të tjera, sepse e gjykoj si një vit jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit.
Natyrisht që çështja më madhore e këtij fillimviti për LSI-në, por jam i bindur edhe për mazhorancën, si edhe për të gjithë klasën politike, mbetet përmbyllja dhe kurorëzimi me sukses, transparencë të plotë dhe përgjegjshmëri e reformës në drejtësi.
Sikurse të gjithë ne edhe publiku i gjerë jemi të ndërgjegjshëm, që në fillim të këtij mandati qeverisës LSI-ja ka qenë e pozicionuar qartë në interes të kryerjes së reformave të mëdha të shtetit, të cilat kërkojnë një konsensus të gjerë politik dhe gjithëpërfshirje.
Kemi qenë gjithmonë të bindur se dialogu politik dhe konsensusi janë të domosdoshëm për qëndrueshmërinë, besueshmërinë dhe efektivitetin e reformave të mëdha.
Për reformën administrative-territoriale, e cila përfundoi me sukses dhe që tashmë duhet të zbatohet me sukses në terren, që me fillimin e saj LSI-ja kërkoi me forcë dhe mbështeti rëndësinë e bashkëpunimit me PD-në si opozitën kryesore.
Për këtë qëllim, shteruam të gjitha përpjekjet për të përfshirë PD-në si opozitë në këtë proces, e cila për fat të keq e paragjykoi dhe u vetpërjashtua në mënyrë sistematike.
PD jo vetëm që nuk shfrytëzoi mundësitë që iu dhanë për të bashkëdrejtuar, madje për të patur edhe të drejtën e vetos në atë komision, por gjithmonë paragjykoi se mazhoranca që të gjithë procesin e kishte ndërtuar si një farsë dhe se e kishte përcaktuar me kohë një hartë që e mbante të fshehur në sirtar.
Pavarësisht nga ky paragjykim i PD-së, ne i dhamë të gjithë kohën e duhur, duke shtyrë edhe afatin e këtij komisioni, që ajo të përfshihej sinqerisht, sepse ishte e domosdoshme për kurorëzimin me sukses të një reforme madhore, afatgjatë, të cilën e kishin pranuar të gjitha palët prej kohësh edhe pse mazhoranca i kishte 3/5 e votave të domosdoshme për ta miratuar edhe e vetme.
Pesë variante iu ofruan PD-së pas konsultimit me ekspertët ndërkombëtar, duke i kërkuar që të zgjidhte njërin prej tyre. “Jo,- tha PD, – ne do të paraqesim variantin tonë”.
Për këtë arsye organizuar një konferencë kombëtare për reformën administrative-territoriale duke ftuar edhe përfaqësues të mazhorancës, z. Fino dhe z. Vasili, natyrisht me shpresën se këta nuk do të shkonin dhe do të bojkotonin opozitën.
Përkundrazi, z. Fino dhe z. Vasili, si një tandem i vërtetë demokratik dhe bashkëpunues, morën pjesë në konferencën e PD-së dhe parashtruan të gjitha hapësirat për zgjidhje dhe për konsensus, si dhe duke i kërkuar PD-së, që nëse nuk binte dakord me asnjërin nga të pesë variantet, ajo të propozonte një variant të sajin, pasi edhe vetë Partia Demokratike e pranonte në parim se reforma administrative-territoriale ishte e domosdoshme.
Dhe vetëm pasi Partia Demokratike, ndoshta nën efektet e presioneve të shumë kryetarëve të saj lokalë, refuzoi të merrte pjesë në realizimin e kësaj reforme me konsensus dhe me përfshirjen e saj, duke dashur të mos ketë kosto të brendshme politike apo elektorale. Vetëm pasi u bindën plotësisht se u shteruan të gjitha mjetet politike, dhe këtu të mos harrojmë edhe letrën publike që Kryeministri Rama i dërgoi kryetarit të opozitës, z. Basha për t’u takuar dhe për të gjetur një zgjidhje dhe çka u refuzua, atëherë ne ecëm drejt kurorëzimit të kësaj reforme, për fat të keq pa Partinë Demokratike.
Për Reformën në Drejtësi, me të njëjtin standard, vizion dhe përkushtim kemi qenë dhe jemi të bindur dhe të pozicionuar qartë në kërkim dhe për arritjen e konsensusit. Komisioni i Venecias dhe jo vetëm, sugjeron qartë hartimin e amendamenteve kushtetuese nëpërmjet një dialogu dhe procesi gjithëpërfshirës dhe konsensual. LSI-ja mbetet e bindur se konsensusi politik në parlament për amendamentet kushtetuese është i domosdoshëm, jo thjesht si çështje numrash, por si një bashkim vullneti politik të forcave parlamentare, si përfaqësuese legjitime të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, 90% e të cilëve kërkon ndryshime rrënjësore në sistemin e drejtësisë.
Një reformë gjithëpërfshirëse, shteruese dhe konsensuale, është padyshim një reformë me besueshmëri të lartë, me jetëgjatësi të sigurt dhe prerogativa të besueshme funksionimi. Drejtësia ka nevojë për besimin dhe mbështetjen e publikut të gjerë dhe jo për ndarjen e publikut dhe diversionin ndaj tij. Vetëm transparenca maksimale siguron dhe rrit besimin e publikut dhe të qytetarëve te reforma në drejtësi.
Kemi vendosur prej kohësh dhe kemi nisur procesin e reformës në Parlament, pikërisht me idenë kryesore të përfshirjes së domosdoshme dhe konstruktive të opozitës në këtë proces. Tani që ekspertët kanë dhënë kontributin e tyre, si edhe me shtratin e shtruar nga raporti i ndërmjetëm i Komisionit të Venecias, është koha e çeljes së dialogut politik parlamentar për të çuar përpara dhe për të konsoliduar procesin e reformës, me qëllim arritjen në një dokument përfundimtarë të gjithë pranuar dhe certifikuar nga partnerët ndërkombëtare, dhe në veçanti nga Komisioni i Venecias.
Është detyra jonë, si LSI dhe si mazhorancë, të krijojmë të gjithë hapësirën e nevojshme për opozitën që të jetë substancialisht e përfshirë në dialog dhe që të kontribuojë në mënyrë sa më konstruktive. Gjithashtu e theksoj, siç kam bërë edhe më parë, se është një detyrim i pashmangshëm i opozitës të kontribuojë në këtë dialog, me profesionalizëm dhe jo me populizëm, për zgjidhje të qëndrueshme që i shërbejnë përmirësimit të sistemit dhe jo bllokimit të tij.
Përfshirja me çdo kusht e opozitës në këtë reformë madhore na motivoi pikërisht që këtë proces ta vendosnim në Parlament përmes krijimit të komisionit të posaçëm parlamentar dhe jo në Ministrinë e Drejtësisë, në mënyrë që të mos jepnim asnjë justifikim opozitës që të bojkotonte apo të mungonte në këtë reformë, siç bëri për fat keq në rastin e reformës administrative-territoriale.
Jemi shpresëplotë që ashtu siç kemi arritur vendime konsensuale, edhe pse me shumë vështirësi, sikurse për çështje të tjera edhe për këtë reformë shumë bazike dhe me rëndësi kombëtare, do të arrijmë me këmbëngulje, me vullnet dhe me durim në një zgjidhje konsensuale, në një dokument të gjithë pranuar dhe certifikuar. Nuk ekzistojnë në fakt shumë çështje të substancës që na ndajnë, prandaj duhet të fillojmë të biem dakord fillimisht për ato çështje që na bashkojnë dhe që janë të shumta.
Në vijim edhe për çështjet që ndahemi, apo kemi mendime alternative, do të duhet të gjejmë zgjidhjet e duhura në frymën e sugjerimeve të opinionit të ndërmjetëm të Komisionit të Venecias, me këmbëngulje dhe pa u lodhur, ashtu siç gjetëm zgjidhjen dhe për reformën e dekriminalizimit.
Për Lëvizjen Socialiste për Integrim diskutimi dhe debati intensiv e transparent, i pandërprerë, që prodhon zgjidhej të qëndrueshme, është një bindje e pandryshuar. Logjika e faktit të kryer për çështje shumë të mëdha që shqetësojnë qytetarët është e papranueshme dhe vetëm qëndrimi parimor do të na udhëheqë në të gjithë vendimmarrjen tonë politike.
Vendi është përballur edhe më parë me vendime të nxituara dhe jo transparente që kanë prodhuar efekte negative kohëgjata, siç ishin edhe ndryshimet kushtetuese të prillit të vitit 2008, pasojat e të cilave vazhdojnë të na shoqërojnë edhe sot dhe që kanë rënduar jo pakë në përkeqësimin e situatës aktuale në sistemin e drejtësisë në vend.
Prandaj , është esencialisht e rëndësishme që ky proces të mos jetë përjashtues apo diversiv, por të jetë gjithëpërfshirës, shterues dhe të marrë në konsideratë punën e rëndësishme të deritanishme të ekspertëve, Rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe dialogun konstruktiv të palëve kontribuuese në këtë proces.
Politika e faktit të kryer, ngushton mundësinë për dialog , konsensus, dhe mirëbesim. Provokon ndarje dhe shpikje fajtorësh. Prandaj kërkojmë nga të gjithë përgjegjshmëri dhe angazhim të pandalshëm dhe konstruktiv. LSI beson se me vullnet të mirë dhe përkushtim, kemi mundësinë më të mirë për të arritur sa më shpejt konsensusin e domosdoshëm dhe për të përmbyllur me sukses një proces jashtëzakonisht jetik për qytetarët tanë dhe për vendin tonë.
LSI-ja është e angazhuar me të gjitha energjitë e saj pozitive dhe kualitetet profesionale për kurorëzimin sa më shpejt dhe me sukses të reformës në drejtësi, sepse Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka asnjë interes të mbrojë sistemin aktual të drejtësisë dhe problematikën e tij mjaft shqetësuese dhe as nuk synon të kapë politikisht institucionet e reformuara të drejtësisë si produkt i kësaj reforme, pasi ky do të ishte dëmi më i madh që do i bëhej të ardhmes evropiane të vendit tonë dhe aspiratave legjitime e besimit të qytetarëve tanë për zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë në këtë vend që nga Presidenti i Republikës e deri tek qytetari më i thjeshtë.
Ndaj me këtë rast, dua të shpreh edhe njëherë bindjen tonë, por dhe vullnetin tim të palëkundur si Kryetar i LSI-së por edhe si Kryetar i Kuvendit, për të punuar që nga ky moment natë e ditë, së bashku me Ministrin e Drejtësisë, së bashku me anëtarin tonë në Komisionin Parlamentar për Reformën në Drejtësi, z. Braho, së bashku me ekspertët tanë, së bashku me ekspertët që kanë punuar deri më sot, së bashku me ekspertët ndërkombëtarë, së bashku me të gjithë faktorët politikë në Parlament apo edhe jashtë tij, sepse nuk është vetëm pronë e Parlamentit kjo reformë, së bashku me shoqërinë civile, në mënyrë që të shterojmë çdo hendek që na ndan për të arritur konsensusin, për t’i dhënë besueshmërinë, dhe legjitimitetin e duhur kësaj reforme, në mënyrë që ajo të jetë një reformë e besueshme, një reformë e suksesshme, një reformë që të gëzojë mbështetjen e publikut të gjerë.
Nuk paragjykoj askënd në këtë proces, sepse paragjykimet helmojnë bashkëpunimin dhe mirëbesimin. Mendoj se rekomandimet dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias janë të qarta për të gjithë ata që janë profesionistë dhe që janë të paanshëm. Për të gjithë ata që duan të luajnë dhe zvarrisin procesin, ne këto sugjerime do t’ia paraqesim publikut, do t’ia japim qytetarëve në mënyrë që në fund fare, ata të gjykojnë me mendje të kthjellët, por pse jo, edhe me çdo mënyrë tjetër cilindo që bëhet një pengesë për këtë reformë madhore për vendin tonë dhe për qytetarët tanë. Besoj në mirëkuptimin dhe në angazhimin tuaj.
Faleminderit!
Sigal