Meta, letër krerëve parlamentarë për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore

458
Krahas reformës në drejtësi, ligjit të dekriminalizimit, që do të diskutohet së afërmi në Parlament, pasi PS-PD kanë dhënë “ok”, tashmë ndryshimet në Sistemin Elektoral, do të hyjnë si temë kryesore në axhendën politike. Kohë më parë është hedhur në publik, ideja e PRIM në Kodin Zgjedhor, që mund të jetë nxitur nga ndonjë marrëveshje paraprake PD-PS, e cila u intereson, pasi do t’u japë mundësi këtyre 2 partive të mbizotërojnë e të monopolizojnë politikën, duke ngushtuar gjithë hapësirën elektorale për partitë e tjera, duke i kthyer ato në partiçka, pasi do të kenë një mundësi tejet të vogël për t’u përfaqësuar në Parlament. Mirëpo, idenë e PRIM e kanë kundërshtuar me të madhe edhe ish kryeministri Berisha, por edhe të gjitha partitë e tjera politike. Ndaj, kryeministri Rama dhe kryetari i PD Basha, ende nuk kanë hapur kartat e tyre politike, edhe kur janë pyetur nëse do të ndërmerren iniciativa për të ndryshuar Sistemin Elektoral, për më tepër që do të bëhen ndërhyrje në Kushtetutë, për reformën në drejtësi.

Disa herë, janë përhapur në publik ide, të nxitura nga PS, se ndryshime në Kodin Zgjedhor mund të bëhen të cekëta, pa ndryshuar sistemin zgjedhor. Mirëpo, të gjithë aktorët dhe faktorët politikë në Shqipëri dhe ndërkombëtarët duan që të zhbëhen listat e mbyllura, ky Kod Zgjedhor aktual, që u jep monopolin kryetarëve të partisë, që të fusin kandidatë, kë duan ata, duke sjellë pasojë edhe inkriminimin e parlamentit, siç ndodhi me këtë parlament. Kryeparlamentari i Shqipërisë, Ilir Meta, u ka dërguar një letër krerëve të grupeve parlamentare për sa i takon reformës zgjedhore në vendin tonë. Në letrën e tij, kreu i Kuvendit paraqet kërkesën për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore. Meta u drejtohet kryetarëve të grupeve parlamentare për të ecur përpara me reformën zgjedhore. Mes partive politike në vend ka pasur debate sa i takon primit elektoral, ndërsa ngritja e komisionit për reformën zgjedhore do t’i çojë më përpara diskutimet, për të arritur më pas edhe në hapat e tjerë drejt realizimit të reformës.
Sigal