Presidenti i Partisë së Lirisë, përmes një reagimi nga qelia ku ndodhet prej më shumë se një viti, bëri një krahasim mes procesit gjyqësor ndaj tij dhe gjykimit të ish-Presidentit francez, Nicolas Sarkozy. Meta akuzoi SPAK-un se ka vepruar nën urdhrat e kryeministrit Edi Rama, duke shpikur lidhje dhe prova që nuk ekzistojnë, në rastin e dosjes CEZ-DIA.
Presidenti i Partisë, Ilir Meta, i cili prej më shumë se një viti ndodhet në burg, ka bërë një krahasim mes rastit të tij dhe procesit gjyqësor të zhvilluar ndaj ish-Presidentit të Francës, Nicolas Sarkozy. Që nga mënyra se si ish-Presidenti francez u përball në liri me akuzat, e deri tek momenti kur u dërgua në burg për të vuajtur dënimin, Meta mori si shembull këtë rast për të treguar se si funksionon drejtësia në një shtet europian dhe si përdoret ajo politikisht në Shqipëri, me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Pavarësisht nga akuzat e rënda ndaj Presidentit Sarkozy, mënyra e shoqërimit të tij ishte mbresëlënëse: jo sikur po shkonte në burg, por sikur po rikthehej në Pallatin Elize. Duke shkruar këto radhë, mos kujtoni se jam i hatërmbetur për mënyrën mafioze se si Narkoshteti më rrëmbeu mua si person nën hetim në prag të zgjedhjeve parlamentare. Përkundrazi, jam krenar, sepse jo vetëm mënyra mafioze e rrëmbimit, por edhe hetimet mafioze që i paraprinë prej gati 6 vitesh atij akti banditesk, provuan atë që kisha denoncuar me kohë edhe si President i Republikës: kapjen e “drejtësisë së re” dhe shndërrimin e saj nga reformë me 140 vota, sipas Komisionit të Venecias, në “Ramaformë” me 69 vota dhe betime gjykatësish te noterja te “Lana”.
Më tej, Meta e akuzon Ramën se përpiqet të bëjë propagandë me daljet përkrah miqve ndërkombëtarë dhe atyre italianë, por sjell si shembull dëshmitë e Gjeneral Lisit dhe prokurorit të antimafias Gratteri, të cilat sipas tij dëshmojnë se Shqipëria është kthyer në një narkoshtet. Presidenti i Partisë së Lirisë është ndalur edhe te akuzat e SPAK-ut për dosjen CEZ-DIA, të cilat i cilëson si shpikje dhe trillime.
Sepse Narkodrejtësia këtu shpik “grupin” e Ilir Metës me anëtarë ish-vjehrrën, ish-gruan, kushërirat dhe kushërinjtë e tyre. Sepse Narkodrejtësia merret me një çështje të stërgjykuar në Shqipëri, Arbitrazhin e Vjenës, si ajo CEZ-DIA, ku shteti çuditërisht rezulton të ketë dalë me fitim nga sekuestrimi në vitin 2014 të rreth 5 milionë eurove të shtetasit Kastriot Ismaili, nga 1.1 milion euro që është dëmi që ka pësuar shteti sipas vetë vendimit të Gjykatës së Lartë. Jo vetëm kaq, por ky qytetar bën edhe 8 vite burg vetëm për t’i marrë një dëshmi të rreme kundër Ilir Metës. Ndërkohë, dy “bashkëpunëtorët” e tij çekë, që sipas gjykatës sonë i kanë shkaktuar CEZ-it (kompani shtetërore, jo private) një dëm 3 herë më të madh, nuk dënohen nga drejtësia e tyre europiane.
Meta e përmbyll shkrimin e tij duke paralajmëruar vijimin e betejës së tij me drejtësinë në Gjykatën e Strasburgut.



















