Meta: Integrimi duhet të ecë paralelisht me projektet ekonomike dhe infrastrukturore në vend

533
Në sesionin e dytë të punimeve të Konferencës së XIV të Parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane, që u zhvillua këtë fundjavë në Split, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i vendeve të rajonit për proceset integruese dhe zhvillimin ekonomik. Gjatë fjalës së tij, Meta tha se është e qartë se tashmë vendet e Nismës Adriatiko-Joniane, veçanërisht ato të Ballkanit: “Ne nuk duhet t’i largohemi dialogut tonë të përvitshëm dhe duhet të sigurojmë rezultate reale, të prekshme për qytetarët tanë. Që nga nënshkrimi i Deklaratës së Ankonës, iniciativa ka luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e shtrirjes gjeografike, politike dhe ekonomike të Bashkimit Europian drejt Adriatikut, Jonit dhe më tej drejt Mesdheut. Përvoja e modeleve pozitive të vendeve të Danubit dhe atyre Balltike na jep shpresë se ky aksion i përbashkët i BE-së dhe NAI do të japë fryte pozitive për vendet tona”, – theksoi Kryetari i Kuvendit. 
Meta vijoi më tej duke pohuar se Shqipëria beson fort se forca e iniciativës tonë gjendet në dimensionin e saj evropian. “Besoj se të gjitha sfidat e identifikuara nga EUSAIR, nëse trajtohen së bashku me BE-në, do të ndihmojnë ndërlidhjen dhe zhvillimin e rajonit tonë dhe ky do të ishte një lajm i mirë për vetë BE-në. EUSAIR është një mundësi e re për vendet tona dhe gjithë rajonin për të rritur bashkëpunimin, duke bashkërenduar përpjekjet, idetë, projektet dhe qëllimet tona integruese”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit. Në vijim të fjalës së tij, Kryeparlamentari u shpreh se potenciali i Rajonit Adriatiko-Jonian është i jashtëzakonshëm dhe se EUSAIR është një mekanizëm i mirë për të shfrytëzuar më me efektivitet potencialet tona. “Shqipëria shpreson se projektet e mëdha në infrastrukturë, si autostrada Adriatiko-Joniane, projektet për energjinë, turizmin, bujqësinë dhe arsimin janë bindës për të thithur investime, të nevojshëm për të jetësuar zhvillim dhe punësim për vendet tona. Pikërisht për të gjitha këto arsye unë e shikoj dimensionin parlamentar të kësaj strategjie shumë të rëndësishëm, të domosdoshëm dhe jetik. Në këtë kuadër, kryeparlamentari u shpreh se: “Kuvendi i Shqipërisë do të japë mbështetje të plotë institucionale. Kuvendi i Shqipërisë ka caktuar një koordinator parlamentar për Rajonin Adriatiko-Jonian dhe EUSAIR dhe do të jemi aktivë, do të marrim pjesë, do japim kontributin tonë dhe do nxisim gjithë strukturat institucionale në vend për të realizuar si duhet objektivat e eurostrategjisë për rajonin Adriatiko-Jonian”,- u shpreh Meta. Po kështu kryeparlamentari Meta ëshët takuar edhe me presidenten e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Laura Boldrini 
Kriza Migratore të trajtohet si problem i përbashkët evropian
Në këtë takim kryeparlamentari Ilir Meta nuk ka lënë pa përmendur gjatë fjalës së tij mbi krizën e paprecedentë të refugjatëve që ka prekur rajonin dhe tërë Evropën. Ilir Meta vuri në dukje se kriza migratore që kërcënon sigurinë e përbashkët evropiane, nuk duhet të cenojë vlerat evropiane të solidaritetit njerëzor, por duhet trajtuar si një problem i përbashkët përmes koordinimit mes të gjitha strukturave evropiane. Meta u shpreh se Shqipëria, si vend që ka përjetuar eksperiencat e saj migratore është e gatshme të japë kontributin e saj, brenda kapaciteteve dhe në bashkëpunim me partnerët e tjerë evropianë. 
Sigal