Meta: Inaugurojmë një shkollë moderne të standardeve më të larta evropiane

458
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta merr pjesë në inaugurimin e shkollës 9-vjeçare “Kuvajt” në fshatin Hardhishtë të komunës Gjepalaj

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në inaugurimin e shkollës 9-vjeçare “Kuvajt” në fshatin Hardhishtë të komunës Gjepalaj, investim i qeverisë kuvajtiane.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ambasadori i shtetit të Kuvajtit në vendin tonë, z. Najieeb Al Bader, Prefekti i Qarkut Durrës, z. Roland Xhelili, Kryetari i Këshillit të Qarkut Durrës, z. Alfred Mullaraj, Drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Rajonale Durrës, Kryetari i Komunës Gjepalaj, z. Ardian Kokomani si edhe presidenti i kompanisë që kishte bërë të mundur ndërtimin e shkollës.

Në fjalën e tij gjatë përurimit, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, duke i uruar sa më shumë suksese nxënësve të shkollës 9-vjeçare të Hardhishtës, falënderoi qeverinë kuvajtiane për investimin e bërë në ndërtimin e shkollës. Gjithashtu, z. Meta u shpreh se tani fëmijët e këtij komunitetit do të kenë mundëis të mësojnë në kushte shumë më të mira.

“Një shkollë moderne, e standardeve më të larta evropiane, gjë do të thotë se fëmijët e Hardhishtës do të fillojnë që të mësojnë në kushte shumë më të mira, por gjë që do të thotë se tani duam rezultate edhe më të larta në mënyrë, që ta keni më të lehtë për të përballuar sfidat në të ardhmen tuaj dhe për ta bërë edhe më të bukur Hardhishtën, Gjepalajn, Durrësin dhe të gjithë Shqipërinë”, – tha Kryetari i Kuvendit, duke vijuar: “Dua të falënderoj nga zemra shtetin vëlla të Kuvajtit, Emirin e Kuvajtit, qeverinë e Kuvajtit dhe në veçanti Ambasadorin e Kuvajtit, Shkëlqesinë e Tij, z. Najieeb Al Bader për këtë dhuratë të mrekullueshme dhe të çmuar që i kanë bërë komunitetit tuaj, që i kanë bërë fëmijëve, por edhe prindërve të tyre, që i kanë bërë edhe mësuesve. I jemi shumë mirënjohës Kuvajtit për ndihmën dhe për mbështetjen që jep jo vetëm për këtë shkollë të mrekullueshme që inaugurojmë sot, por dhe për shumë vepra të tjera anembanë Shqipërisë”, – deklaroi z. Meta.

Sakaq, Kryetari i Kuvendit theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se investime të tilla nga shteti kuvajtian rrisin edhe më shumë bashkëpunimin midis dy vendeve. “Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera dhe vepra të tilla ndihmojnë për të forcuar akoma më tej ndjenjat vëllazërore midis dy vendeve dhe dy popujve, dhe jam i bindur që këta fëmijë nga dita e sotme do të ruajnë në zemrën e tyre një mirënjohje të veçantë për Kuvajtin”, – tha Kryetari i Kuvendit.

Ndërsa ambasadori i Kuvajtit në Tiranë, z. Najieeb Al Bader, theksoi se inaugurimi i kësaj shkolle do të thotë shumë për shtetin kuvajtian i cili bëhet në të njëjtin muaj që përkon me festën e pavarësisë të Kuvajtit. “Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu midis jush sot për inaugurimin e kësaj sholle. Inaugurimi i kësaj shkolle për ne do të thotë shumë. Ky me të vërtetë është një bashkëpunim i mëtejshëm midis Shqipërisë dhe Kuvajtit dhe inaugurimi i kësaj shkolle, sidomos në këtë muaj, në muajin shkurt, vjen pikërisht në kuadër të festimeve në shtetin e Kuvajtit që janë festimet për pavarësinë e çlirimin e Shtetit të Kuvajtit”, – tha ambasadori Najieeb Al Bader.

Kryetari i Komunës Gjepalaj, Ardian Kokomani e falënderoi ambasadorin Najieeb Al Bader për investimin që shteti i Kuvajtit bëri për ndërtimin e shkollës së re. Në fjalën e tij ai theksoi se Këshilli i Komunës kishte marrë vendimin për ta shpallur ambasadorin Najieeb Al Bader “Qytetar Nderi” duke i dorëzuar edhe dekoratën e komunës.

Vlera e investimit për ndërtimin e shkollës ka kapur vlerën e 333 mijë eurove. Ndërtimi është bërë për 6 muaj dhe përfshin 9 klasa mësimore, të cilat funksionojnë që nga klasa e parë deri në klasën e nëntë si edhe dy grupe kopshti. Krahas kësaj, në shkollë është ndërtuar një bibliotekë si edhe një laborator informatike.