Meta-Hahn: “Opozitës i janë garantuar të gjitha të drejtat dhe hapësirat në Parlament”

444
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta ka pritur sot në një takim Komisionerin për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit në BE, z. Johannes Hahn. 
Sigal

Gjatë takimit, z. Meta u shpreh se Shqipëria është e fokusuar në implementimin e pesë prioriteteve kyçe, si reforma në administratën publike, reforma në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe të drejtat e njeriut, përfshirë edhe të drejtën e pronës. 

“Sa i takon reformës në drejtësi, unë mund t’iu informoj se kemi ngritur një komision të posaçëm, që ka përfunduar tashmë fazën e parë të përgatitjes së dokumenteve analitike dhe do të dalë shumë shpejt me një konkluzion konkret”, tha z. Meta. 

Gjithashtu, z. Meta njohu z. Hahn edhe me angazhimin e mazhorancës për të pasur një bashkëpunim sa më konstruktiv me opozitën, si në rastin e Këshillit Kombëtar të Integrimit, që do të drejtohet nga opozita. 

“Opozitës i janë garantuar të gjitha të drejtat dhe hapësirat në Parlament dhe i është dhënë e drejta për të folur më shumë se sa mazhoranca në seancën plenare”, shtoi z. Meta.

Nga ana e tij, komisioneri z. Hahn vlerësoi arritjet e Shqipërisë dhe theksoi se konsensusi është i rëndësishëm, por palët politike kanë legjitimitetin e duhur për të pasur qëndrime të ndryshme mbi çështje të caktuara. 

Në përfundim, z. Meta tha se një plan veprimi është miratuar nga Konferenca e Kryetarëve, që adreson rekomandimet e raport-progresit të Bashkimit Evropian për vitin 2014.