Meta fton Pittenger që Konferencën e ardhshme të Inteligjencës dhe Sigurisë ta zhvillojë në Tiranë

487
Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta ka zhvilluar një takim të veçantë me kongresmenin, z. Robert Pittenger, kryetar i Task-forcës për Terrorizmin dhe Luftën Jo-Konvencionale.
Kongresmeni amerikan e falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pjesëmarrjen në konferencën parlamentare të Inteligjencës dhe Sigurisë, ku u diskutuan çështje të rëndësishme si lufta kundër terrorizmit dhe ISIS, kërcënimet kibernetike dhe pastrimi i parave, me fokus krimin e organizuar dhe terrorizmin global.
Z. Meta e ftoi z. Pittenger, që konferenca e ardhshme të zhvillohet në Shqipëri çka u mirëprit nga Kryetari i Task-Forcës për Terrorizmin dhe Luftën Jo-Konvencionale.
“Gjithë këta elementë janë faktorë të rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar ekstremizmin islamik. Ne kemi gjetur një partner shumë të rëndësishëm tek Shqipëria dhe një mik shumë të madh. E vlerësojmë dhe ju falënderojmë shumë që jeni sot këtu dhe shpresojmë që forumi tjetër në pranverën e ardhshme të zhvillohet në Europë. Nëse do të kemi mundësi do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që ky forum të bëhet në Tiranë. Të shpresojmë që edhe të tjerët do t’i bashkohen kësaj nisme dhe kësaj axhende, por ftesa juaj është shumë e mirëpritur dhe e respektuar”, – tha z. Pittenger.
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit zhvilloi edhe një takim me lideren e demokratëve në Kongres, znj. Nancy Pelosi. Ecuria e reformave në Shqipëri ka qenë një nga temat qendrore të bisedës së zhvilluar.
Ndërkohë që rreziku i terrorizmit dhe krizës së refugjatëve nga Siria ishte një tjetër çështje e diskutuar në takimin mes z. Ilir Meta dhe shefes së grupit të demokratëve në Kongresin Amerikan. Gjatë bashkebisedimit u prek dhe tema e kontributit të Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe operacionevë paqeruajtëse ku Shqiperia bën pjesë. 
Sigal