Meta dekreton largimin e Ajazit nga kreu i SHISH-it

533
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, deklaroi se kishte firmosur dekretin për largimin e Visho Ajazit nga detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Në një intervistë në “Syri.net”, Kreu i Shtetit tha se e kishte pranuar dorëheqjen e shefit të SHISH-it, por ende nuk ka dekretuar emërimin e pasardhësit të tij, Helidon Bendo. “Nuk ka asnjë emergjencë për arsye të faktit që zv/drejtori i SHISH-it vazhdon detyrën”, tha Meta. Ai shtoi se besonte te parimi i vazhdimësisë në drejtimin e institucioneve. “Unë në natyrën time gjithmonë në krye të institucioneve kam respektuar parimin e vazhdimësisë dhe në rastin konkret, aq më tepër që bëhet fjalë për një institucion të një rëndësie të veçantë dhe për sigurinë kombëtare, kam qenë i bindur që vazhdimësia gjithmonë është pozitive, është e rëndësishme në këto lloj institucionesh”, u shpreh Kreu i Shtetit. Ai sqaroi se vetëm një javë më parë e kishte siguruar ish-shefin e SHISH-it, Visho Ajazi, se do të kishte përkrahjen e Presidentit të Republikës për të vazhduar detyrën e tij. “Gjithmonë duke u përqendruar me përkushtim në luftën kundër terrorizmit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe natyrisht në përmbushje të detyrave të tjera që ka Shërbimi Informativ. Dhe ai më ka falënderuar për besimin. Kjo ka qenë thjesht për të konfirmuar një vazhdimësi, duke pasur në konsideratë edhe komentet e ndryshme mediatike që janë të zakonshme”, tha Meta. Ai deklaroi se i kishte premtuar Ajazit edhe një deklaratë publike për punën e shërbimit sekret. “I kam konfirmuar që publikisht kur ta kisha një mundësi për t’u shprehur do të bëja qëndrimin tim publik në këtë drejtim, jo thjesht për z. Ajazi, pasi këtë garanci, mbështetje e ka pasur, por më shumë sa i takon efektivit të Shërbimit Informativ në terren, në mënyrë që ata të vazhdonin detyrat e tyre sipas ligjit”, u shpreh Meta. Ai shtoi se kryeministri Rama nuk i kishte kërkuar shkarkimin e Ajazit. “Z.Rama nuk ma ka kërkuar një gjë të tillë. Për herë të parë i vetmi kontakt me z. Rama për këtë çështje ka qenë dje (pardje), kur ai më ka sjellë dorëheqjen e z. Ajazi bashkë me kërkesën e tij për lirimin e z. Ajazi. Nuk mund të mbahet askush në detyrë edhe një sekondë të vetme përtej vullnetit të tij”, tha Meta. Presidenti shtoi se dorëheqja e Ajazit ka qenë e papritur për shkak të bisedës së zhvilluar një javë më parë. “Nuk ka rëndësi, por nuk më çudit shumë. Janë gjëra që ndodhin. Unë e respektoj vullnetin e cilitdo”, u shpreh Meta.
Sigal