Meta: Bashkëpunimi, e vetmja mënyrë për të përballuar sfidat e globalizmit. Takime me Ivanovin, Xhaferin e Zaevin

796
Meta takim me Ivanov: Projektet e përbashkëta mes dy vendeve, domosdoshmëri
Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të Maqedonisë, në kuadër të një vizite zyrtare, ja cilat janë disa pika kyçe të bisedimeve
Shqipëria dhe Maqedonia duhet të zhvillojnë kanë sfida të përbashkëta. Një ndër këto është edhe ajo e globalizmit, për të cilën, Presidenti Ilir Meta, tha se duhet një bashkëpunim i ngushtë për ta përballuar. Kjo dhe deklarata të tjera lidhur me bashkëpunimin mes dy vendeve dhe hapat konkrete që qeveria maqedonase është duke marrë lidhur me miratimin e ligjit për gjuhën shqipe, ishin pjesë e bisedimeve mes Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta dhe atij të Maqedonisë, Giorge Ivanov. Pas interpretimit të himneve të të dy shteteve dhe nderimeve ushtarake të rastit, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas drejtuan bisedimet e zgjeruara mes dy delegacioneve. Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e ngushta historike e kulturore dhe theksoi se ato janë ekzistenciale dhe përcaktuese për të ardhmen evropiane të dy vendeve tona.

“E vetmja mënyrë për të përballuar sfidat e globalizmit është bashkëpunimi i ngushtë në nivel dypalësh dhe atë rajonal.” – u shpreh Presidenti Meta. Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi frymën dhe vizionin e përbashkët euroatlantik që i karakterizon ato dhe duke përshëndetur zhvillimet dhe angazhimet e marra nga Qeveria e re e Maqedonisë, për përmirësimin e klimës dhe harmonisë ndëretnike. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta, vlerësoi hapat konkrete në drejtim të miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Presidenti Meta i konsideroi shqiptarët në Maqedoni, një faktor të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit dhe të orientuar qartë drejt BE-së dhe NATO-s, ndërsa pakicën kombëtare maqedonase në Shqipëri, si urë lidhëse të fuqishme miqësie. Presidenti Meta shprehu besimin se ligji i ri për pakicat kombëtare në Shqipëri do të krijojë hapësirën e duhur për ruajtjen e identitetit të saj sipas standardeve më të mira evropiane. Duke perifrazuar Nënë Terezën e cila i bashkon të dy vendet, Presidenti Meta theksoi se shprehja e saj: “nëse i gjykojmë njerëzit pa fund nuk mbetet më kohë për t’i dashur ata”; i shërben si njerëzve ashtu edhe fqinjëve. Sa i përket bashkëpunimit dypalësh, Presidenti Meta nënvizoi domosdoshmërinë e zhvillimit të projekteve të përbashkëta, veçanërisht në fushën e infrastrukturës lidhëse mes dy vendeve dhe shprehu besimin se, mbledhja e ardhshme e dy Qeverive në Pogradec, do t’i japë një shtysë marrëdhënieve dypalëshe, jo vetëm në planin politik por edhe në atë ekonomik dhe do të evidentojë projektet e përbashkëta në kuadër të procesit të Berlinit. “Ballkani, i cili ka prodhuar shumë histori e retorikë konfliktuale në të shkuarën, sot ka më shumë nevojë për bashkëpunim konkret dhe jo retorikë bashkëpunuese.”, – theksoi Presidenti Meta. Presidenti Meta e siguroi edhe njëherë Presidentin Ivanov për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe rëndësinë që ka për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit.
Sigal