Mesazhi i Ditmir Bushatit/ Progresi i evoluimit të PS, i deformuar. Garanci është familja e madhe socialiste, e heshtura dhe e harruar!

485
Sigal

Manifesti politik i Ditmir Bushatit, drejtuar socialistëve të vërtetë: Progresi i evolucionit i deformuar

Garancia, Familja e madhe socialiste, kjo shumicë e heshtur, shpesh e harruar

 

Ditmir Bushati, ish-ministër i Jashtëm, uroi dje 28 vjetorin e krijimit të PS-së me anë të një manifesti politik, drejtuar socialistëve të vërtetë dhe kundër rilindëse që kanë uzurpuar PS-së. Ditmir Bushati, nëpërmjet mesazhit që u drejton socialistëve, i quan ata “Familje e madhe, një shumicë e heshtur dhe e harruar”, natyrisht nga rilindësit qeveritarë. dhe pohon se janë socialistët dhe jo Rilindësit garancia për të ardhmen.

Mesazhi: Evolucion i deformuar

. Ajo që bie në sy në mesazhin e Bushatit është se ai pas 6 vjetësh ka rikthyer togfjalëshin “socialistët dhe progresistët”, ku përfshin edhe veten e tij, kundrejt Rilindjes . “Procesi i evolucionit në mënyrë të pashmangshme ka edhe deformime apo frenime të mundshme, nga të cilat duhet të ruhemi, që përparimi të mos kthehet në vendnumërim, shpresa të mos kthehet në dëshpërim dhe e ardhmja e shqiptarëve të mos jetë jashtë, por brenda vendit. Garancia më e mirë për këtë është familja e madhe socialiste, kjo shumicë e heshtur, shpesh e harruar, por e padiskutueshme e këtij vendi, e cila gjithmonë ka treguar që është forcë shtytëse e progresit”, shkruan Bushati.

Ditmir Bushati

Gëzuar ditëlindjen Partia ime! Partia Socialiste është pasuri kombëtare e gjithë shqiptarëve sepse ajo është e vetmja forcë politike që ka pësuar transformim të natyrshëm që nga themelimi i saj. Progresiste në frymë, perëndimore në mbrujtje dhe patriotike në formim, Partia Socialiste mbetet sot e vetmja alternativë serioze për drejtimin e vendit tonë. Por, procesi i evolucionit në mënyrë të pashmangshme ka edhe deformime apo frenime të mundshme, nga të cilat duhet të ruhemi, që përparimi të mos kthehet në vendnumërim, shpresa të mos kthehet në dëshpërim dhe e ardhmja e shqiptarëve të mos jetë jashtë, por brenda vendit.

Familja socialiste (jo rilindësit)

Garancia më e mirë për këtë është familja e madhe socialiste, kjo shumicë e heshtur, shpesh e harruar, por e padiskutueshme e këtij vendi, e cila gjithmonë ka treguar që është forcë shtytëse e progresit. Në vitin 2019 është e vështirë të flitet më për ndasi monokromatike e majtë-e djathtë, por për modele qeverisjeje që sjellin mirëqenie për qytetarët. Partia Socialiste i ka të gjitha mundësitë, kontributin dhe eksperiencën e trashëguar që nga themeluesit e saj, sikundër burimet e pashtershme njerëzore që të hyjë në historinë e pluralizmit shqiptar si forcë politike e cila qeveris për të gjithë, që shtet-bërjen e konsideron mision në bashkëpunim me të gjithë shqiptarët, dhe premtimet nuk i ka për të përcjellë, por për të përgatitur një të ardhme të denjë për shqiptarët. Ne socialistët dhe progresistët kemi përgjegjësinë për të konsoliduar rrugën e ndërtimit të Shqipërisë Evropiane. Një Shqipëri që bazohet tek ekonomia e dijes, por dhe që mendon për të pamundurit. Një Shqipëri që bazohet tek kapitalizmi progresiv që krijon mundësi për të gjithë, pavarësisht prejardhjes dhe statusit në shoqëri. Një Shqipëri solidare e dinjitoze në rajon dhe kontribuuese në arenën ndërkombëtare. Një Shqipëri për gjeneratën e re, e cila është e etur për zhvillim dhe progres.