Mehmetaj: Naftëtarët në ditën e nëntë të grevës, qeveria i ka lënë në mëshirë të fatit

196
Sigal

Ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, përmes një postimi në “Facebook” shkruan se naftëtarët vazhdojnë që të jenë në grevë.

Mehmetaj thekson se qeveria i ka lënë naftëtarët në mëshirë të fatit, duke mos iu dhënë 13 paga e për rrjedhojë, duke lënë familje të tëra pa ushqim.

Postimi i ish-deputetes së LSI Kejdi Mehmetaj:

Dita e 9 e grevës së urisë për Naftëtarët e Rafinerisë së Ballshit.

Dita e 9 që nuk marrin përgjigje e as garanci nga shteti.

Ç’është ky shtet e kjo qeveri që lë në mëshirë të fatit më shumë se 900 familje për të mbrojtur interesat e oligarkëve?

Me çfarë do i mbajnë familjet e ushqejnë fëmijët këta naftëtarë kur kanë 13 paga pa marrë? Gjyqet i kanë fituar, statusi i naftëtarit duhet t’i mbrojë, por rilindja i lë në mes të katër rrugëve.

Mashtrimet e gënjeshtrat e Ramës e rilindjes vazhdojnë, ndërkohë që zgjidhje nuk jepen.

Jepuni naftëtarëve atë që u takon, shpërblejuni djersën e sakrificën.

Asnjë interes privat nuk mund e nuk duhet të jetë mbi interesin e qytetarëve tanë.

Unë sot i bëj thirrje të gjitha institucioneve që duhet të zbatojnë vendimet e gjykatave të bëjnë detyrën. I bëj thirrje prokurorisë të hetojë çfarë po ndodh me pagat e naftëtarëve. I bëj thirrje edhe partnerëve tanë ndërkombëtar, që humbin kohë me gënjeshtrat e Ramës, të interesohen për jetët e këtyre naftëtarëve. Ju siguroj se mirëqenia e tyre është më e rëndësishme se çdo hile elektorale e Edi Ramës e se një fjalë e tyre është më me peshë se të mbledhësh bashkë fjalimet e rilindjes në katër vite.