Media e njohur ndërkombëtare: Ambasadorja amerikane akuzohet për ndërhyrje në politikën shqiptare

186
Sigal

Nga Adam Creighton

Ish-Presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë ka akuzuar Ambasadoren e SHBA në Tiranë për ndërhyrjet ‘më të hapura e të pabesueshme’ në punët e brendshme të vendit ballkanik, përfshirë presionin mbi gjykatat, minim të mbështetjes për Uashingtonin në anëtarin e NATO-s në një moment kritik në situatën në Evropën lindore.

Sali Berisha, 76 vjeç, lideri i parë post-komunist i Shqipërisë dhe në krye të vendit në disa periudha midis 1992 e 2013, tha që Yuri Kim, e dërguara e SHBA në Tiranë që nga janari 2020, ‘ka punuar me vetëdije për të ndihmuar qeverinë në shkatërrimin e opozitës’.

‘Ajo është personi që e ka dëmtuar më tepër reputacionin e SHBA në Shqipëri në 30 vite; më vjen shumë keq pasi gjithmonë kam pasur marrëdhënie shumë të mira me SHBA, pa asnjë lloj problemi’, tha Berisha për ‘The Australian’, gazeta më e madhe në Australi.

Kim, 49 vjeç, e lindur në Korenë e Jugut, e emëruar nga administrata Trumë, pranoi në median sociale muajin e kaluar se ka ushtruar presion mbi gjyqtarët shqiptarë për të penguar rikthimin e zotit Berisha në politikë duke rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike në opozitë, të cilën ai e themeloi më 1990.

‘Nëse ‘ndërhyrje’ do të thotë të inkurajosh gjyqtarët të bëjnë punën e tyre, atëherë PO’, shkroi Kim në Twitter.

Në shkurt, Kim iu bëri thirrje shqiptarëve të mos votonin për kandidatët e zotit Berisha në zgjedhjet lokale, një lëvizje që pasonte një seri thirrjesh për gazetarët, liderëve dhe deputetëve të opozitës gjatë gjithë vitit 2021 që të mos e përkrahnin më zotin Berisha.

ImageNë maj të vitit të kaluar, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i ndaloi Berishës, aleat i Presidentit George W. Bush, hyrjen në SHBA, me akuza për ‘korrupsion serioz’, për të cilat SHBA ende nuk ka paraqitur ndonjë provë, pavarësisht një serie kërkesash nga Kongresmeni Republikan Lee Zeldin në emër të komunitetit shqiptar në New York.

Ilir Kalemaj, profesor i shkencave politike në Universitetin e New Yorkut në Tiranë, thotë se akuzat e SHBA ‘dolën krejt papritur’ dhe shkaktuan ‘valën e parë të skepticizmit për Amerikën’ midis votuesve të Partisë Demokratike në një vend tradicionalisht përkrahës të SHBA.

Një fushatë në Change.org e titulluar ‘Ambassador Yuri Kim, Enough is Enough’ – me deklarimin se ajo ‘ka intimiduar vazhdimisht’ opozitën dhe ka ‘kërkuar të ndikojë procesin gjyqësor’ – ka mbledhur mbi 6800 firma.

‘Ajo është ambasadorja më politike që SHBA ka pasur ndonjëherë në Shqipëri, ndoshta në Evropë; flet gjithmonë, nuk përdor gjuhë diplomatike, është e njëanshme në favor të Ramës’, thotë Kalemaj për The Australian.

Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj akuzave të Berishës, ndonëse ndihmëssekretarja Karen Dodfried, në vizitën në Shqipëri muajin e kaluar, tha se Presidenti Joe Biden ka besim të plotë te zonja Kim. ‘Shqipëria është me fat që ka atë si përfaqësuese të vendit tim që punon çdo ditë aty’, tha ajo.

Harald Malmgren, ish-Ambasador dhe eksperte në politikën e mbrojtjes që ka këshilluar katër presidentë amerikanë, thotë se Shqipëria nga ana strategjike është më e rëndësishme për SHBA nga sa tregon madhësia e saj.

‘SHBA pa shumë zhurmë ndërtoi një nga bazat ushtarake më të mëdha kohët e fundit në Shqipëri, është një copë e madhe e rrjetit mbrojtës të SHBA dhe në mënyrë të pashmangshme dikush ose disa njerëz duhej të bindeshin apo të paguheshin për kompletimin e saj’, tha ai për The Australian.

Miq të zotit Berisha thanë për The Australian se nuk arrinin ta kuptonin pse SHBA e anashkalon korrupsionin në qeverinë e Ramës, në fuqi që më 2013, ‘udhëheqja autokratike e të cilit e ka kthyer vendin në shtrat të krimit të organizuar’, sipas gazetarit të politikës së jashtme Peter Tase.

Që nga 2016, Shqipëria ka rënë me 27 pozicione, në vendin e 110-të nga 180 vende në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International për vitin 2021, dhe zë vendin e katërt në raport popullsie në botë për emigrimin e intelektualëve, sipas raportit të OECD për të njëjtin vit.

‘Ajo ka dhunuar Kushtetutën tonë dhe atë të SHBA me ndërhyrjen në gjykatat tona, në media, në çështjet e brendshme të Partisë Demokratike, dhe bën gjithçka për të ndihmuar qeverinë e Ramës, të cilën vetë Departamenti i Shtetit e ka cilësuar si të korruptuar në rritje’, thotë zoti Berisha.

Të paktën dy ish-ministra, përfshirë ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, janë në burg për korrupsion apo trafik droge.

Importi i bananeve në Shqipëri, kryesisht nga Kolumbia dhe Ekuadori, është dyfishuar gjatë dekadës së fundit, duke arritur në një nivel për kokë katër herë më të lartë se Franca, sipas të dhënave nga doganat.

Në dërgesat e bananeve, policia ka kapur tonelata kokaine që nga viti 2016, bëjnë të ditur lajmet vendase.

*

Adam Creighton, korrespondent i The Australian nga Uashington DC, SHBA dhe është një gazetar fitues çmimesh