Media austriake/ Edi Rama po bëhet autoritarist, PD lidhje të mira në Gjermani

449
Sigal

Nga Adelheid Woelfl, Der Standard

Qeveria shqiptare vendosi që shqiptarët, të cilët jetojnë në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, nuk do kenë më nevojë për leje pune nëse dëshirojnë të punojnë në Shqipëri.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, po ndjek një kurs shumë nacionalist dhe po simpatizon gjithmonë idetë e Shqipërisë së Madhe. Ai përpiqet ta portretizojë veten si udhëheqës të shqiptarëve në rajon. Po ashtu, Rama ka ngritur vazhdimisht qytetarët kosovarë në poste ministrore në Shqipëri.

Zëvendësministri i Jashtëm, Gent Cakaj është kosovar. Ai erdhi në detyrë, kur Rama shkarkoi në janar ministrin e Jashtëm të njohur ndërkombëtarisht, Ditmir Bushati. Bushati e kishte kundërshtuar idenë e orientuar nga Rama, i cili kishte folur në favor të ndarjes së Kosovës, në mënyrë që veriu, ku jetojnë shumë serbë, të bëhet pjesë e Serbisë.

Në terma afatgjatë, kjo politikë e Ramës përbën një kërcënim për integritetin e Kosovës, për shkak se forcon zërat, që kërkojnë të bashkojnë Kosovën me Shqipërinë.

Më shumë autoritarizëm

Rama nuk është vetëm një nacionalist, por vepron gjithmonë e më shumë si autoritarist. Për shembull, Shqipëria ka rënë së fundmi në renditjen e Reporterëve pa Kufij me shtatë vende, në vendin e 82-të në krahasimin ndërkombëtar. Sulmet e qeverisë dhe grupeve të krimit të organizuar kanë arritur në vitin 2018 në nivele të pashembullta. Reporterët pa Kufij kanë raportuar për fyerje, kërcënime me vdekje dhe padi ndaj gazetarëve, që kanë për qëllim t’i trembin. Vetë Rama i quan gazetarët ‘kazan’. Një nga gazetarët, Ylli Rakipi, e ka mbrojtur veten dhe ka ngritur padi ndaj Ramës. Më herët Rama e kishte paditur Rakipin, për shkak se gazetari televiziv e kishte përshkruar kreun e qeverisë si një ‘kloun’. Diskursi politik në Shqipëri është tejet i ashpër. Ai, gjithashtu, ka të bëjë me faktin se të dyja partitë- socialistët dhe demokratët- luftojnë me njëra-tjetrën për dekada me radhë në mënyra të tilla që më shumë të kujtojnë një luftë asgjësuese sesa një mosmarrëveshje politike. Asnjë fjalë e mirë nuk rezervohet për kundërshtarin dhe ka vazhdimisht përpjekje për të bërë fushatë ndaj kundërshtarit politik në vende të huaja.

Demokratët bojkotojnë parlamentin

Partia Demokratike shkon aq larg, sa e përshkruan vendin nën qeverisjen e socialistëve si një shtet të drogës dhe mafies, duke dëmtuar kështu reputacionin e shtetit të bukur të Europës Juglindore. Partia Demokratike ka bojkotuar parlamentin për një kohë të gjatë- diçka jo e pazakontë në Europën Juglindore. Çdo javë ka protesta nga opozita, të cilat kanë çuar vazhdimisht në përplasje të dhunshme. Klima politike është bërë kaq e nxehtë, sa edhe ndërmjetësit dashamirës nuk shohin asnjë shans që situata të zbutet. Shqetësimet e opozitës dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë civile janë pjesërisht të ligjshme. Për shembull, kostot e konvikteve nuk mund të përballohen nga të rinjtë, ose projektet e dyshimta ndërtimore dëmtojnë interesat e disa qytetarëve. Por retorika e opozitës shpërthen vetëm për trazira. Shefi i PD, Lulzim Basha vazhdon të flasë për ‘kryeministër të paligjshëm’.

Zgjedhjet lokale në fund të qershorit

Në fund të qershorit do të mbahen zgjedhjet lokale në Shqipëri dhe pritet që situata të përkeqësohet deri atëherë. Mundet që opozita të mos marrë pjesë. Konservatorët e PD kanë kontakte të mira me Gjermaninë dhe duan që BE të përfshihet në konflikt, siç ishte rasti me Maqedoninë Veriore në vitin 2015. Reforma gjyqësore, e cila u përqendrua në largimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar nga sistemi, ka krijuar gjithashtu probleme shtesë të stabilitetit në vend. Një komision është ngritur me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtare, për të shqyrtuar gjyqtarët dhe prokurorët për dy vjet. Megjithatë, kaq shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar, sa nuk ka asnjë gjykatë të vetme të lartë në funksion. Kjo, jo vetëm ka krijuar një vakum të rrezikshëm në sundimin e ligjit, por ka sjellë edhe një bllokim të shqyrtimit të çështjeve, që duhet të dërgohen patjetër në gjykatë. Ky nuk është vetëm faji i administratës shqiptare, por edhe i bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka keqkuptuar rrethanat në terren.

Zgjerimi në rrezik

Shqipëria duhej të fillonte negociatat e anëtarësimit me BE-në këtë vit, në fakt reforma gjyqësore është unike në rajon- por Franca ka vendosur frenat. Në Paris, nuk interesohen për Shqipërinë dhe rajonin, por shqetësohen që të mos vijë asnjë emigrant dhe azilkërkues nga Shqipëria. Megjithatë, nëse kjo do të kuptohej në rajon, që nuk do ketë më zgjerim, kjo do dobësonte forcat reformuese dhe do të nxiste më tej autoritarizmin dhe nacionalizmin. /Përgatiti: Mapo.al