Me Bashën, PD preku fundin!

80
Sigal

Nga Grigels Muçollari.

Cilido që njeh sadopak angazhimin tim politik në PD dhe punën organizative në FRPD, e ka të qartë qëndrimin tim ndaj lidershipit Basha, që prej vitit 2013 kur kaluam në opozitë.

Jam shprehur shumë herë e shumë herë jam dëgjuar, por gjithnjë i rrethuar me demokratë, miq e bashkëpunëtorë. Ka ardhur koha që këtë qëndrim ta komunikoj edhe jashtë shtëpisë sime politike, për këdo që kërkon ringritjen e opozitës demokratike, dhe se me të drejtë shtron pyetjen përse tani dhe jo më parë.

17 vjet më parë, Lulzim Basha iu bashkua PD. Gjeti aty kontribues të vjetër e të rinj. Për arsye strategjike, konjukturale, ose të dyja bashkë, Bashës iu dha kohë e pakufizuar mediatike për të krijuar personalitetin e tij polik. Pa stazh politik dhe pa radhë, Basha u akomodua në hierarkinë më të lartë drejtuese. Vazhdimi është i njohur, 3 poste ministrore, dy legjislatura deputet dhe një mandat i pagjurmë kryebashkiaku.

Të parët që goditi Basha si kryetar i PD ishin kontribuesit e saj. Kjo jo pa shkak, sepse Lulzim Basha nuk vinte nga radhët e tyre. Unë e konsideroj Bashën një devijim nga meritokracia.

Këtë opinion e kam ndarë me Doktorin, dhe e vlerësoj ndjesën e tij publike ndaj demokratëve, sikurse vlerësoj aksionin që shoqëron këtë ndjesë, Foltoren e shumëpritur dhe të vonuar.

Në 8 vite të lidershipit Basha, PD preku fundin. Pa nisur Foltorja, demokratët flisnin mes tyre për asgjësimin politik të forcës sonë, ekzistenca e së cilës ishte në pikëpyetje.

Me vendimet e tij, gafat dhe qëndrimet kontradiktore, Lulzim Basha cënoi rëndë autoritetin e institucionit të kryetarit, duke e zbritur atë në nivel grotesku.

Basha ështe furnitori më i madh i parodive, memeve dhe skeçeve humoristike. PD nuk shihej gjerësisht si alternativë serioze, sepse kryetari i saj nuk përcillte seriozitet në asnjë dalje publike të tij. Pavarësisht pakënaqësive të brendshme, ne punuam pakursimisht për fitoren e PD dhe për të bërë Lulzim Bashën kryeministrër.

Personalisht nuk kam asnjë problem me individin Lulzim Basha. Problemin, unë dhe jo vetëm unë, e kemi me lidershipin e tij, me kundërthëniet e tij, me strategjitë elektorale të tij, dhe me mentalitetin e tij politik aspak perëndimor.

Përfituesi politik nr. 1 i qeverisjes demokratike 2005 – 2013 është Lulzim Basha. Më shumë se cilido tjetër që jeton ose jo.

Basha mbetet po ashtu përfituesi politik nr. 1 i humbjes sonë në vitin 2013. Si në fitore dhe në humbje, Lulzim Basha ka përfituar të mira politike nga PD pa i kthyer asgjë në këmbim, veç humbjes.

Janë të shumta arsyet përse Lulzim Basha nuk e shpie dot PD në fitore, por unë do them vetëm njërën prej tyre: Historia e tij politike. Një histori e ngjashme me atë që na tregonin shpesh në vitet e vegjëlisë, “E ke ndërtuar vetë apo ta ka lënë babai”. Kësisoj dhe kjo punë.

Për të zbutur pak gjuhën, them se me zotin Basha bie dakord në diçka, që kryeministri të qëndrojë jo më shumë se dy mandate.

Me fjalë të tjera, kryeministër, ndonëse fitues, nuk duhet të qëndrosh më shumë se 8 vjet. A mund të kemi të njëjtin standard edhe për një humbës? Sigurisht që jo. Një humbës duhet të qëndrojë edhe më pak në detyrën e prijësit.

A duhet të shkojë PD në kufijtë e ekzistencës se dikush, qoftë dhe kryetari i saj, ka ëndërr për një karrige? Sigurisht që jo, dhe me çka shoh e dëgjoj, ky nuk është vetëm mendimi im.

Basha po e katandis PD kokoshi një thelë, duke larguar e përjashtuar këdo që flet hapur, pa hezitim, pa frikë, tipare këto të një demokrati qëndrestar. Kjo është tipologjia e demokratit për të cilën ne jemi shfaqur krenarë. Mendimi ndryshe është identiteti ynë. Kjo na veçonte nga kundërshtari politik, ku tipar është uniformiteti i mendimit. Unë kam bindjen se Basha po e denatyron PD, dhe kjo është më e rëndë se humbja.

Prandaj të shijojmë këtë moment lirie që Foltorja na dha për t’u shprehur. I drejtohem demokratëve të administratës së PD, të zyrave e selive tona: Mposhteni frikën e përjashtimit nga Basha. Dilni nga bunkeri i selisë. Jeni vëllezërit tanë dhe askush s’na ndalë të bashkohemi e të bëhemi më të fortë për një PD fituese.

Të mblidhemi në dt.11 dhjetor për të respektuar vullnetin e delegatëve tanë dhe këdo që kërkon të ndryshojmë veten për të ndryshuar Shqipërinë.

Historia ka treguar se liderët që komandojnë nga bunkeri, dalin prej tij të vetëvrarë. Demokratët e kanë bërë historinë në shesh. Kanë çbunkerizuar Shqipërinë. Nuk u shkon të futen vetë brenda.

Mblidhemi dhe kuvendojmë më 11 dhjetor. Për një PD më të fortë, më të bashkuar dhe më të hapur.