Mblidhet sot kryesia e PS-së për të shqyrtuar problematikën pas 30 qershorit në bashkinë e Shkodrës

433
Sigal

Kryeministri Rama mbledh sot kryesinë e PS-së

Pushimet mbaruan për mazhorancën, por klima është përkeqësuar për PS-në, pas votimeve të 30 qershorit, sidomos pasi u dëshmua se kryebashkiaku i Shkodrës ka pasur dënime penale, si edhe kryebashkiaku i Vorës është pranë dorëheqjes, pikërisht për fshehjen e rekordeve kriminale. Kryeministri Rama, dje ka mbledhur drejtuesit politikë të qarqeve të veriut në një takim të zhvilluar në Shëngjin, ku ka diskutuar mbi situatën në Bashkinë e Shkodrës, atje ku ende vijon të jetë në detyrë si kryebashkiake, Voltana Ademi. Referuar situatës në këtë bashki, raportohet se Rama ka kërkuar një reformim të thellë të administratës së bashkisë, edhe pse më parë kishte deklaruar se nuk do të ketë largime masive nga administratat e njësive vendore, që më parë drejtoheshin nga opozita. Por duket se Rama ka ndryshuar qëndrim dhe me tone të prera ka deklaruar se do të bëhet një ndryshim radikal. “‘Do iki çdo drejtor, me të mirë ose të keq. Janë të gjithë të mbaruar. Do të bëjmë një ndryshim radikal’ mësohet të ketë deklaruar Rama, ndërsa ka ngarkuar deputetin Luan Harusha për të ndjekur procesin. Në porositë e tij, Rama ka kërkuar që në postet kyçe në pushtetin vendor të emërohen vetëm gra, çka duket se ka si shkak frikën e Kryeministrit se mos të emëruarit e rinj mund të kenë probleme me ligjin e dekriminalizimit. Sot në orën 18:00 në selinë e PS, Rama do të mbledhë në një takim Kryesinë e PS-së. Sipas burimeve, në mbledhje do të ketë diskutime të rëndësishme, për kandidaturën e re të kryebashkiakut të Shkodrës, si edhe me qëndrimin ndaj kryebashkiakut të Vorës.