Mbledhja e Këshillit, ja si deputetja Hysi i kujton prokurores doktoraturën dhe përgjigja e saj

1075
Mbledhja e Këshillit të mandateve nuk kaloi qetësisht,. Mes deputetëve herë pas herë kishte tone të ashpra kundrejt prokurorëve. Në një moment deputetja Vasilika Hysi i kujton prokurores doktoraturën. Ndërsa Imeraj qetësisht i kthen përgjigje duke i kujtuar Hysit se dikur i ka dhënë mësim.

Hysi: E kam me prokuroren që ka mbrojtur doktoraturën, a do pranoni ju që në bazë të thënieve në gazetë, ende pa e lexuar materialin, të krijoni bindjen e mjaftueshme?
Imeraj: Nuk po e marr pyetjen si intimiduese, se në fakt më keni dhënë mësim. Nuk kemi ardhur këtu me dy mendje, as të dyzuar. Prokuroria ngre akuzë, është gjykata që del me vendim përfundimtar. Kjo nuk lidhet me atë çfarë mendoj unë, por me atë të grupit hetimor. Nuk është pak që të kapen 3.5 ton lëndë narkotike në territorin italian, as pak 4 ton në territorin tonë. (Ka ndërhyrje nga anëtarët, zhurmë) Ruçi: Deputet, të lutem mos i ndërhy prokurores! As palës mbrojtëse. Imeraj: Lënda narkotike që është sekuestruar pa i hyrë detajeve të tjera për kanabizimin e gjithë territorit të Shqipërisë, i qëndrojmë kërkesës së bërë.

Vasilika Hysi: Thoni se Tahiri ka përdorur makinën e tij në katër raste dhe se shoqërohej nga të dyshuarit. A keni prova për këtë? Që ka qenë i shoqëruar nga subjektet e tjera? A është hetuar kjo çështje në 2014-ën apo në 2016-ën?
Imeraj: Informacioni që Tahiri ka përdorur mjetin e shitur në 2013-ën të Artan Habilaj, ka qenë në dispozicion të prokurorisë edhe më përpara se ne t’iu drejtoheshin ju me këtë kërkesë. Pra, kjo nuk përbënte vepër penale sipas legjislacionit tonë. Por bisedat që prezantojnë subjektet e dyshuar dhe detajet e marra në këto biseda dhe sekuestrimi i vazhdueshëm i lëndëve narkotike në Itali apo te bashkëpunëtori i Habilajve, Armand Koçerri, krijojnë faktin penal dhe dyshimin e arsyeshëm. Hyrje-daljet e Tahirit me mjetin rezulton i pasqyruar në TIMS. Pas shitjes së mjetit të në datën 5.11.2013, të ketë udhëtuar 4 herë të tjera me të njëjtin mjetin. Në momentin e kthimit Artan Habilaj është kthyer me subjektin Saimir Tahiri.
Prokurorja, deputetëve që kërkojnë provat kundër Tahirit: Nuk janë pak 3.5 ton drogë
Përpjekjet e vazhdueshme të deputetëve socialistë për të zhvlerësuar provat e prokurorisë kundër Saimir Tahirit morën përgjigje nga prokurorja Elisabeta Imeraj. Në fillim ishte Ulsi Manja që zhvlerësoi dyshimet e prokurorisë, që sipas tij bazoheshin në shkrimet e mediave dhe portaleve të opozitës. Më pas Vasilika Hysi që pyeti direkt prokuroren, nëse ia vlenin apo jo provat që kishin deri tani prokurorët për arrestimin e Saimir Tahirit.

Në këtë moment, prokurorja Elizabeta Imeraj ka ngritur zërin duke iu drejtuar deputetëve të PS-së. “Nuk është pak të kapen 3.5 ton drogë në Itali. Nuk është pak të kapen tonelata me drogë në Itali. Për të mos i hyrë fakteve për kanabizimin e të gjithë territorit. Për këtë arsye ne e gjejmë të arsyeshme kërkesën që kemi bërë” u shpreh Imeri duke ia përplasur në fytyrë deputetëve të PS-së përfshirjen e Tahirit në trafikimin e një sasie ka të madhe droge. E ngacmuar sërish nga socialistët që kërkonin prova për arrestimin e Tahirit, Elisabeta Imeraj tha se kishte kërkuar që në fillim që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura dhe që deputetët të nënshkruanin deklaratën për ruajtjen e sekretit. Në rast të kundërt, ajo la të kuptohej se nuk mund të publikonte të dhëna konfidenciale që dëmtojnë hetimet. Deklaratat e Elisabeta Imerajt kanë shkaktuar sërish pakënaqësi mes socialistëve.
Sigal