PS dhe PD bashkuan votat në Kodin Zgjedhor duke hequr çdo pagesë për diasporën që do të votojë. Deputetet shkarkuan Këshillin Drejtues të RTSH.
Kur na ndajnë vetëm 3 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike bashkuan sërish votat në Kuvend dhe miratuan ndryshimet të reja në Kodin Zgjedhor me qëllim lehtësimin e votës së diasporës, por jo vetëm.
Por, çfarë parashikojnë këto ndryshime që morën 108 vota pro? Pika më e rëndësishme e këtyre ndryshimeve është që diaspora nuk do të paguajë asnjë lek për votën. Të paktën për këto zgjedhje, shteti do të paguajë edhe koston e kthimit të votës së diasporës në Shqipëri. Ndryshimet do futen menjëherë në fuqi dhe pritet të alokohet edhe fondi që do të mbulojë pagesën për kthimin e votës se diasporës. Propozimi i PD që të votojnë edhe ata emigrantë me dokumente të huaja nuk ishte pjesë e këtij drafti, por kërkesa do t’i kalojë Komision Rregullator të KQZ, nëse do mundet të gjejë zgjidhje. Me ndryshimet e reja, afrohen afatet për regjistrimin e partive e kandidatëve më 12 mars nga 22 mars që ishte më parë, me qëllim që KQZ të prodhojë më shpejt fletën e votimit, për ta dërguar në kohë në diasporë. PD ka arritur një prej kërkesave të saj, që vota e diasporës që do të mbërrijë në KQZ të mos votohet nga komisionerë, por nga anëtarë të zgjedhur nga vetë politika. Komisioni për numërimin e votës së diasporës do përbëhet nga 4 anëtarë dhe Sekretari që emërohen nga KQZ. Dy prej anëtarëve propozohen nga shumica parlamentare dhe dy nga pakica, ndërkohë që sekretari i komisionit do përzgjidhet në bazë të aplikimeve të lira në KQZ, por duhet me patjetër të jetë në profesion jurist. Kuvendi miratoi edhe një pikë të kërkuar nga KQZ, për të ndryshuar afatet e ankimimit në gjykatë për votuesit nga Diaspora që kërkojnë regjistrimin në listën zgjedhore. Ndryshimet e reja përcaktojnë një afat kohor “deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve” për ankimimin në gjykatë të votuesve nga jashtë, nga afati 7 ditor që ishte më parë.
Kuvendi shkarkon nga detyra të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së
Kuvendi i Shqipërisë ka shkarkuar nga detyra të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së.
Gjatë seancës së sotme, Kuvendi shkarkoi me shumicë të thjeshtë votash të 11-të anëtarët e Këshillit, duke filluar nga Gëzim Podgorica, deri te Milena Selimi.
Gëzim Podgorica – 89 vota pro, 5 abstenim, 4 kundër
Genc Përmeti – 91 vota pro, 0 abstenim, 4 kundër
Leka Bungo – 95 vota pro, 5 abstenim, 3 kundër
Albert Minga – 88 vota pro, 6 abstenim, 6 kundër
Ardita Reçi – 92 vota pro, 3 abstenim, 3 kundër
Dionis Papadhimitri – 92 vota pro, 3 abstenim, 2 kundër
Edmond Tullumani – 96 vota pro, 1 abstenim, 3 kundër
Engjëll Ndocaj – 94 vota pro, 4 abstenim, 4 kundër
Ilir Keko – 89 vota pro, 3 abstenim, 11 kundër
Mevlan Shanaj – 64 vota pro, 12 abstenim, 15 kundër
Milena Selimi – 93 vota pro, 3 abstenim, 4 kundër
U shkarkuan nga Kuvendi/ Shpallen vakancat për anëtarët dhe kryetarin e Këshillit Drejtues të RTSH
Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, kryetarja e këtij komisioni, Ina Zhupa shpalli 11 vakancat për anëtarët dhe kryetarin e Këshillit Drejtues të RTSH.
Zëvendëskryetarja e komisionit, Evis Kushi, propozoi 10 ditë afat për kandidatët e rinj që do të dorëzojnë kandidaturat, në mënyrë që RTSH të mos mbetet pa këshill drejtues për një afat të gjatë, në mënyrë që të funksionojë siç duhet dhe të mund të zgjedhë drejtorin e ri të përgjithshëm.
Kushi propozoi që mandati i Këshillit të ri Drejtues të RTSH të mos jetë mandat plotësues, por të jetë një mandat i plotë 5-vjeçar.
Ina Zhupa i vlerësoi të logjikshme kërkesat e Evis Kushit dhe shtoi se anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të RTSH të mos e shohin veten si imunë, për faktin se do të marrin një mandat të plotë, por të shohin rastin e paraardhësve për të qenë të përgjegjshëm duke respektuar ligjin dhe interesin publik.
Komisioni votoi unanimisht pro afatit 10-ditor të paraqitjes së kandidaturave për KDRTSH, ndërsa me shumicë votash u votua edhe për mandatin e plotë të këshillit të ri.
Shpallja e vakancave u mor pas shkarkimit të anëtarëve të mëparshëm, gjithashtu edhe të kryetarit të Këshillit Drejtues të RTSH, të cilët në bazë të një raporti të paraqitur në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, janë gjetur me shkelje të rënda dhe të përsëritura.