Mbi 150 mijë protestues do mblidhen para kryemnistrisë

527
Sigal

Mijëra banorë të Tiranës, nga mbarë Shqipëria dhe emigrantë do të protestojnë sot në orën 11.00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër korrupsionit, varfërisë dhe padrejtësisë. Rama nga Berati: Nuk dorëhiqem! Deputetët francezë apelojnë: “Qytetarët duhet t’i marrin në dorë fatet e tyre!”

1600 efektivë në gatishmëri, kamera sigurie, drone dhe autobote me ujë. Kryeministria rrethohet me tela me gjemba

Mbi 150 mijë protestues sot do të mbushin rrugët e Tiranës. Njëkohësisht do të ketë protesta edhe në qytetet e tjera të vendit

Jakup B. GJOÇA

Sot Tirana do të gdhihet në protestën më të madhe, pas viteve 1991. Më shumë se 150 mijë vetë do të protestojnë përpara kryeministrisë, duke pasur vetëm një qëllim: Largimin e kryeministrit Rama, shpërndarjen e parlamentit dhe zgjedhje të reja të parakohshme. Protesta do të fillojë në orën 11 përpara kryeministrisë. Mirëpo, më herët, të gjithë protestuesit, do të grumbullohen përpara sheshit “Skënderbej” dhe tek selia e PD-së e më vonë bashkërisht do të drejtohen përpara kryeministrisë. Njëkohësisht, sikurse bëjnë me dije burime të mirinformuara pranë opozitës, protesta do të zhvillohen edhe në qytetet kryesore të vendit, sikurse në Durrës, Shkodër, Elbasan, Korçë, Fier, Vlorë, duke paralizuar gjithë vendin. Është dhënë udhëzime nga PD-ja, që të filmohen dhe të regjistrohen të gjithë emrat e drejtuesve të policisë së Shtetit, si edhe ata policë që do të ushtrojnë kërcënime, terror, dhunë ndaj qytetarëve që duan të vijnë nga rrethet në Tiranë dhe ata që vendosin gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve, në mënyrë që kur Opozita të vijë në pushtet, t’i çojë të gjithë këta përpara gjyqit dhe t’i largojë nga Policia e Shtetit për shpërdorim detyre.

Pa opozitë, nuk mund të ketë normalitet parlamentar

Nuk ka ndodhur në asnjë vend postkomunist, në asnjë vend tjetër jo komunist, që të ketë normalitet parlamentar pa opozitë në Parlament. Opozita parlamentare shqiptare është larguar përfundimisht nga Parlamenti. Sistemi ynë elektoral, bazohet në votimin e listave të partive dhe jo të deputetëve. Kështu që, kur Partia e ka dorëzuar vullnetin e saj politik nga parlamenti, kurrsesi nuk mundet që asnjë kandidat të marrë mandatin e deputetit, derisa ai nuk është votuar nga elektorati. Gjithashtu, asnjë parti tjetër nuk mund të marrë mandat deputeti nga lista e partisë tjetër, kur ato nuk kanë qenë në koalicion parlamentar. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese, e bën edhe më të pamundur normalitetin parlamentar, duke mbushur karriget bosh me persona, që thjesht janë në fundin e listave të partisë, që ka dorëzuar mandatet e deputetëve.

Përplasje civile?

Mazhoranca, e cila është përgjegjësja kryesore e funksionimit të parlamentit, jo vetëm që e shpërfill mungesën e opozitës në Parlament, por, duke shfrytëzuar edhe mungesën e Gjykatës Kushtetuese, po emëron ajo opozitë të re, me disa kandidatë listash, duke injoruar edhe vullnetin e elektoratit të Djathtë i cili është tashmë në rrugë e sheshe duke protestuar. Kjo sjellje e mazhorancës, nga njëra anë, duke injoruar standardet e Demokracisë, derisa nuk shpërndan parlamentin dhe të bëjë zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare dhe nga ana tjetër, protestat e opozitës, mund të përkeqësojnë ngjarjet, edhe deri në përplasje civile të palëve kundërshtare politike.

1.600 policë përballë 150.000 protestuesve

Protesta e opozitës ditën e shtunë, ka bërë që Policia e Shtetit të mobilizohet me të gjitha forcat e saj. Mësohet se do të jenë rreth 1200 efektivë sikurse RENEA, FNSH, forcat e rendit dhe forcat operacionale pritet të vendosen që në orët e para të mëngjesit pranë Kryeministrisë. Policia do ta mbajë të rrethuar godinën e Kryeministrisë, duke mos lejuar protestuesit që të afrohen. Do të jenë disa kordonë policore që do vendosen në Bulevard, ndërkohë që nuk do lejohen protestuesit që të dalin në nga krahu i Piramidës. Në tarracën e Kryeministrisë do të ketë efektiv të cilët do të hedhin gaz lotsjellës nëse do të jetë e nevojshme. Policia do të filmojë me kamera të posaçme protestën dhe këto kamera do të vendosen tek Kryesia e Kuvendit, tek kullat dhe te Hotel “Rogner”.

1600 efektivë në gatishmëri, kamera sigurie, drone dhe autobote me ujë

Të paktën 1600 efektivë policie do të jenë nesër në terren të mbështetur nga disa qindra agjentë civile. Në ndihmë të efektivëve do të vendosen kamera sigurie, drone si dhe automjete me ujë që në raste ekstreme do të përdoren për të shpërndarë turmën. Për sa kohë do të zhvillohet protesta nga rruga ‘Ismail Qemali’, ‘Ibrahim Rugova’, të cilat kanë lidhje me bulevardin, deri tek Presidenca do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i mjeteve.

Deputetët francezë në Tiranë: Nuk ndërhyjmë në çështjet e brendshme!

Dy deputetët francezë Jacques Maire dhe Liliana Tanguy ndodhen në Tiranë për të diskutuar me palët politike, për procesin e integrimit të Shqipërisë, dhe për çeljen e negociatave në qershor. “Kemi ardhur për të diskutuar edhe për situatën politike. Është e rëndësishme të kemi diskutime nga afër dhe do kemi diskutime më të detajuara pas zgjedhjeve evropiane. Kemi ardhur për të përforcuar bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Kemi pasur takime edhe me opozitën dhe me qeverinë dhe e kuptojmë qëndrimin e secilës parti. Nuk duam të ndërhyjmë në debatin e brendshëm shqiptar. Duhet konsensus edhe nga ana e publikut. Nuk mendoj se përgjigja është kur Franca do të thotë ‘po’, por kur do të jetë gati Franca për t’u shprehur. Se kur Franca do të jetë e gatshme të thotë, se kur Shqipëria do të jetë pjesë e BE, nuk është një risi, por është një pikë shumë e rëndësishme. Nëse zgjerimi do të ishte diçka për të frikësuar qytetarët për zgjerimin e BE, edhe kjo mund të ndodhë. Përpjekja jonë është letra e Macron, kjo do të thotë që të kemi një komision të ri, një parlament të ri dhe një këshillë të re gjithashtu, një shumicë progresiste në Evropë, sepse po të kemi një mazhorancë të ekstremit të djathtë do të kemi më shumë probleme në Evropë”- tha deputeti francez Jacques Maire.

BE e SHBA thirrje për vetëpërmbajtje para protestës së opozitës

Ambasada e SHBA dhe përfaqësia e BE ritheksuan dje kundërshtimin për djegien e mandateve nga opozita, ndërsa bënë thirrje për protestë paqësore, duke u kërkuar mbështetësve të opozitës të frenohen nga “nxitja apo kryerja e veprimeve të dhunshme, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës publike”. Po ashtu ato mbështesin vendimin e kandidatëve në listat e PD dhe LSI për të zënë vendet e lëna bosh në parlament. Delegacioni i BE në Tiranë ndërsa thekson rëndësinë “e të drejtës themelore të të gjithë qytetarëve shqiptarë për të demonstruar”, bën thirrje që protesta të jetë paqësore. “Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme.

Basha: Ndërkombëtarët të mos jenë palë me partitë politike

Kryetari i PD-së Lulzim Basha iu përgjigj deklaratave të ambasadës së SHBA dhe BE në Tiranë, duke u përgjigjur, që përfaqësitë diplomatike të partnerëve ndërkombëtarë të mos bëhen palë me partitë politike dhe për opozitën nuk ka më kthim mbrapsht, derisa populli të marrë pushtetin. Lulzim Basha: Ka nisur tashmë rrugëtimi jo vetëm përmes protestave por edhe përfshirjes së elitës intelektuale, sipërmarrjes, studentëve dhe gjithë shoqërisë shqiptare. Asnjëherë nuk komentoj deklaratat e ambasadave, por kërkoj që të mos jenë palë me asnjë parti politike, por me vlerat demokratike dhe evropiane kundër blerjes së votës, kundër dhunimit të demokracisë, kundër krimit të organizuar. E vetmja mënyrë është protesta për të treguar se duhet ndalur e keqja.

Basha për deputetët e rinj: U shitën e u blenë si bagëti në pazarin e Milotit!

Në takimin me studentë e pedagogë në Durrës, kreu i PD-së Lulzim Basha ka folur për deputetët e rinj në Parlament, që morën mandatet e djegura të PD-së e LSI-së. Basha: Shikoni si i trajton deputetët, si bagëti që shiten e blihen si në pazar të Milotit. A ka shenjë më të qartë të degradimit të këtij pushteti, sesa shit-blerja, e të ashtuquajturve deputetëve të opozitës së re si të ishin bagëti. Ky sistem ka marrë fund.

Kryemadhi i përgjigjet Ramës: Mos guxo të fyesh Zotin që mbron shqiptarët!

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i ka kthyer përgjigje kryeministrit Rama për batutat e përdorura prej tij në takimin e djeshëm në Berat, i cili ironizoi shenjtorët e besimit bektashian. Kryemadhi: Prandaj i bëj thirrje Edi Ramës, kudo shkoftë në vende të krishtera apo myslimane, apo edhe bektashi të Mos ironizojë dhe mos përmendë emrat e të shenjtëve mbi të cilët shqiptarët kanë ngritur besimin në atdhedashuri, sepse mallkimi i tyre do të bjerë mbi kokën e tij dhe ai nuk do ta shpaguajë dot, jo në këtë jetë, por as në jetën tjetër. Do të lutemi në Zot që të na shpëtojë fëmijët nga trafiku i drogës, do të lutemi në Zot që të na shpëtojë fëmijët nga krimi, nga varfëria, nga injoranca dhe nga intimidimi i grupeve kriminale. Do të lutemi në Zot për një Shqipëri të lirë dhe për një Shqipëri të begatë.