“Mbështetje të plotë për fermerët”, Kryemadhi: Investim 200 mln euro në vit për të ulur kostot e inputeve bujqësore dhe naftës

198
Sigal

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi thotë se me ardhjen në qeveri të opozitës, fermerët do të kenë mbështetje të plotë.  Në një videomesazh, Kryemadhi shprehet se bujqësia, blegtoria, agropërpunimi janë sektorë kryesorë ekonomikë që sjellin cilësi jete, mirëqenie dhe vende pune.

Kryemadhi premton se kur të vijnë në pushtet, do të investojnë rreth 200 milionë Euro në vit për të ulur kostot e inputeve bujqësore dhe të naftës.

Gjysma e shqiptarëve jetojmë me bujqësi. Shumë prej tyre janë në kufijtë e mbijetesës. Ndërkohë që shqiptarët shpenzojnë rreth 80 % të të ardhurave të tyre për ushqim. Ndërkohë që sigurojnë me prodhimin vendas rreth 30 % të nevojave për ushqime.

Me planin tonë, kjo situatë do të ndryshojë.

Fermerët shqiptarë do të mbështeten drejtpërdrejt për të rritur prodhimin. Rreth 200 milionë Euro në vit do të investohen për fermerët për të ulur kostot e inputeve bujqësore dhe të naftës, do të mbështeten për njësi prodhimi. Mbështetje direkte do të ketë për çdo bagëti të imët apo gjedh të lindur dhe të therur, për çdo zog dhe shpend për mish, që shqiptaret të ushqehen me prodhimet Made in Albania, e jo t’i ushqejë bota.

Do të vendosim TVSH 0 % në gjithë zinxhirin e prodhimit dhe do të mbrojmë prodhimin vendas, që shqiptarët të hanë më mirë e më lirë.

Do të mbështesim industrinë ushqimore dhe do të hapim qindra vende pune. Ne e mbajmë fjalën”, thotë Kryemadhi.