Maxhoranca i heq Presidentit  (edhe) kompetencat për emërimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë

446
Sigal

Gati Projektligji  i ri i maxhorancës për emërimet në  Gjyqësor 

Një nga ngërçet e pazgjidhshme të politikës shqiptare në dekadat e fundit kanë qenë kompetencat ( jo të qarta kushtetuese) të Presidentit dhe Kuvendit për emërimet në sistemin e Drejtësisë, dhe më konkretisht, në KLD dhe në Gjykatën e Lartë.

Konfliktet

Deri tani kjo maxhorancë ka rrëzuar 3 herë dekretet e Presidentit Nishani (vetëm) për emërimet në Gjykatën e Lartë. Kështu ka ndodhur edhe me (ish) Presidentin Moisiu dhe (ish)kryeministrin Berisha për  (mos)shkarkimin e kryeprokurorit Sollaku. Po kështu, konfliktet e (ish)Presidentit  Topi me Berishën, për (mos)shkarkimin e kryeprokurores Rama dhe (mos)shkarkimin nënkryetarit të  KLD-së Kreshnik Spahiu. Pa përmendur paskëtaj konfliktet për emërime anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, por edhe për gjykatat e niveleve më të ulëta.

Projektligji për heqjen e kompetencave të Presidentit

Maxhoranca e Majtë edhe pse ka shumicën e cilësuar në Kuvend është shpërfillë tërësisht nga Presidenti Nishani për të dhënë edhe ajo mendim apo përzgjedhje në emërimet e anëtarëve në Gjykatën e Lartë, në ndërkohën pas 23 Qershorit 2013. Sikurse është reforma për KLD dhe ligji i Antimafias, ku në këto ligje parashikohen shkurtime të kompetencave të Presidentit në emërime në KLD etj, reagimi politik i maxhorancës, ka qenë rrëzimi 3 herë rresht  në Kuvend i dekreteve të Presidentit Nishani për emërimet e anëtarëve në Gjykatën e Lartë. Ndaj, maxhoranca e Majtë,  për t’i hapur udhë ndryshimeve ligjore, për t’i dhënë fund ngërçit mes Presidentit dhe Kuvendit. Mazhoranca ka gati projektligjin me 6 nene për ndryshmet në ligjin për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, që kanë në themel procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve të lartë.

Propozimi

Shumica propozon ngritjen e Këshillit për Emërimet në Gjykatën e Lartë, i cili do bëjë verifikimin e përmbushjes nga kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të kushteve ligjore dhe kritereve objektive e shtesë, si dhe renditjes së tyre. Ai krijohet si organ këshillimor për Presidentin e Republikës dhe do të funksionojë pranë Gjykatës së Lartë.

Kjo pritet të jetë pika më e debatuar gjatë diskutimeve të projektligjit, pasi cënon kompetencat e Presidentit të Republikës. Projektligji parashikon që të sanksionojnë me ligj detyrimin që Presidenti i Republikës, brenda 2 javëve nga marrja e njoftimit nga kryetari i Gjykatës së Lartë për vendin vakant të krijuar në këtë gjykatë, të njoftojë fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve. Më pas, brenda 5 ditëve nga dita e publikimit të listës së kandidatëve, kryetari i Gjykatës së Lartë duhet të thërrasë mbledhjen e Këshillit për emërimet që harton raport për secilin nga kandidatët. Mbi bazë të këtij raporti, kreu i shtetit zhvillon konsultime me kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvend për përzgjedhjen e kandidatëve. Procesi i konsultimit duhet të synojë të garantojë një përzgjedhje të përshtatshme dhe konsensuale mes kandidaturave që plotësojnë kushtet ligjore dhe kriteret objektive dhe shtesë, por duke folur për emra konkretë. Projektligji me 6 nene, përcakton edhe kritere të veçanta për kandidatët për anëtarë të gjykatës së lartë, sipas një morali të lartë, si dhe transparencën e plotë të aseteve dhe pasurisë së tyre.

Avokat  Idajet Beqiri: “ Këshilli i Emërimeve të jetë institucion i pavarur”

Jam në dijeni të një projektligji të tillë, që parashikon ngritjen e Këshillit të Emërimeve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Mirëpo, ky këshill duhet të jetë një institucion i pavarur kushtetues më vete dhe jo i parkuar në Gjykatën e Lartë. Ky institucion i pavarur kushtetues, sikurse edhe KLD-ja, do të merret me vlerësimin e kandidatëve të mundshëm, dhe paskëtaj, do të japë edhe renditjen e tyre, sipas meritokracisë. Presidenti do të jetë i detyruar  që grupeve të interesuara dhe grupeve parlamentare t’u japë emrat e kandidatëve sipas kësaj liste renditëse që është vlerësuar nga ky Këshill i Emërimeve, dhe jo renditje nuk mund të kapërcehet nga dëshirat e kriteret  të preferencave politike. Në këtë Këshill të Emërimit, që duhet të jetë institucion i pavarur kushtetues, duhet të jenë anëtarë edhe personalitete akademike, edhe ish anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, etj. Mund të ketë kufizim të kompetencave të Presidentit nga ky Këshill i Emërimeve, por në kushtet konkrete të Shqipërisë, ku interesat partiake dominojnë në emërimet në Drejtësi, kjo reformë është e dhimbshme për dikë, por shumë shpresëdhënëse për shumicën që kërkojnë drejtësi për shumicën.