Mashtrimi, tallja dhe vjedhja e një populli duhet të ketë ndëshkim shembullor

54
Sigal

Nga Erisa Xhixho

Përditë e më shumë kryeministri pseudo i majtë, pseudo social, pseudo humanist, e ka zhvendosur tashmë vëmendjen në një fushatë shoë vaksinimesh kundër koronavirusit, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë e ka kaluar prej kohësh jashtë vëmendjes informimin lidhur me situatën aktuale të pandemisë në vend.

Edhe pse çdo familje tashmë është përballur apo përballet me rrezikun e madh që i kanoset nga virusi, për të cilin duhet t’ia dalë me kursimet e jetës apo me para të marra borxh, çdo ditë që vjen ul numrin e testimeve në popullatë. Testime që sigurisht secili duhet t’i paguajë nga xhepi, sepse nëse pret shtetin, virusi ka bërë shumë dëme!

Duket qartë se kryeministri, të cilit i është mbushur mendja se ia merr për njohuri edhe mjekëve e çdo eksperti, ka zgjedhur një mënyrë djallëzore të “kontrollit” të pandemisë, atë mes mashtrimit dhe manipulimit të shifrave. Një lojë kjo e kuptuar nga kushdo që është i hapur të lexojë e flasë me gjuhën e fakteve.

Duke mos qenë i zoti ta përballojë situatën me masa shëndetësore, ndihmë sociale, e mbështetje ekonomike, ai zgjodhi të fabrikojë të dhënat, duke shfarosur transparencën.

Nga 4 mijë apo edhe më shumë teste që kryheshin në janar dhe shkurt, ditët e fundit nuk numërohen më shumë se 2 mijë e pak teste. Arsyeja? Kushdo mund ta kuptojë, sa më pak teste, aq më pak raste dhe me shpresë, edhe më pak vdekje. Kuptohet aq sa raporton ministria, pasi secili mund të jetë dëshmitar për të afërm që i kanë ndërruar jetë pa mundur të mbërrijnë në spital.

Mënyra e blerjes së testeve pati shumë kontestime nga ekspertë të fushës, të cilën ngritën zërin për teste jo cilësorë, që shpesh prodhonin rezultatin negativ, por që rezultonte në shumicë herësh edhe fals.

Ka kaluar më shumë se një vit nga nisja e pandemisë në Shqipëri, kohë kur kryeministri na dilte çdo dy orë ekran më ekran duke na treguar se s’do kishim vend për varre, dhe pak muaj nga shifrat e fundit të nxjerra për vdekshmërinë, e askush nuk na ka sqaruar si është e mundur ajo shifër e madhe e të vdekurve, krahasuar me një vit më parë.

Aq sa analizuesit e shifrave folën jo vetëm për rritjen e vdekshmërisë në vend, por për rekorde historike të larta të saj. Në 12 muaj, nga prilli 2020 në mars 2021, gjithsej në vend janë regjistruar rreth 32.2 mijë jetë të humbura, nga 21.7 mijë në të njëjtën periudhë 12 mujore të vitit të mëparshëm, me rritje prej rreth 48%. Pra, në total janë mbi 10 mijë vdekje shtesë në vend, që nga periudha e fillimit të pandemisë (sipas raportimit të fundit të Monitor).

Kujt i faturohet ky kapërcim i frikshëm në një kohë që nga kovidi janë raportuar 2,321 vdekje?  A kemi të bëjmë me fshehje të përmasës reale të pandemisë për të përmbushur kryeministri suksesin e tij të ëndërruar? Në qoftë kjo, kush do të përgjigjet? Pse nuk vepron drejtësia? Në mos qoftë kjo, çfarë është dhe pse u shënuan mijëra të vdekur më shumë? Mos vallë mijëra shqiptarë u lanë pa shërbimet mjekësore të nevojshme, në panikun e luftës me armikun e padukshëm që shndërroi çdo pavijon në shërbim të kovidit duke lënë pa shërbime emergjencat e tjera?

Përpos se theksohet me bujë se numri i vaksinimeve ka kaluar 260 mijë, asnjë transparencë tjetër lidhur me vaksinat që po u injektohen shqiptarëve? Ata duhet ta marrin vetë riskun në sy teksa shkojnë të vaksinohen e pastaj dëgjojnë jo vetëm për pasoja të rënda, por edhe humbje jete. Edhe për këto askush nuk flet? Komiteti doli e tha se vaksina nuk bën magji për sëmundjet e tjera? Kush po e pretendon këtë? Për sa kohë vaksina kineze nuk është e certifikuar, por po aplikohet pasivisht duam të dimë, a po i gjurmon kush pasojat që mund të shkaktojë? Nëse vaksina kineze thuhet se është testuar në grup-moshën 18- 59 vjeç, me çfarë argumenti u rekomandohet edhe moshave të treta?

Pse AstraZeneca, përfshirë prej javësh nga një polemike masive në lidhje me efektet anësore e mungesën e testimeve në disa kategori moshash, në botë rekomandohet vetëm te personat mbi 60 vjeç, kurse këtu nuk ndodhi kështu?

Mos harrojmë edhe milionat e koncesioneve për “djegien” e fondit rezervë për blerjen pa asnjë transparencë të këtyre vaksinave gjithfarëshe. E mijëra “pse” të tjera, që duan përgjigje  jo nga Rama, por nga ekspertët, të cilët nuk po lihen të flasin.

Transparenca 100% nuk duket gjëkundi, njësoj si deklaratat, “jemi shumë më mirë nga shumë vende, madje edhe ekonomikisht”. Demagogji që të irritojnë, kur shifrat bërtasin për një ekonomi në humnerë.

Për të gjitha këto ka një përgjegjës, e për të gjitha këto përgjegjësi duhet ta paguajë. Më votën tuaj masive, jo vetëm si përgjigje se propaganda duhet hedhur në kosh, por edhe sepse mashtrimi, tallja e vjedhja e një populli duhet të ketë ndëshkim shembullor.

Shënim: Erisa Xhixho është nënkryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherësh dhe kandidate e kësaj partie për deputete në Qarkun e Tiranës.