Marsi i Ilir Metës dhe rilindja e vërtetë!

141

Nga Miranda Rira

Po bëhen rreth 7 vjet qëkurse partia socialiste qeveris vendin, por shqiptarët janë gjithnjë e më të zhgënjyer, gjithnjë e më të pashpresë!

E ardhur në pushtet me një program politik që nuk ishte vetëm i bukur për të qenë i vërtetë, por edhe madhështor për nga premtimet, nga esenca, nga idetë, kryeministri Rama fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2013! Gjetja ishte gjeniale, ai e quajti “Rilindje” programin e vet politik duke e vënë në shëmbëlltyrë me rolin dhe rëndësinë e Rilindjes Kombëtare!

Zhvillim ekonomik, rilindje të fshatrave, një Shqipëri Europiane, shërbime publike, shtet të së drejtës… këto ishin disa nga premtimet e tij!

Por këto premtime boshe jo vetëm që nuk u realizuan, për më tepër ato zhgënjyen të gjithë ata/ato që i besuan kësaj fantazme politike. I vërtetë rezulton postulati se ato premtime nuk u përmbushën as në atë mandat të 2013-ës dhe as në mandatin e dytë qeverisës. Në vend të fshatrave të rilindur, kjo qeverisje boshatisi deri në pikëllim, shtëpitë dhe lagjet e fshtrave shqiptare ku shumica e popullisë së mbetur, janë mosha e tretë, sepse rinia mori rrugët e emigrimit për punësim sezonal në Gjermani apo Austri.

Rilindja e Ramës, përtej dështimeve dhe zhgënjimeve, nuk pati asgjë të përbashkët me Rilindjen kombëtare. Rilindja kombëtare nga pikëpamja historike shënon përfundimin e periudhës së Mesjetës. Ajo ishte një lëvizje e popullit shqiptar për clirimin e kombit nga pushtuesi osman. Rilindja e vërtetë kombëtare (jo kjo shtaterruesja), filloi rreth viteve 1830-1840 deri në vitin 1913, pra zgjati rreth 60-70 vjet. Në thelb te saj qëndronte ndërgjegjësimi kombëtar për gjuhën dhe kulturën kombëtare, pra cështja e bashkimit dhe e zgjimit kombëtar!

Ndërsa Rilindja e Ramës ka kryer tradhëtine më të madhe, atë të zbrazjes dhe largimit të shqiptarëve nga vatrat dhe nga vatani i tyre. Heroi romantik i Rilindjes ishte heroi luftëtar, njeriu i thjeshtë, bujku, fshatari, bariu, kurse heroi i Ramës mbetet oligarku, heroi i tenderave dhe i PPP-ve që vjedh miliont e eurove nga taksat e shqiptarëve.

Shkatërrimi i mjedisit, shkatërrimi i florës dhe u faunës, copëzimi dhe zhvatja e aseteve kombëtare ndërmjet skemës privat-publik, shpopullimi i Shqipërisë në një nivel shqetësues dhe të frikshëm, rritja e korrupsionit në cdo qelizë të administratës publike, koercioni social i shprehur në rritjen e kriminalitetit në familje dhe në shoqëri në tërësi, moshapja e negociatave dhe dështimi për marrjen e statusit të vendit kandidat, rrënimi ekonomik për biznesin e vogël ku mbi 30 mijë biznese të vogla deklarohen të mbyllura në QKB, dështimi i reformës territoriale dhe reformës në drejtësi, rënia e indeksit të demokracisë për shkak të vjedhjes së zgjedhjeve lokale të vitit 2019, këto dhe shumë dështime të tjera të Rilindjes, treguan dhe kalbëzimin e kësaj doktrine politike. Prandaj edhe zhgënjimi i shqiptarëve është shumë i madh.

Nëse i referohemi vetëm indeksit të demokracisë, për vitin 2020, do të vemë re se Shqipëria në krahasim me vitin 2019, zbret 3 vende më poshtë, pra klasifikohet si regjim(demokraci) hibrid(e), duke u renditur e 79-ta nga 167 shtete, një hap larg autoritarizmit duke lenë pas vende si Bangladeshi, Senegali, Moldavia, etj. “Ju votuat Rilindjen dhe rilindje do të jetë”,- u shpreh Rama në fjalimin e tij të parë pas zgjedhjeve të qershorit 2013.

Në fakt, të gjitha argumentat tregojnë të kundërtën. Kjo periudhë 7 vjecare shënon një nga periudhat më të vështira përgjtë periudhës postmoniste shqiptare. Tregues i qartë për këtë, është largimi masiv dhe shpopullimi i trojeve shqiptare. Shifrat e largimit dhe shpopullimit janë të frikshme. Eksodi i shqiptarëve është biblik, për nga përmasat dhe migrimi masiv i popullatës. Zhgënjimi për projektin dhe qeverisjen e rilindjes, është i jashtëzakonshëm. Largimi masiv i të rinjve shqiptarë, mbetet krimi më i madh i kësaj qeverie.

Por ka mbetur ende një pjesë e shqiptarëve që mendojnë se Shqipëria do të bëhet, se ende ka shqiptarëqë e duan këtë vend , edhe pse qeverisja e keqe politike ka atrofizuar cdo sferë të jetës sociale dhe ekonomike të vendit. Tubimi masiv i 2 Marsit, i thirrur nga Presidenti i Republikës, tregoi se pakënaqësia ndaj pushtetit që qeveris vendin, është e madh, se Rilindja nuk ishte gjë tjetër vecse një flluckë sapuni.

Gjithashtu, manifesitmi i 2 Marsit tregoi se ende ka shpresë dhe se ende ka shqiptarë që kanë zgjedhur të jëtojnë e të punojnë në atdheun e tyre. Por ama njerëzit duhet ta kenë kuptuar tashmë, se ata vetë kane në dorë fatin e tyre, ose të ngrihen për të mbrojtur të drejtat e tyre të shkruara në kushtëtutë por të mohuara nga regjimi despotik i Ramës, ose të largohen nga vendi. Unë shpresoj në premisën e parë. Rreth 100 vjet më parë, filozofi italian Vilfredo Pareto, në teorinë e tij të elitave, shkruante se njerëzit e shkruajnë vetë fatin e tyre historik.

“Shoqëria njerëzore është si një strukturë, si një kurbë që ka pikën e saj më të ulët, dhe pikën e saj më të lartë. Ata që ndodhen në fund të strukturës shoqërore, pra burrat dhe gratë vdesin nga uria. Nga mesi i kurbës, gjithçka është turbullirë dhe mjegullim, njerëz që bien dhe ngrihen, që ngjiten lart nga fati ose nga talentet e tyre dhe njerëz që bien nga alkoolizmi, tuberkulozi ose sëmundje të tjera. Në majë, qëndron elita e elitave, e cila kontrollon pushtetin dhe pasurinë për aq kohë sa kjo elitë nuk është hedhur poshtë nga ndonjë revolucion ose grusht shteti i ndonjë klase të re aristokratike. Natyra njerëzore është primitive, e paepur, egoiste. Më i forti, më i zgjuari, më mashtruesi, fiton, ndërsa i dobëti vdes urie”.