Greek Foreign Minister Nikos Kotzias, left, shakes hands with Albanian Minister of Foreign Affairs Ditmir Bushati prior to their meeting in Tirana, Wednesday, July 15, 2015. (AP Photo/Hektor Pustina)
Sigal

Prapaskenat, “Protothema”: Shqiptarët heqin dorë nga “Çamëria”, grekët nga “Epiri i Veriut”

 Shqipëria ka rënë dakort që të heqë dorë nga “Çamëria”. Gazeta greke “Protothema” shkruan një reportazh, ku zbardh pikat e marrëveshjes së Shqipërisë dhe Greqisë, ku më e rëndësishmja është, se të dy palët bien në ujdi, që të mos përdorin termat gjeografikë: “Vorio Epir” dhe “Çamëri”. “Zgjidhja është pjesë e një pakete që synon të “mbyllë 100 vjetët”, siç tha Nikos Kotzias dhe pritet të njoftohet se do të shpallet në korrik. “Një nga çështjet kyçe dhe të vështira të negocimit është heqja e irracionalitetit. Për këtë qëllim, të dy vendet duket se kanë rënë dakord të “shmangin referencat dhe identifikimet gjeografike që potencialisht mund të stimulojnë pasionet midis dy popujve”. Në veçanti, pala greke tashmë ka rënë dakord të heqë referimin e termit “Epiri i Veriut”, duke pranuar pretendimin e shqiptarëve se ai fsheh irredentizmin dhe prandaj duhet të hiqet. Nga ana e saj, Shqipëria do të braktisë termin “Çamëria”. Çështja Çame është histori, populli Çam ishte në tokën e vet, çamët kanë prona, kanë tapi, u është bërë padrejtësi historike, me gjenocidin e 1945-s, por kurrë Çamëria nuk mund të barazohet me “Vorio Epir”, që nuk ka ekzistuar kurrë, që minoriteti grek nuk ka pasur kurrë pronësi në territoret ku jetojnë. PDIU ka reaguar, me një postim në rrjete sociale të Shpëtim Idrizit, ku ndër të tjera thuhet: “Çamëria nuk shitet, nuk barazohet me Vorio-Epirin, nuk e negocioni dot. Çamëria zgjidhet nga burra shteti me dinjitet Kombëtar! Kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur transparencë nga Bushati, deri më sot na është përgjigjur Kotzias i majmur, i kënaqur dhe arrogant, se për Çamërinë nuk kemi biseduar e nuk bisedojmë. Kemi kërkuar zbatimin e “Rezolutës për Çamërinë”, na përgjigjen mediat greke se do barazohet termi Çamëri me Vorio-Epirin. Shoqata Çamëria dhe PDIU, do kërkojë në mënyrë të përsëritur dhe për herë të fundit takim urgjent me Z. Bushati, për të bërë transparencë dhe për t’i thënë dhe ministrit tonë të Jashtëm, që deri më sot ka folur boll me heshtjen e tij.