Marrëveshja e Ramës / Opozita e Bashkuar: Akt tinëzar prej frikacaku

322
Sigal

Opozita e bashkuar ka reaguar përmes një deklarate pas njoftimit se Kryeministri Edi Rama dhe opozita parlamentare nënshkruan një marrëveshje, ku sanskionohet se marrëveshja e 5 qershorit votohet më 23 korrik, ndërsa ndryshimet Kushtetuese më 30 korrik.

Opozita e bashkuar thekson se ndryshimi i njëanshëm Kushtetues për ndalimin e koalicioneve zgjedhore zhbën të dyja marrëveshjet politike për zgjedhjet, atë të 14 Janarit dhe atë të 5 Qershorit.

“Akti i sotëm është dëshmi e planit diabolik të Edi Ramës që të miratojë fillimisht për fasadë Marrëveshjen e 5 Qershorit, të vërë në lojë partnerët tanë strategjikë, SHBA dhe BE dhe vetëm 1 javë më vonë ta zhbëjë marrëveshjen me ndryshime të njënashme kushtetutese, që ndalojnë koalicionet si subjekt zgjedhor.

Edi Rama gënjen, kur thotë se po hap listat, sepse pjesën fituese të tyre, 1/3 e listës, e mban të mbyllur, duke dalë zbuluar se i vetmi qëllim është ai i ndalimit të koalicioneve si subjekt zgjedhor”, thuhet në deklaratë.

Opozita e bashkuar thekson se zhbërja nga Edi Rama i marrëveshjeve të 14 Janarit dhe 5 qershorit përbën një akt të rrezikshëm me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e vendit.

“Ky akt i paprecedentë në 30 vite pluralizëm është, po kështu, një thyerje e rëndë e besimit të partnerëve strategjikë SHBA dhe BE që u investuan, përshëndetën dhe vazhdojnë të insistojnë në zbatimin e Marrëveshjes së 5 qershorit pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që e shkatërrojnë atë.

Ky akt tinzar prej frikacaku tregon tmerrin e kryeministrit në ikje nga zgjedhjet dhe rotacioni i pashmangshëm. Opozita e Bashkuar garanton të gjithë qytetarët se do të bëjë gjithçka, që faturën e rëndë që ky akt sjell për demokracinë, stabilitetin dhe integrimin e vendit ne Bashkimin Europian, ta paguajë vetëm Edi Rama dhe jo Shqipëria e shqiptarët”, theksohet në deklaratë.