Marko Dajti: Brenda të majtës ka akoma ish-shërbëtorë të agjenturave të huaja, që janë profesionistë në përçarje

405
Sigal

Marko Dajti, si kryetar i Frontit të Majtë, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se qeveria e Ramës e filloi punën me tritol, ndaj këtu e ka shpjegimin edhe terrori i tritolit, krimi dhe droga. Madje, propaganda e Fugës, nuk mund ta shesë më sapunin për djathtë, ndaj kjo qeveri, thotë Marko Dajti, do të ikë, duke marrë 1 milionë shkelma. Marko Dajti e pohon që edhe e majta është e përçarë, sepse këtë e  bëjnë ish shërbëtorë të agjenturave të huaja. Dekriminalizimi i politikës, pohon Marko Dajti për gazetën “Telegraf”, do të bëhet me atë mënyrë, siç bëri Enver Hoxha në vitet 1945-46, që e pastroi politikën nga shushunjat.

-Zoti Dajti, ju si e shpjegoni që në të përditshmen e shqiptarëve, krimi, tritoli dhe droga janë bërë tmerri dhe pasiguria për jetën dhe pronën?

-Kur qeveria e Edi Ramës e filloi punën me tritol, çfarë pret nga ata që po e shikojnë tritolvënien si të vetmin vend pune të hapur nga qeveria. Faktori kryesor që nxit krimin është varfëria dhe papunësia. Njerëzit duan të jetojnë. Por laku në qafën e miletit po shtrëngohet përditë e më tepër nga ministra që të fusin në burg për vjedhje 20-mijë lekëshe dhe vetë martohen nëpër kështjella. Por njerëzit nuk janë budallenj. Kur shohin deputetë e ministra që punësojnë vetëm farefisin, kur shohin kryeministrin që i ulur “gju më gju me popullin” mashtron pa pikë turpi, propaganda e Endri Fugës nuk e shet dot sapunin për djathë. Njerëzit shohin xhepin dhe kur xhepi është bosh nuk ka CendriFugë që t’u mbushë mendjen se duhet të jenë të kënaqur. Habitem se si nuk kanë marrë sëpata e sfurqe për të dalë nëpër sheshe, por “nuk kemi parë gjë akoma”.

– Ju besoni që politika është e lidhur me krimin, duke marrë shkak edhe nga akuzat publike që janë aluduar?

-Padyshim që krimi ka lidhje me politikën. Politika është frymëzuese e krimit, e vrasjeve dhe grabitjeve. Por unë jam i bindur se më shumë se sa politikanët, janë politikat e një qeverie që nxisin krimin. Dhe këto prapësitë e qeverisë sonë janë nga më të padëgjuarat. Që nga reklamat me pallate të hedhura në erë “live”, nga “reformat” që përdorin mjete antiligjore dhe antipopullore, nga burgosjet me direktiva kryeministrore, pa bërë madje edhe ndryshimet në Kodin Penal. Shqiptarët e varfër futen në burg edhe për vjedhje të kryera në kushtet e varfërisë ekstreme, ndërsa kompanive të mëdha dhe koncesioneve që na ka lënë “peshqesh” Sali Berisha, nuk u ka hyrë deri më sot gjemb në këmbë.

– Besoni se politika jonë do të dekriminalizohet, pasi PD-PS bënë marrëveshje dhe ngritën edhe komision hetimor parlamentar?

-Dekriminalizimi i politikës shqiptare nuk bëhet me marrëveshje ndërmjet kriminelëve. Një marrëveshje për të mbrojtur “tullën” e Strazimirit, nuk e dekriminalizon politikën dhe as nuk e shpëton popullin. Dekriminalizimin mund ta bëjë vetëm ajo forcë politike radikale patriote, që do t’u marrin pushtetin këtyre dy partive dhe do ta pastrojë parlamentin dhe politikën siç bëri Enver Hoxha në vitet 1945-46, që e pastroi politikën shqiptare nga shushunjat që i kishin pirë gjakun popullit.

– Sa e majtë është politika sociale e maxhorancës së majtë?

-Është më pak e majtë se politika e Sali Berishës. Mjafton të shikosh përbërjen e parlamentit dhe do të konstatosh se pjesa më e madhe e deputetëve të majtë, në të vërtetë janë përfaqësues të biznesit të madh. Është absurde të cilësosh njerëz si Tomë Doshi, apo Koço Kokëdhima, si mbrojtës të interesave të shtresave më të varfra të popullsisë. Deputetët socialistë nuk mund të ndërmarrin asnjë reformë në shërbim të masave punonjëse, pasi në të vërtetë ata janë shfrytëzuesit e tyre, janë gjakpirësit e kohëve moderne. Të vetmet raste kur ata ngrenë dorën “si një grusht bashkuar” janë ato ligje, kur u merren të varfërve edhe leckat e trupit për të paguar borxhet, kur i burgosin për pak lekë vjedhje të shkaktuara nga varfëria, kur u marrin nëpër këmbë edhe atë pak nder e dinjitet që u ka ngelur. Masat shtrënguese që rëndojnë në kurriz të shtresave më të varfra nuk mund të quhen as politika sociale, as politika të majta.

– Përse nuk është e bashkuar e majta në Shqipëri?

-Sepse brenda të majtës ka akoma ish-shërbëtorë të agjenturave të huaja që janë profesionistë në përçarje. Praktikisht një lloj bashkimi u arrit me krijimin e Frontit të Majtë, me gjithë sabotimin që u bë nga disa elementë që filluan luftën për pushtet brenda partisë. A thua se posti i Kryetarit të Frontit u jepte pushtetin që kishte Rita Marko.

– Cilat janë ndasitë tuaja politike, midis jush?

–  Fronti i Majtë nuk është për rikthim në komunizëm. Kjo është e parakohshme. Ne jemi për një sistem demokratik në ekonominë e tregut, por me rregulla të qarta loje dhe me një politikë të theksuar sociale dhe në shërbim të interesave kombëtare. Ky është dallimi thelbësor në ide, në krahasim me forca të tjera të të majtës radikale, të cilat nuk jetojnë me realitetin, por me fantazi, nuk mendojnë si të konsolidojmë të majtën, por e konsiderojnë politikën si një vend pune. Nuk mund të ketë bashkim me njerëz që nuk punojnë për të ardhmen, por kënaqen duke kujtuar “kohët e arta” të Komitetit Qendror, duke pirë kafe me lekët e kuotave të anëtarëve. Të tillë “politikanë kafenesh” ka pasur gjithmonë Shqipëria, patriotë në tavolinë dhe të gatshëm për ta shitur në çdo moment.

– Përse populli nuk ka besim te asnjë politikë, se ajo do t’i ndryshojë për të mirë jetesën dhe do t’i japë shpresë?

Sepse populli e kupton shumë mirë se fjalët i merr era, ndërsa veprat mbeten. Asgjë nuk ndryshon në të mirë të tij, nëse nuk ndryshojnë ligjet që përligjin padrejtësinë.

– Ju si e shpjegoni që në Greqi populli përditë shpreh solidaritet me qeverinë e tij dhe pse kjo ndodh aty për herë të parë?

Populli grek për herë të parë në historinë e vet ka pasur një pushtet të drejtuar nga e majta radikale. Populli pa politikanë që firmosën që ditën e parë për 300 kilovatorë energji falas për çdo familje dhe rritje rrogash e pensionesh, populli pa ministra që nuk vinin në punë me automjete luksoze, por nuk bënin dallim nga qytetarët e thjeshtë, populli pa politikanë që qëndruan ballëlartë përpara Europës dhe nuk ulën brekët përpara Trojkës.

E majta në Shqipëri është Fronti i Majtë

– Cila është e majta në Shqipëri?  Ju kryesoni një Front të Majtë, që është kundër një maxhorance të majtë?!

 -E majta e vërtetë në Shqipëri sot përfaqësohet nga Fronti i Majtë. Në programin tonë për reforma, ne bazohemi në ruajtjen e pasurisë kombëtare, shtetëzimin e pasurive natyrore dhe shfrytëzimin e tyre në interes të popullit dhe për punësim. Ne kemi programuar shfuqizimin e ligjeve që mbrojnë interesat e politikanëve të korruptuar, të hajdutëve dhe kriminelëve dhe një paketë të re ligjore që të garantojë qytetarët e ndershëm në kuadër të një ekonomie të lirë të tregut. Në programin tonë thuhet qartë se energjia elektrike është një ndër resurset nga i cili duhet të përfitojnë të gjithë shqiptarët, prandaj çmimi i energjisë duhet të ulet dhe t’i afrohet kostos së prodhimit. Ne kemi programuar ringritjen e bankave të nivelit të dytë me kapital shtetëror që, jo vetëm do të garantojnë kursimet e shqiptarëve dhe konfidencialitetin e tyre, por edhe do të financojnë rimëkëmbjen ekonomike nëpërmjet kredive me interesa të ulëta. Në mënyrë të veçantë do të subvencionohen sektorët e industrisë së lehtë dhe ushqimore, të cilat kanë një traditë shumëvjeçare në Shqipëri dhe që u mbyllën në fillim të viteve ’90 për t’i hapur rrugën vërshimit të mallrave nga vendet fqinjë. Rimëkëmbja e këtyre sektorëve do të thotë rritje ekonomike dhe punësim për qindra mijëra familje shqiptare. Ne besuam se ideja jonë për këtë rimëkëmbje ekonomike ishte shumë e afërt me idenë e Ramës për rilindje të vendit, por gjatë këtyre kohëve në bashkëqeverisje, pamë se Rilindja rezultoi në një flluskë sapuni. Kërbaç për miletin dhe kulaç për kusarët, ndërkohë që duhet të ishte e kundërta.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA