Marko Bello: Jeremiç dëmton imazhin e OKB-së, duke rehabilituar krimet e luftës

451
Sigal

– Së pari, a mundet të pritet që nga ky debat,  duke u zhvilluar me iniciativën e Jeremiç, të ketë konkluzione objektive për historinë?

– Absolutisht jo! Vuk Jeremic ka kohë që ka veshur kostumin e sharlatanit politik dhe tani, në postin e Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, vetëm sa i ka dëmtuar imazhin organizatës më të madhe ndërkombëtare dhe ka turpëruar ato vende që mbështeten kandidaturën e tij. Zgjedhja e tij  dëshmon se sa e gabuar ka qenë ngutja e disa vendeve për ta mbështetur atë .

– Ky debat i organizuar nga Vuk Jeremiç, a është në konflikt të hapur interesi, ku Jeremic, si zyrtar i lartë i OKB-së, e shfrytëzon detyrën e vet për përfitime personale dhe të vendit të tij, në dëm të së vërtetës e përpjekjeve për të falsifikuar historinë?

 Kjo është një tjetër provë se si një zyrtar keqpërdor funksionin në një organizatë prestigjioze, në favor të interesave të ngushta të vendit të tij. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si një prej institucioneve më me peshë të OKB-së,  nuk mund të denigrohet, as të shantazhohet prej një politruku me mentalitet të mykur ballkanik. Sigurisht, Jeremicit dhe  Beogradit zyrtar nuk i ka pëlqyer aspak opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare i 22 korrikut 2010, sipas të cilit “vendimi i Kuvendit të Kosovës i 17 shkurtit 2008 për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare, as Rezolutën 1244 të OKB dhe as kornizën kushtetuese të UNMIK-ut”.

– A mund të përdoret OKB-ja si platformë e nacionalizmit serb, duke mundësuar zhvillimin e këtij debati?

Është kundër natyrës së OKB-së, që në ambientet e saj të organizohen veprimtari që bien ndesh me parimet mbi të cilat është themeluar vetë OKB-ja. Misioni i saj kryesor është të garantojë paqen dhe sigurinë në botë dhe jo të bëhet strehë e klithmave nacionaliste dhe luftënxitëse  të qarqeve serbe. Kujtoj se, para disa muajsh u kërkua zyrtarisht shkarkimi i Jeremicit dhe një peticion filloi të nënshkruhej nga qindra vetë, të cilët reaguan kundër sjelljes së papranueshme të Jeremicit, i cili ftoi në ambientet e organizatës një grup këngëtarësh nga Serbia, të cilët kënduan këngë me frymë të qartë shoviniste dhe luftënxitëse.

– Ky debat a e dëmton mirëbesimin në OKB si një organizatë që sipas Kartës së OKB-së, zhvillon marrëdhënie miqësore midis kombeve në bazë të  respektit  për parimin e të drejtave të barabarta e vetëvendosjes së popujve?

Sigurisht që, debate të tilla të stisura duhen penguar, mënjanuar dhe injoruar. Në të kundërt, ndaj tyre duhet reaguar me forcë. Tirana zyrtare, por edhe Prishtina duhet të mos i tolerojnë akte të tilla me prapavijë të qartë politike dhe frymë anti-perëndimore.

– A mund të shihet kjo si një mundësi e Serbisë për të përhapur agjendën nacionaliste serbe dhe njëkohësisht,  duke fyer rishtas viktimat e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Bosnje Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë?

Kjo pyetje meriton vëmendjen e duhur. Fatkeqësisht, sot Serbia ka rikuperuar mjaft nga terreni i humbur dhe ia ka dalë që në shumë raste të kthehet nga e akuzuar në akuzatore. E vënë me shpatulla pas murit dhe e treguar me gisht si shkaktare e luftërave në Ballkan në vitet ‘90, tani Serbia po sillet si viktimë e jo si agresore dhe e ndëshkuar nga historia. Harresa, neglizhenca dhe “zemergjërësia” e tepruar e popujve që paguan haraç të rëndë prej politikës shoviniste sërbomadhe, kanë bërë që sot Beogradi të reagojë, pa kërkuar më parë falje për qindra mijëra viktimat e pafajshme, një pjesë e të cilave nuk kanë as varr….Bota duhet të falë, por të mos harrojë….

– A mendoni se me këtë veprim, bie poshtë kritika greke dhe serbe për nacionalizëm? Bëhet fjalë për kritikat ndaj Berishës dhe AK-së.

Pavarësisht nga ndonjë kapërcim që erdhi, edhe për shkak të euforisë së kremtimit të 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria ka qenë dhe mendoj se do të mbetet shembull i një vendi paqedashës dhe kontribuues i sigurisë dhe fqinjësisë së mirë në rajon. Vendet e tjera përreth duhet ta çmojnë këtë qëndrim të Shqipërisë dhe duhet t’i vlerësojnë shqiptarët si tolerantë dhe fisnikë….Ne dimë të falim, por nuk duhet të harrojmë dhe tolerojmë përtej reciprocitetit dhe barazisë, në përputhje me parimet që garantojnë paqe, mirëbesim, interes reciprok…

– A mendoni se Shqipëria duhej të ishte më aktive në zgjedhjet që u zhvilluan në Mal të Zi dhe Maqedoni duke mbështetur faktorin shqiptar. Rasti i Strugës dhe disa qyteteve të tjera në Maqedoni tregon se të bashkuar maksimalizojmë votat dhe marrim drejtimin e komunave dhe bashkive?

Besoj se, shqiptarët e Malit të Zi dhe Maqedonisë  janë mjaftueshmërisht të pjekur politikisht dhe nuk kanë nevojë për receta. Zgjedhjet, sidomos në Maqedoni, dëshmuan se shqiptarët dinë të kapërcejnë dallimet ideologjike dhe të mbështesin njëri-tjetrin, përballë arrogancës dhe imponimit që kërkojnë qarqe të caktuara nga shumica maqedonase…Fitorja pas 70 vitesh në Kërçovë, por edhe fitoret në Strugë, Haracinë, Cair, Tetovë etj., janë fitore të vyera, që nderojnë të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë dhe punojnë ata….

– Faleminderit!

Kongresi Bosnjako-Amerikan, letër ambasadores së SHBA-ve në OKB

Ndër organizatat jo-qeveritare që kanë reaguar ndaj mbajtjes së këtij debati janë edhe Kongresi i Boshnjako-Amerikanëve të Amerikës Veriore dhe Këshilli Konsultativ për Bosnje-Hercegovinën, të cilët në një letër drejtuar ambasadores së Shteteve të Bashkuara pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Susan Rajs shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me atë që ata cilësojnë si agjendë e Jeremiçit në Kombet e  Bashkuara dhe në të njëjtën kohë shprehen se,  “Vuk Jeremiçi, si president i Asamblesë së 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, po vazhdon të përdorë Kombet e Bashkuara si një platformë të tijën për të përhapur agjendën nacionaliste serbe duke organizuar këtë debat dhe njëkohësisht është duke fyer rishtas viktimat e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci. Dokumenti “zyrtar” në lidhje me debatin që do të mbahet në prill, pritet të përmbajë pikëpamjet serbe mbi luftërat në ish-Jugosllavi, në kurriz të fakteve tanimë të mirë dokumentuara dhe të drejtësisë”. Boshnjako-amerikanët theksojnë, në letrën e tyre drejtuar ambasadores amerikane pranë OKB-së se, “rishkrimi dhe falsifikimi i historisë është prioritet i agjendës së nacionalistëve serbë”,  dhe njëkohësisht ata i bëjnë thirrje asaj, “Si shtetas amerikanë, por edhe si viktima të spastrimit etnik dhe të gjenocidit, që mohuesit e gjenocidit të mos lejohen të përdorin Organizatën e Kombeve të  Bashkuara si platformë të tyren për përhapjen e propagandës urrejtëse dhe gënjeshtrave”.