Marash Gilaj: Vërtet mbetëm pas dyerve të Evropës, por kush e ka fajin?      

291
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Shtysë për këtë shkrim u bë intervista që dha kryeministri Rama për gazetën gjermane “BILD.” Vizitat e tij të shpeshta, të papritura e të palajmëruara tek vëlla Erdogani, tashmë janë bërë si një lloj refreni i mërzitshëm i një kënge të dalë mode. Ankesa, sa qesharake aq edhe cinike se, medemek, Evropa nuk po i mban premtimet për hapjen e negociatave me ne, por harron se nga 3 kushte që kishim, tani kemi shtuar edhe 12 të tjera, të cilat nuk i plotësuam kurrë, sepse ne dimë vetëm të gënjejmë për gjithçka e gjithnjë, të notojmë nëpër skandale, pa na u skuqur faqja. Mjafton të pasurohemi dhe të sundojmë, siç dinë diktatorët. Ne s’jemi Lindje, as Perëndim, por nga Lindja i mbajmë sytë dhe prej andej kritikojmë Evropën, i bëjmë karshillëk asaj, që nuk na jep “hakun.”Ky ka qenë edhe amaneti i sh. Ramiz Alia. Pakënaqësitë e z.Rama nuk kanë sens, nëse kemi parasysh çfarë kemi bërë ne, që ta meritojmë këtë.  Le t’i kujtojmë disa prej tyre. A jemi ne vend normal? A mund të quhet shtet normal ky që ndërtoi “Rilindja”? Ja disa përgjigje që të vinë ndërmend shpejt e shpejt:

“Ankesa, sa qesharake aq edhe cinike se, medemek, Evropa nuk po i mban premtimet për hapjen e negociatave me ne, por harron se nga 3 kushte që kishim, tani kemi shtuar edhe 12 të tjera, të cilat nuk i plotësuam kurrë”

“Ne s’jemi Lindje, as Perëndim, por nga Lindja i mbajmë sytë dhe prej andej kritikojmë Evropën, i bëjmë karshillëk asaj, që nuk na jep “hakun” 

Shteti nuk ndërtohet me horra e kriminelë, as me banda. Kujtojmë ligjin e famshëm të Dekriminalizimit. Jemi i vetmi vend ku blihet pushteti, vota e deputeti. I vetmi vend, ku pushteti mbahet me anë të bandave. S’kemi as institucione normale. Se mos kemi drejtësinë, tashmë të shpartalluar me anë të ashtuquajturit “vetting?!” Ne kemi arritur në atë derexhe sa çdo shkatërrim, e quajmë reformë. Reformën në drejtësi e bëmë lesh arapi. Gjykatat, kthyer në kuzhina partiake. Drejtësia e re po e tregon veten me ish- ministrin Tahiri dhe me masakrën zgjedhore. Shikoni sa bukur po i gjykon. Dhe presim drejtësi, kur atë e jep “Nëna Parti.”Mësimi na vjen nga “ata që ishin në anën e duhur të historisë.

Ndërsa parlamentin kthyer në landfill. I vetmi institucion, që ka mbetur në këmbë deri tash, është Presidenca, por Presidenti duhet hequr, që të mos kemi asnjë pengesë në realizimin e dëshirave më djallëzore, që ka parë ky vend në shekuj, nga çdo lloj pushtuesi, bashkë me Enver-Hitlerin tonë të paharruar.

Ku janë “Peshqit e mëdhenj?”

Çfarë ndodhi me ta? Kush i mbron? Ata, që i lënë të lirë, janë bashkëpunëtorë me ta. Kjo është një sentencë e vjetër. Ne s’dimë të bëjmë as zgjedhje të lira e të ndershme. Pse Kosova është për t’u marrë model në këtë drejtim? Pse bëjmë zgjedhje moniste? Pse nuk i lejojmë emigrantët të votojnë? S’jemi të lirë të votojmë, as të zgjedhim. Shenjtërinë e votës e kemi kthyer në lavire, pasi e kemi përdhunuar.  S’kemi ekonomi normale. Jemi shumë të varfër, të vjedhur e të grabitur me njëmijë marifete. Kemi pensione aq qesharake, sa gjysma e pensionistëve nuk kapin as minimumin jetik, por kush e ka fajin? Evropa apo ne?  “Policia që duam” ruan pushtetin dhe i shërben partisë. Pra, nuk i shërben popullit, as shtetit. Sepse shteti, nuk ekziston. E kujtoni qëndrimin e kryepolicit për ngjarjen e Elbasanit, në fushatën elektor-hale? Atëherë çfarë presim nga një polici si kjo jona?.

“E di Evropa që ne kemi një parlament të paligjshëm me 122 deputetë, ku gati gjysma janë të blerë?  E di Evropa se ku jemi me kanabisin dhe me kokainën, me krimin e organizuar në përgjithësi?”

“Ne dimë vetëm të gënjejmë për gjithçka e gjithnjë, të notojmë nëpër skandale, pa na u skuqur faqja. Mjafton të pasurohemi dhe të sundojmë, siç dinë diktatorët”

Evropa po na pret siç pritet nxënësi më i keq, kur qëndrimi i tij është si ai i një “dhie të zgjebosur me bishtin përpjetë.” Krenaria jonë për dështimet, nuk njeh limit. Ne krenohemi me patronazhistët e jashtëligjshëm, për emigrimet masive, sikur të ishim në luftë, për ligjet antidemokratike si ai “Antishpifje”, apo batuta e kthyer në ligj, me emrin “KÇK.” Mburremi me tenderat secrete, pa tender, me PPP-të dhe koncesionet kriminale. E di Evropa që ne kemi një parlament të paligjshëm me 122 deputetë, ku gati gjysma janë të blerë. Cili vend ka dy opozita? Njëra brenda që shërben si fasadë dhe tjetra jashtë?  E di Evropa se ku jemi me kanabisin dhe me kokainën, me krimin e organizuar në përgjithësi? Ky mbetet eksporti më i rëndësishëm që kemi për të furnizuar botën. Vërtetë mbetëm pas dyerve të Evropës, por ama edhe festuar e kemi sikur janë hapur negociatat si në komedinë “Dasëm pa Nuse.” U kemi dhënë edhe dekorata atyre ndërkombëtarëve që gënjenin për ne. Por tani jemi më afër kthimit të vizave, se sa hapjes së negociatave si shpërblim për djallosjen që ka bërë “rilindja” në plotësimin e detyrave. Shembja vandale e teatrit ishte një kumt i zi, në vazhdën e skandaleve që habiti edhe botën. Notojmë në një pesimizëm të pashoq. Kalben njerëzit e ndershëm dhe lartësohen kriminelët. Shqipëria në kaos. Një popull i tradhëtuar. Kemi dy zgjedhje në dëshpërim: të nënshtrohemi ose të ikim në mërgim. Kush e ka fajin? Parlamenti njëpartiak apo opozita jashtëparlamentare? Pas të gjitha këtyre problemeve që rreshtuam, njeriu normal mund të dalë me një konkluzion. Cila qeveri në botë mund t’i fitonte zgjedhjet  në këto kushte, përveçse tek shtetet diktatoriale? A e meritojmë hapjen e negociatave, kur demokracia dhe liria nuk funksionon tek ne? Kur shteti, siguria dhe drejtësia kanë rënë? A ka paradoks më të madh se të fitosh zgjedhjet me një mijë skandale të ndodhura në 8 vite?!

 

 

 

 

2

Ne dimë vetëm të gënjejmë për gjithçka e gjithnjë, të notojmë nëpër skandale, pa na u skuqur faqja. Mjafton të pasurohemi dhe të sundojmë, siç dinë diktatorët

 

4

E di Evropa që ne kemi një parlament të paligjshëm me 122 deputetë, ku gati gjysma janë të blerë?  E di Evropa se ku jemi me kanabisin dhe me kokainën, me krimin e organizuar në përgjithësi?