Manjani, publikon propozimet ligjore, mbi politikën penale

235

Pas shumë
konsultimesh që bëmë me Prokurorë, Gjyqtarë, Avokatë, ekspertë dhe përfaqësues
të shoqërisë civile, vërtetuam një shqetësim të kahershëm që ekzistonte në
Ministrinë e Drejtësisë, atë të një drejtësie penale jo eficente. Prej kohësh,
ministrat e drejtësisë kanë konstatuar se në sistemin tonë penitenciar gjenden
më shumë të paraburgosur, sesa të dënuar. Nga ana tjetër, përdorimi i masës së
sigurisë “arrest me burg” është një masë shtrënguese shumë e përdorur,
pavarësisht masave të tjera alternative që legjislacioni penal parashikon.
Shoqëria civile dhe institucionet që monitorojnë zbatimin e lirive dhe të
drejtave themelore të njeriut, kanë bërë gjithnjë konstatime negative në lidhje
me këtë gjendje. Drejtësia penale është më e prekshmja për sytë e opinionit
publik, e për pasojë çdo raport konstatues merr edhe vëmendje të lartë.
Ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të Prokurorisë dhe të Policisë
së Shtetit kanë konstatuar se legjislacioni ynë procedural penal lejon
aplikimin e dy dhe më shumë standardeve në vendosjen e masave të sigurisë në
procesin penal. Neni 27 i Kushtetutës përcakton termin “dyshim i arsyeshëm”,
por Kodi i Procedurës Penale nuk e specifikon se çfarë do të thotë ky term në
kushte konkrete.