Mal Berisha: Ja pse kryeministri Edi Rama i kërkoi Britanisë së Bashkuar, që të mos hapte negociatat në vitin 2013

315
Sigal

 

Mal Berisha  ish-Ambasador i Shqipërisë në Britaninë e Madhe

Në Dhjetorin e Vitit 2013, në Bruksel do të mblidheshin Kryeministrat e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për të vlerësuar, midis të tjerave, edhe përparimin që kishin bërë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt zgjerimit. Ishte një rast i artë për Shqipërinë, pasi ishim në momentin më të përshtatshëm për të bërë hapin e radhës drejt ëndrrës sonë të 12 Dhjetorit: ‘Ta bëjmë Shqipërinë si Gjithë Evropa!’

 

Drejtori i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor: Qëndrimi ynë ishte kërkesë e KM tuaj, me të cilin ju nuk ishit në takim. Kredoja e këtij hapi të madh që do të bënte Shqipëria drejt BE-së në këtë Dhjetor, nuk kishte përse t’i shkonte qeverisë së mëparshme

Arsyet ishin se Parlamenti i mëparshëm kishte miratuar 3 ligjet të cilat e mbanin peng çdo hap avancues të vendit drejt BE-së, të mbajtur në sirtar nga Edi Rama;

Së dyti, deri në atë kohë Shqipëria kishte bërë hapa shumë të rëndësishëm në të gjitha reformat ndër të cilat bllokimi deri në zero i trafikimit të njerëzve, drogave dhe armëve që e pat zanafillën në Moratoriumin e Skafeve, i cili i la nëpër mole mjetet e shpejta të lundrimit që sulmonin brigjet europiane të Italisë dhe Greqisë; Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe dhënia e së drejtës së Lëvizjes së Lirë të qytetarëve shqiptarë drejt Zonës Europiane ‘Shengen’ e ndihmonte këtë proces. Përveç të tëra këtyre, në verën e vitit 2013, kur Partia Demokratike i humbi zgjedhjet e Qershorit, qeveria e kohës kishte organizuar  Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme dhe u realizua kalimi i butë i pushtetit nga Partia Demokratike tek Koalicioni i ri i majtë që doli nga zgjedhjet e atij viti. Në Tetorin e Vitit 2013, Ministria e Punëve të Jashtme më dha instruksionet e nevojshme për të marrë informacionin e duhur nga Foreign Office Britanik se çfarë qëndrimi do të mbante Britania e Madhe në Takimin e Dhjetorit të atij viti në Bruksel, në lidhje me Shqipërinë.

Në cilësinë e Ambasadorit, vajta në zyrat e Foreign Office në Londër dhe takova Drejtorin e Drejtorisë së Zgjerimit Ballkanik, Xhekings, të cilit i parashtrova kërkesën që kisha dhe natyrisht i kërkova mendim se çfarë qëndrimi do të mbante vendi i tij në atë takim Kryeministrash? Anglezi, i ftohtë siç ishte, më tha se Britania nuk ka ndonjë vërejtje esenciale për Shqipërinë e momentit, sikundër që nuk ishte edhe ndonjë entuziast i madh për pranimin e saj. Megjithatë, më tha, duhet të dini se përpos hapave shumë pozitivë të kohëve të fundit, sidomos realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të pa kundërshtuara nga opozita, shoqëruar me kalimin e butë të pushtetit në duar të tjera, kjo është pasuar edhe me një fluks të ri emigrantësh, të cilët e kanë sulmuar Britaninë dhe kjo nuk është shenjë e mirë. Në fund ai më tha se, nëse asnjë vend i BE-së nuk e kundërshton përparimin tuaj, Britania do të votojë pro, në linjë me të tjerët. Nëse ndonjë vend europian që është edhe më i cënuar sesa ne nga fluksi i ri i emigrantëve shqiptarë që është rritur dramatikisht këto muajt e fundit, atëherë ju nuk do ta keni as votën tonë. Gjithsesi, shtoi ai, neve nuk do të jemi flamurtarët e ndonjë pengese për juve. Disa ditë më vonë, të atij Tetori, mora një telefonatë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë z Engjëll Agaçi, i cili  më kërkoi që të aranxhoja një takim të KM-së Edi Rama me Drejtorin e Zgjerimit në FCO. I thashë se do të punoja për atë takim. Ai më kërkoi që takimi të bëhej në zyrën e Drejtorit, z. Xhekings. Unë i thashë se një takim i tillë nuk mund të kërkohej në zyrën e atij personi, sepse ky do të ishte një gjah i madh për shtypin londinez. Ai e pranoi vërejtjen dhe më pyeti: Po ku ta bëjmë takimin atëherë? Në ambasadë i thashë. Zyra e çdo funksionari të shtetit shqiptar në Britaninë e Madhe dhe në çdo vend të botës është ambasada. Jo, m’u përgjigj zotëria, Kryeministri nuk pranon të vijë në Ambasadë. Atëherë i thashë vendosni juve. Mirë më tha se të telefonoj prapë. Mbas pak më tha se KM do ta takonte zotërinë të cilin tha se e kishte shok (se ku ishin bërë shokë ata, kurrë nuk e mora vesh, pasi anglezi kurrë nuk më kishte thënë se njihej personalisht me ndonjë zyrtar shqiptar) në hotelin Goring, ku do të qëndronte KM në pasditen e datës 22 Tetor 2013. E bisedova çështjen me Xhekings dhe natyrisht që ai e pranoi ftesën e KM. Takimi u zhvillua në mungesën time, si çdo takim tjetër që KM zhvilloi ato ditë në Londër. Në ikje nga Londra, KM sajoi një nga ato gënjeshtrat e tij, si puna e Orës së Presidentit Bush, dhe urdhëroi një gazetar me emër J. M., që të stigmatizonte Ambasadorin shqiptar në Londër, pasi sipas tij, ‘unë nuk i kisha siguruar eskortë mbrojtje në sorrollatjet e tij nëpër Londër, gjë që nuk ishte nën përgjegjësinë time, pasi vizita e tij nuk shënohej si vizitë zyrtare me ftesë të shtetit britanik dhe si e tillë nuk merrej nën mbrojtjen e Shërbimit të Mbrojtjes Diplomatike angleze’. Ky ishte edhe skupi mediatik që sajoi pas një vizite turistike, e cila i kushtoi buxhetit shqiptar 3.800 sterlina – rreth 5.000 Euro vetëm për një kalim në sallonin e VIP-it të aeroportit Gatëick ose dymbëdhjetë herë më shumë se bileta e avionit. Më vonë gazetari më kërkoi ndjesë në një bisedë në rrjetin social, të cilin e ruaj edhe sot. Ai më tha se isha i shtyrë të sajoja një gënjeshtër të tillë, për të bërë të paktën një lajm nga Londra në atë vizitë të KM. Në Dhjetor të vitit 2013 në Bruksel u mblodhën Kryeministrat e BE-së sipas planit të mëparshëm. I pari që e mori fjalën dhe e sulmoi Shqipërinë në mënyrën më të papritur, ishte Kryeministri Britanik, David Kamerun. Ai mbajti një fjalim më të gjatë sesa duhej rreth emigracionit shqiptar dhe sesi Shqipëria nuk përmbushte asnjë kriter për të avancuar drejt negociatave më BE-në. Kur e pashë Kamerunin në atë diskurs aq negative, u shokova. Ishte krejt e kundërta e asaj që kisha dëgjuar nga Drejtori i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Të nesërmen menjëherë i kërkova këtij të fundit një takim. Ai më priti si përherë, i qetë, pa i lëvizur asnjë fije muskuli në fytyrë.

Pyetja ime e parë ishte: Çfarë ndodhi me neve i nderuar Drejtor?

  1. Ambasador më tha, përse nuk erdhe në takim me Kryeministrin e vendit tënd? Aty u biseduan gjëra të rëndësishme për këtë çështje. Qëndrimi ynë ishte kërkesë e KM tuaj, me të cilin ju nuk ishit në takim. Kredoja e këtij hapi të madh që do të bënte Shqipëria drejt BE-së në këtë Dhjetor, nuk kishte përse t’i shkonte qeverisë së mëparshme.

Paçi fat në takimin e Pranverës!

Këtë histori e kam mbajtur me vete dhe më ka vrarë shpirtin sa herë kam parë se si ky njeri, jo vetëm nuk e ka dashur afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian, por e ka penguar me çdo kusht, si në rastin në fjalë. Të gjithë ata që habiten përse sot pas shtatë vitesh neve jemi katërmbëdhjetë vjet më larg se sa ishim në vitin 2013, le ta gjejnë përgjigjen pikërisht këtu. Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa 12 Dhjetor 1990 – 2020!