Lulzim Basha:Nuk i zgjodha unë kandidatët. Flasin: Imami, Harxhi, Kadilli, Shehaj: Zgjedhjet, më keq se në 25 prill

238
Sigal

Lulzim Basha hedh poshtë zërat mbi kandidatët e tjerë

Janë thashetheme, nuk po kandidojnë që të marrin poste në PD

Tashmë është bërë zyrtare që 4 janë kandidatët, që do garojnë më 13 qershor për kryetar i PD-së. Megjithatë, ka zëra që thonë se këta kandidatë  janë stimuluar nga kryetari aktual i PD-së Lulzim Basha, me qëllim, që garës t’i japë nuancë pluraliste dhe të një konkurence reale, ndërkohë që Lulzim Basha nuk ka dhënë dorëheqjen, por edhe që shfrytëzon të gjitha mundësitë si kryetar i PD-së në këtë garë, duke e bërë krejt të pabarabartë konkurencën.

Basha përgënjeshtron zërat

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ka hedhur poshtë zërat se ai ka futur kandidatë në garë që të promovohen në poste të ndryshme në parti. Gjatë një takimi në Pogradec, Basha thotë se diçka e tillë është e pavërtetë dhe janë thjesht thashetheme për të krijuar konfuzion ose ndonjë avantazh të pandershëm në garë dhe thekson se, në garën për kryetar në PD, të gjithë janë të barabartë dhe do të vendosë vetëm vota e anëtarësisë.

ANËTARI I PD-së: Kryetar ,ka zëra se disa nga kandidatët po marrin pjesë në garë vetëm që të fitojnë pozicione në parti, është e vërtetë kjo?

LULZIM BASHA: Duke qenë se ka zëra që qarkullojnë se ka kandidatë në garë që u është kërkuar kandidimi nga unë, në mënyrë që të promovoheshin në poste të ndryshme në parti, kjo është absolutisht e pavërtetë. Në këtë garë, të gjithë janë të barabartë dhe do të jetë vota e anëtarësisë që do të vendosë, siç ndodh për pozitat e tjera drejtuese në parti. Këto thashetheme, pavarësisht nga kush janë përhapur, thjesht kanë për qëllim të krijojnë konfuzion ose ndonjë avantazh të pandershëm në këtë garë.  Unë e di që ju e doni Partinë Demokratike të jetë e bashkuar dhe e fortë dhe ju garantoj që ky është dhe prioriteti im i parë dhe kryesor që nga kjo garë, nga ky proces i brendshëm të dalim të bashkuar dhe të fortë.

Agron Shehaj: PD-së dhe Shqipërisë i duhet një udhëheqës i pakorruptuar

Kandidati për kryetar i PD-së Agron Shehaj, deklaroi dje se PD-së dhe Shqipërisë i duhet një udhëheqës i pakorruptuar. Agron Shehaj: “Vendosa të kandidoj për kryetar të Partisë Demokratike, sepse u binda që udhëheqja e tanishme nuk mund ta çojë Partinë Demokratike në fitore. Po kandidoj sepse udhëheqja aktuale po përpiqet ta kalojë humbjen e 25 prillit, si një gjë të zakonshme, si një gjë normale, pa reflektuar dhe pa ndryshuar asgjë. Kandidimi im nuk është përpjekje për të marrë një post, por fillimi i një projekti ndryshimi të Partisë Demokratike sot, për ta ndryshuar Shqipërinë nesër. Më 13 qershor anëtarët e Partisë Demokratike nuk do të zgjedhin thjesht kryetarin e ri, por do të vendosin nëse duan të fitojnë apo të humbasin prapë edhe në zgjedhjet e 2025-ës. Mosndryshimi i udhëheqjes së tanishme të Partisë Demokratike është rruga e sigurtë për të humbur përsëri. Unë kam ndershmërinë, përvojën dhe aftësinë e duhur për ta çuar Partinë Demokratike në rrugën e fitores. Edi Rama është politikan i korruptuar dhe antidemokratik. Për ta mundur regjimin e tij, Partia Demokratike dhe Shqipëria ka nevojë për një udhëheqës krejt ndryshe nga ai: të pakorruptuar, të pakorruptueshëm, me kurajë dhe gjithëpërfshirës. Me këto vlera ne do të rikthejmë besimin e qytetarëve te Partia Demokratike dhe ta çojmë atë drejt fitores.”

 Nishani: Reagimi i Bashës ishte hipokrit, duhet të bëjë transparencë

Kreu i Këshillit Kombëtar i Partisë Demokratike, Bujar Nishani e ka cilësuar si hipokrit reagimin e Lulzim Bashës për vendimin e shpalljes së ish-kryeministrit Sali Berisha “non grata” nga SHBA dhe tha se në eksperiencën e tij personale me Berishën ka parë tek ai modelin e ndershmërisë. Bujar Nishani: “Kjo pyetje përfaqëson pikëpamjen e secilit prej nesh. Do ta ndaja përgjigjen time në tre faza. E para, ka të bëjë me faktin që vetë Berisha i ka dhënë drejtimin diskursit që i është drejtuar gjykatës. E dyta, ka të bëjë me faktin që unë kam një eksperiencë personale bashkëpunimi me zotin Berisha. Kam konstatuar modelin e Berishës si model ndershmërie dhe institucionalizmi. Besoj se kjo çështje do të zgjidhet, por nuk do të cënojë kurrë marrëdhëniet e shqiptarëve me SHBA. Reagimin tim ndaj një qëndrimi hipokrit të Bashës. Duke përdorur emrin e kryetarit është treguar hipokrit sepse u mbështet tek kërkesa për transparencë. Zoti Basha dhe unë e kemi të qartë. Mendoj se transparencën duhet ta bëjë Basha sepse ka zëra që ndikohet nga Berisha dhe nuk e ka përgënjeshtruar këtë. Basha duhet të flasë publikisht a është shantazhuar nga Berisha për të marrë këto vendime, apo janë vendime të tij, kjo është transparenca që duhet të bëjë Basha”.

Edit Harxhi: Në 14 qershor Basha do të vihet përballë një surprize të madhe

Kandidatja për kryetare Edit Harxhi, paralajmëroi Lulzim Bashën se një ditë pas votimit, në 14 qershor, do të përballet me një surprizë të madhe. Pavarësisht nëse fiton apo jo, Harxhi tha se “Grupi për PD” do të vazhdojë të jetë unik për të kërkuar reformimin e Partisë Demokratike. Edit Harxhi: “Unë nuk i marr votën demokratëve, demokratët ma japin votën mua, sepse ata besojnë në vlerat. Ringritja e PD-së mbi idealet e viteve ‘90 është slogani im. Sot do të nxjerr programin e plotë, por jam e sigurt se demokratët do të ma besojnë votën, sepse ky është një fillim i ri dhe fundi i tranzicionit shqiptar. Çfarë do që të ndodhë, ky grup do të vazhdojë të kërkojë reformimin e thellë të PD-së. Ky grup do të jetë unik dhe do të punojë në çdo kohë.

Kadilli prezanton programin: Do të ndryshoj PD-në, jam më i miri

Fatbardh Kadilli publikoi dje platformën e tij, ndërsa synon të marrë drejtimin Partisë Demokratike në katër vitet e ardhshme. Kadilli e konsideroi veten si më të mirin në këtë garë, duke theksuar se nisma e tij ka si qëllim të ndryshojë PD-në, për ta çuar në fitore. 13 qershorin, ai e cilëson si fitoren e tij, ndërsa theksoi se arritja e tij e parë në këto tre javë ishte futja e garës brenda PD-së. Fatbardh Kadilli: “Jam i bindur se çdo anëtar i PD-së , i bindur te çdo mirëkuptim dhe partneritet brenda partisë dhe të gjitha shtresat e Shqipërisë dhe me besim të fortë tek vetja për të bërë një ndryshim epokal. Për t’i dhënë fund një politike, inercisë që strukturat tona politike nuk janë më përfaqësues të qytetarëve, por struktura garuese për pushtet. Dua ti kërkoj ndjesë çdo anëtari të PD-së pasi koha e shkurtër në dispozicion e bën të pamundur që unë të takoj demokratë e të shkel çdo degë.”