Lulzim Basha:E vërteta doli në dritë, Rama refuzon konsensusin

458
Sigal

Intervista e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhënë për televizionin “Klan”

“Në përgjigje të kërkesës sime, Kryeministri Rama e bëri të qartë në Parlament se, nuk jep konsensus për reformën territoriale-administrative në Kuvend. E vërteta doli më në fund në dritë. Është ajo që ka thënë opozita dhe që kam pohuar edhe unë në letrën time. Qeveria ofron vitrinën e konsensusit, por nuk ofron vetë konsensusin. Gjithsesi, letërkëmbimi shërbeu për t’i dhënë fund demagogjisë se opozita refuzon konsensusin. Opozita nuk mund të refuzojë diçka që nuk i është dhënë dhe me sa duket, diçka që shumica nuk ka ndërmend ta japë.  Pra është z. Rama që refuzon konsensusin për reformën territoriale-administrative. Opozita e kërkon konsensusin për reformën territoriale-administrative, sepse këtë e kërkon standardi 23- vjeçar i kësaj reforme dhe reformave të shoqëruara me të siç është reforma elektorale, sepse këtë e kërkon kushtetuta. Opozita e kërkon konsensusin me përgjegjësinë për ta përdorur atë, në funksion të arritjes së qëllimit të përbashkët, reformës territoriale-administrative.

Me këtë rast, dua t’i kujtoj opinionit publik se, Ramës në opozitë, Partia Demokratike i ka ofruar deri edhe të shkruante vetë ligjin dhe ta votonim së bashku, ndërsa z. Rama tani ofron ta shkruajmë së bashku, por ta votojë siç do ai. Ky është ndryshimi. Partia Demokratike do të këmbëngulë tek konsensusi, ne do të ngulmojmë që konsensusi për këtë reformë të jetësohet. Në pikëpamjen tonë, nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë reformë territoriale-administrative pa konsensus gjithëpërfshirës të politikës”,-ka qenë kjo deklarata e bërë nga Kryetari i bashkisë Lulzim Basha në një intervistë të dhënë për një televizion shqiptarë. Më poshtë mund të lexoni pjesë të shkëputura nga intervista e z.Basha.

Përndryshe, nuk do të ketë një takim mes jush dhe z. Rama?

-Mendoj se, përgjigja e djeshme e z. Rama është vetëshpjeguese në këtë drejtim. Qëllimi i letërkëmbimit, gjykoj se ka qenë reforma territoriale-administrative. Kushti i konsensusit i vendosur nga praktika 23 -vjeçare dhe nga kushtetuta e Shqipërisë është refuzuar nga Kryeministri Rama. Mendoj se, kjo flet vetë për qëndrimin që z.Rama ka për konsensusin, në veçanti për reformën dhe natyrisht edhe për dialogun.

Kryeministri tha se, maxhoranca do ta miratojë e vetme reformën territoriale. Në rast se kjo gjë do të konkretizohet me votat në Parlament, cilat do të jenë hapat e mëtejshëm që do të hedhë opozita?

-Reforma territoriale-administrative për nga vetë natyra që ka, nuk mund të kalojë pa konsensusin e palëve në Parlament. Nuk ka ndodhur kjo në 23 vite demokraci dhe nuk mund të ndodhë në vitin 2014, teksa vendi troket për hapat e mëtejshëm drejt integrimit në BE, një ndër kushtet kryesore të së cilit është bashkëpunimi politik, konsensusi për çështje madhore, qëndrueshmëria e institucioneve dhe reformave. Ne do të vijojmë të këmbëngulim tek konsensusi, të këmbëngulim tek respektimi i standardit të konsensusit, tek respektimi i kushtetutës. Uroj që maxhoranca të reflektojë. Përndryshe, ne do e presim me kushtetutë në dorë në sheshet dhe rrugët e vendit për të refuzuar çdo produkt të njëanshëm, si të dëmshëm, të padobishëm, të pavlefshëm për demokracinë shqiptare dhe qytetarët shqiptarë.

 Në fakt, janë disa vendime të gjykatave që nuk zbatohen nga maxhoranca. Çfarë do të bëjë opozita në një situatë të tillë?

-Moszbatimi i vendimeve të gjykatave është vetëpaditja më e madhe që kjo qeveri i bën vetes në kuadër të praktikave të saj antidemokratike. Për çdo vend demokratik është absurde, kur qeveria e vendit refuzon të zbatojë e të respektojë vendimet e gjykatave, siç janë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat zbatohen e nuk vihen në diskutim, siç janë vendimet e formës së prerë të gjykatave të tjera të vendit. Ky është një ndër aspektet shqetësuese të keqqeverisjes dhe cenimit të standardeve demokratike nga shumica Rama-Meta. PD e ka denoncuar dhe vazhdon të denoncojë moszbatimin e vendimeve të gjykatave, si një kambanë alarmi për shtetin ligjor dhe demokracinë në vend. Ne kemi përdorur dhe do të vazhdojmë të përdorim të gjithë hapësirën institucionale në Parlament dhe institucionet e tjera të vendit, për të insistuar që themelet e shtetit ligjor, duke nisur nga vendimet e gjykatave të zbatohen e të respektohen pikë së pari nga maxhoranca. Por ne do të vijojmë t’u drejtohemi qytetarëve, sovranit të vërtetë në këtë vend, sa herë që të zgjedhurit me votën e tij refuzojnë t’u binden rregullave të lojës që ai ka përcaktuar e që janë kushtetuta, shteti ligjor, vendimet e gjykatave.