Lulzim Basha: Të gjithë së bashku të largojmë Ramën!

477
Sigal

Pas përfundimit të tryezës me përfaqësues të medias, në një dalje për mediat kryedemokrati Lulzim Basha përsëriti opsionin e tij për zgjidhjen e krizës politike në vend, që janë largimi i Edi Ramës, një qeveri tranzitore dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Basha citoi dhe raportin e DASH që e konsideron Shqipërinë si një vend tranzit për trafikun e drogës, ndërsa bën fajtor për këtë vetëm Ramën.

“Është e qartë për gjithë shqiptarët, është e qartë për mbarë botën demokratike se Shqipëria është në një krizë të thellë politike.

Shkaku i kësaj krize politikë janë zgjedhjet e blera në bashkëpunim me krimin e organizuar në vitin 2017. Për të mbrojtur veten e tij dhe gjithë kupolën e organizatës së Rilidnjes së kapur nga Prokuroria në mënyrë zyrtare në bashkëpunim me rrjetet kriminale të drogës, Edi Rama ka kapur dhe Drejtësinë. Ka shkatërruar pushtetin e III, ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese. Pra ne jemi në kushtet e një krize totale, politike kushtetuese dhe ekonomike.

Zgjidhja e vetme politike është ajo që ka propozuar PD dhe Opozita e Bashkuar, është së pari rikthimi i sovranitetit tek populli përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.Që kjo të ndodhë parakusht është largimi i Edi ramës dhe një qeveri tranzitore e cila do të zgjidhë duart e drejtësisë, do të çojë para drejtësisë politikanët e kapur duke bashkëpunuar me krimin e organizuar për të vjedhur zgjedhjet e 2017-ës, do të kthejë kushtet e besimit qytetar për një proces të rregullt zgjedhor.

Për të gjitha çështjet e tjera mendoj se sot është dita të thelloheni në raportin e DASH i cili e bën fare të qartë se Shqipëria në 2018-ën është në nivelin më të keq të 28 viteve përsa i përket korrpsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes, po citoj raportin, kapjes së shtetit nga interesat kriminale dhe kthimit të Shqipërisë nga një bazë të sigurtë, sot në një bazë operacionale të krimit të organizuar nga Amerika e Veriut në Amerikën e Jugut, nga Europa në Azi. Kjo gjendje duhet të marrë fund dhe për këtë ka vetëm një rrugë, largimi i Ramës, një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.”, tha Basha.

I pyetur për zgjedhjet, se si do i shtyjë ato kur Rama thotë se s’do ketë shtyrje të tyre, Basha nuk ktheu një përgjigje të drejtpërdrejtë, por tha se preukopimi kryesor i të gjithëve duhet të jetë largimi i Ramës. 

“Preukopimi kryesor i shqiptarëve sot besoj dhe i juve, është dhe duhet të jetë dhënia fund e krizës politike dhe kushtetuese si shkaktar të krizës ekonomike dhe sociale dhe emigrimit të shqiptarëve.

Zgjidhje të krizës me njeriun që e ktheu Shqipërinë në Kolumbinë e Europës, me njeriun që i ktheu rrjetet kriminale në bashkëpunëtorë të Rilindjes dhe në aksionarë të pseudoparlamentit shqiptar nuk mund të ketë. Nuk ka njeri që nuk e  kupton këtë. Maduro nuk po bën më shumë, po bën më pak se Edi Rama. Ndaj beteja jonë është e drejtë, e qartë dhe e vendosur, rikthimi tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme kalon vetëm përmes largimit të atij që e ktheu Shqipërinë në Kolumbinë e Europës për hir të karriges së vet.

Në këtë mënyrë asgjësoi zgjedhjet, asgjësoi Parlamentin asgjësoi drejtësinë dhe shkaktoi krizën më të madhe në ekonomi dhe papunësinë. Që këto të marrin fund ne duhet të kthejmë qeverisjen tek njerëzit, qeverisjen tek qytetarët dhe në funksion të kësaj është koha që të gjithë se bashku të reflektojmë. Është koha që të gjithë se bashku të ndryshojmë, duke përfshirë dhe median.”, tha Basha.