Lulzim Basha: “Rama është një qeveri e zhbërjes”

460
Sigal

Kryetari i PD-së me ambasadorët e BE-së, sqaron se: “Bojkoti i opozitës s’është zgjedhje e jona, por investim i maxhorancës”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, ku temë e diskutimit kanë qenë aktet normative të maxhorancës, si dhe bojkoti i opozitës në komisione. Pas takimit, kryetari Basha u shpreh se: “I bëmë të qartë ambasadorit Sequi qëndrimin e opozitës për ndryshimin e ligjit të nëpunësit civil, ku jemi të vendosur të ndalim përpjekjen e qeverisë që po mohon gjithçka të arritur nga qeveria e mëparshme. Kjo bëhet shqetësim shumë i madh jo për opozitën si përfaqësues parlamentare e vullnetit të qytetarëve, por për gjithë shqiptarët që kërkojnë që në çdo rotacion të shënohen hapa para, e jo pas.  Dhunimi i konsensusit është hap i qartë pas dhe i cili do të trajtohet me vendosmëri nga opozita”, tha Basha.

Kryetari Basha sqaroi se: “Bojkoti i opozitës në komisione është një investim i maxhorancës për të prishur konsensusin, nuk është zgjedhja jonë është zgjedhja e tyre. Maxhoranca çdo shqetësim që kishte ta kishte hedhur në tryezën e dialogut, në tryezën e konsensusit, opozita do të qëndrojë unanime në raport me aktin normativ”.  Kreu i PD-së, Basha është shprehur se do të shqyrtohet me vendosmëri çështja e shtyrjes së ligjit të nëpunësit civil ndërsa nuk saktësoi se derisa do të vijojë bojkoti i opozitës. “Shtyrja e ligjit është një hap që do të trajtohet me vendosmëri nga opozita.  Takim ynë pati si qëllim të qartësonte pikëpamjen e unifikuar të opozitës.  Qëndrimi ynë është një refuzim i investimit të maxhorancës për të prishur konsensusin. Nuk është zgjedhja jonë është zgjedhja e tyre”, theksoi Basha

“Rama ka treguar se është vetëm një qeveri e zhbërjes”
“Qeveria po sillet si një Qeveri e zhbërjes, jo thjesht e mosqeverisjes, por e zhbërjes së gjithçkaje dhe e mohimit të gjithçkaje të arritur. Ajo që e pret nesër Shqipërinë, dhunimi i konsensusit të 30 majit në mënyrë unilaterale, antikushtetuese nëpërmjet aktit Normativ është një hap i qartë pas, qëndrim që iu bë i qartë, përfaqësuesit të Brukselit në vendin tonë, zotit Sequi”, tha Basha. Qëndrimi ynë në raport me Aktin Normativ është një refuzim i investimit të maxhorancës për të prishur klimën politike në vend, i investimit të maxhorancës për të shënuar precedentin e parë në 23 vjet pluralizëm të dhunimit të konsensusit. Nuk është zgjedhja jonë, është zgjedhja e tyre. Çdo shqetësim që kanë patur, në qoftë se e kanë patur të përligjur mund ta kishin hedhur në tryezën e dialogut dhe të konsensusit. Zgjodhën koburen e ndryshkur të Aktit Normativ, për të asgjësuar konsensusin dhe para kësaj opozita do të qëndrojë fuqishëm si mbrojtëse e denjë e interesave të vendit dhe demokracisë, interesave që nuk mund t’i shërbehet as me arbitraritet dhe aq më pak me shkelmim të konsensusit dhe unanimitetit me të cilën u miratuan këto ligje.