“Lulzim Basha mos na vono”. Rama apel, përgjigjet Basha: Je aleat i krimit

501
Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë të posaçme për shtyp sot për të deklaruar se është opozita e jo qeveria që refuzon dialogun, madje vendi është në një krizë artificiale të prodhuar vetëm nga Partia Demokratike. 
“ Përcaktoji vetë gjithë modalitetet e uljes në tryezë. Nëse ke frikë nga unë, propozo një rrugë dialogu që ty të duket me e lehtë. Ke thënë që dëshiron të ulen të tjerë për të përgatitur tryezën, përpara se sa të ulesh ti në tryezë. Është absurditet, po s’ka problem. Cakto njerëzit e tjerë, kë të duash, cakto vendin dhe orën e njerëzit tanë do jenë aty. Vetëm mos u vono dhe mos na vono”-deklaroi Rama. 
Por brenda pak minutash ka ardhur edhe përgjigja e Lulzim Bashës:
“Tha se jemi bërë për të qeshur. I them jo kryeministrit që bën si palaço, bota nuk po qesh me ne, bota është e shqetësuar me ne. Në krye të vendit është një i papërgjegjshëm, një aleat i krimit të organizuar. Droga është karrigia e vertet ku ti je ulur. Prandaj nuk largohesh”-deklaroi kreu i opozitës. Madje Basha për herë të parë bën të ditur edhe një detaj që pritet të konfirmohet ose të hidhet poshtë nga pala tjetër. Sipas tij të mërkurën e kaluar Rama ka rënë dakord për të diskutuar qeverinë teknike. Duket se dhe përballja e sotme ka qenë ping pongu i rradhës mes Ramës e Bashës pa dalë në një vendim të përbashkët. Menjëherë pas akuzave të palëve ka ardhur reagimi i institucionit të Presidencës, i cili ka bërë apel për dialog.
“Institucioni i Presidentit të Republikës u bën edhe njëherë thirrje palëve të ulen në tryezën e dialogut me agjendë serioze dhe të gjithëpranuar duke u larguar nga retorika pa produkt, në shërbim të çtensionimit të situatës dhe përmbushjes së detyrimeve ndaj qytetarëve shqiptarë për të pasur mundësinë të votojnë të lirë në zgjedhjet e ardhshme politike në vend”.
Sigal