Lulzim Basha me drejtuesit e PD në rrethe: Jemi parti e gjithë shqiptarëve, buxheti ynë do i përgjigjet nevojave të qytetarëve

447

Lulzim
Basha me drejtuesit e PD në rrethe: Evidentoni të gjithë të papunët, të
varfërit, të goditurit nga përmbyjet, nga paligjshmëria e qeverisë

 

 

 

Ky takim ka të bëjë me
fazën finale të procesit të hapjes, të bashkimit, të përgatitjes së PD dhe të
opozitës për të marrë përsipër përgjegjësinë e madhe, barrën e kthimit të
shpresës tek Shqipëria, tek shqipëtarët, për një Shqipëri që i ofron shanse dhe
mundësi të gjithëve. 

Bashkarisht edhe këto
javë, këto muaj, kemi qenë pjesë e një faze konsultimi e bashkëbisedimi me
njerëzit me qytetarët me anëtarët e PD. Ky konsultim ka qenë i vazhdueshëm, por
tashmë në këtë fazë përfundimtare , do të na duhet që së bashku me ju, me drejtuesit
e PD në rrethe dhe këtu në qendër të marrim vendimet e aksionit tonë politik,
të marrim vendimet që presin shqiptarët për alternativën tonë për programin
tonë, për ekipin tone, për përfaqësimin tonë para shqiptarëve. Jam i bindur se
me këtë konsultim që i ka kaluar gjithmonë konturet e partisë tonë politike
dhe, që ka përfshirë gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi dhe do ti
përfshijë të gjithë ata që duan të jenë pjesë e ndryshimit të vërtetë, ne do të
konkludojmë me vendimet e duhura, si i përsa i përket aksionit politik, ashtu
edhe sa i përket alternativës, programit, ekipit tonë të ri. 

Lajmet e këtyre ditëve
nuk janë lajme të mira. Realiteti ynë i drogës i krimit, i korrupsionit tashmë,
jo vetëm është kuptuar, por po theksohet nga e gjithë Evropa. 

Mediat dhe politikanët e
Evropës po flasin hapur dhe pa dorashka. Ky realitet që shqiptarët e përjetojnë
përditë në kurrizin e tyre, në shtëpitë dhe familjet e tyre, tashmë po vë në
rrezik integrimin europian të vendit. E shohim e prekim, janë fakte që i di
unë, i dini ju, i dinë demokratët, i dinë opozitarët, i dinë të gjithë, i di e
gjithë Shqipëria, të gjithë i kuptojnë. Ka vetëm një njeri në botë që nuk e
sheh këtë realitet dhe i fshihet me vetëmohim. Ky person fatkeqësisht është
kryeministri aktual i vendit . Në vend që të reflektojë për gjendjen ku është
zhytur Shqipëria, në vend që të reflektojë për mesazhet e forta që nuk kanë
nevojë për ndërmjetës, ai ka zgjedhur të fshehë realitetin dhe të vazhdojë
avazin e tij të propagandës së shfrenuar, trushplarjes dhe keqinformimit të
qytetarëve shqiptarë me regji qendrore. 

Sot dhe tash tri vite në
Shqipëri janë përjetuar dy botë, bota – realiteti, ku jetojnë shqiptarët dhe
bota ku jeton Edi Rama. Kjo e fundit është bota e luksit, është bota e avionëve
privatë, e çarterave, është bota e ekspozitave të kushtueshme në 
kryeqendrat e botës, është bota e qejfit, e udhëtimeve. Eshtë bota e
indiferencës totale ndaj realitetit ku jeton pjesa tjetër e shqiptarëve. Sepse,
shqiptarët jetojnë në një botë të varfërisë që shtohet, të papunësisë  që
shtohet, të krimit, të drogës, të fëmijve në shkolla në gjendje të mjerueshme,
të fëmijëve pa shkollë, të shëndetësisë në ditën e vet më të zezë, të njerëzve
të dëshpëruar e të shtyrë deri në aktet më tragjike si lajmi i tmerrshëm që
morëm sot nga Fllaka e Durrësit dhe gjithë ky realitet ka përballë një njeri,
Edi Ramën i cili ka humbur vullnetin, dëshirën dhe mundësinë për ta parë këtë
botë. Në zyrë e keni parë, i ka veshur muret me skicat e vizatimeve të tij,
krenohet me skicat e vizatimeve të tij në vend që të kishte në zyrën e tij
hallet e panumërta të shqiptarëve dhe skicat e projekteve për të zgjidhur këto
probleme. Edhe kur i duhet të dalë nga zyra, cfarë bën? Merr me vete botën e
tij të izoluar të luksit. E keni parë besoj sa herë që vjen me regji qendrore
dhe bën të ashtëquajtura takime me qytetarët edhe në fshatrat më të thellë e më
të varfëra të Shqipërisë, merr gjithmonë me vete karriget e rehatshme të
Tiranës. Edhe sot në Peqin, nuk besoj se ishin karriget e Peqinit ato ku ishin
ulur fermerët, jo, jo, janë karriget e lluksit. Merr me vete botën e tij të
lluksit e transporton për pak minuta me regji qendrore dhe kur përballet me
hallet e njerëzve sic u përball sot në Peqin, me atë zonjën që Ishte studente
ekslence dhe që e ka të pamundur të gjejë vend pune si infermiere, çfarë bën; i
trajton hallet si gënjeshtra, si ankesa dembelesh, i trajton hallet si sajesa
sharlatanësh apo i stigmatizon si njerëz që janë aty jo për hallet e tyre, por
për hallet e opozitës. Apo i stigmatizon si njerëz, të cilët janë aty jo për
hallin e tyre, por për hallin e opozitës. Sepse, në botën e tij, fajin
gjithmonë e ka dikush tjetër. Fajin nuk e ka kurrë as qeverisja, as
kryeministri. Një ditë fajin e ka populli, pothuajse çdo ditë në fakt, ditën
tjetër fajin e kanë mediat, çdo ditë fajin e ka opozita sepse për të, opozita
është armiku kryesor. Eshtë armiku më i madh, siç e ka thënë, me i madh se
krimi, droga apo korrupsioni. 

 

Droga po mbyt
Shqipërinë. Edi Rama thotë, fajin e ka opozita. Krimi ka shtënë në dorë
shtetin, ekonominë, ky thotë fajin e ka opozita. Klientët e tij po plaçkisin
çdo pasuri të vendit ku me ta ashtuquajturat konçensione që në fakt janë
monopole qeveritare, ku me tendera korruptivë, ku me grabitje ashiqare të njerëzve
të lidhur me të dhe me pushtetin e tij, shqipëria po zbrazet, njerëzit po ikin,
ky thotë; fajin e ka opozita. Bota dhe Europa në veçanti po i bie këmbanave të
alarmit, për drogën, për krimin, për korrupsionin, për gjendjen e vendit dhe
përgjigjia e tij është; fajin e ka opozita. E di që nuk kanë mbetur shumë
njerëz që shpresojnë se Edi Rama mund të ndryshojë, por nëse ka mbetur ndokush
për fat të keq do të zhgënjehet. Tashmë Edi Rama e ka braktisur krejtësisht
popullin e tij, vendin dhe të vërtetën. Ka braktisur të vërtetën. Tani, ai
është një skllav i egos së tij, i etjes së tij për lluks, për pushtet, për para
dhe për famë personale në kurriz të popullit më të varfër të Europës dhe kjo e
ka çuar tek një grusht klientësh dhe tek krimi. Ndaj ne do të bëjmë detyrën
tonë të shenjtë. Jo thjesht atë që nuk po bën Edi Rama dhe qeveria e tij, por
atë që është detyra jonë ekzistenciale, arsyeja përse ekzistojmë si parti
politike, përse jemi mbledhur këtu në këtë sallë. Përse kemi marrë përsipër
përgjegjësitë me të cilat na kanë investuar demokratët, ajo detyrë është; të
mendojmë për njerëzit, t’u gjendemi gjithmonë pranë, e në veçanti atyre që janë
në nevojë. Braktisjes totale nga Edi Rama, të realitetit, të të vërtetave, ne
duhet t’u përgjigjemi me solidaritet, me ndihmë për qytetarët dhe me një raport
të pastër me të vërtetën e qytetarëve. E kemi bërë këto tre vite, mund, duhet
dhe kam bindjen se do ta bëjmë edhe më mirë. Të vertetën e qytetarëve. Nga ana
tjetër, kjo gjendje e vërtetë ekonomike, kjo gjendje e vërtetë shoqërore
psikologjike, ky depresion, duhet të reflektohet në hartimin e një buxheti
realist që ka në themel nevojat e njerëzve. Për këtë arsye, kërkoj nga ju, nga
drejtuesit tuaj kudo ku ndodhen, të ndërmarrin një proces verifikimi,
evidentimi, regjistrimi konkret të të papunëve, të të pastrehëve, familjeve pa
të ardhura apo me të ardhura minimale, pra njerëzve në veshtirësi ekonomike, të
njerëzve të goditur nga fatkeqëesitë natyrore, nga përmbytjet, nga sëmundjet
siç është dermatoza nodulare, që po bën kërdinë në zonat rurale, nga prishjet e
paligjshme të objekteve për të mundësuar, jo këtë buxhet që ka sjellë ky, se ky
do të jetë buxheti më jetëshkurtër në historinë e Shqipërisë, por që buxheti
ynë t’i përgjigjet realisht këtyre nevojave sepse buxheti ynë, buxheti im,
buxheti i Partisë Demokratike, nuk do të shkojë për kolltuqe, për palma, për
fasada, por do të shkojë në radhë të parë dhe mbi të gjitha, për njerëzit në
nevojë që sot përbejnë për fat të keq shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë.
Nuk mund të lejojmë, dhe nuk do të lejojmë qindra miliona euro për fasada,
ndërkohë që familjet në nevojë ekonomike nuk marrin ndihmën ekonomike. Ata që e
marrin, e lënë po atë ditë për faturat e energjisë, për faturat e ujit, për
gjobat, për penalitetet, për kamatvonesat. Me qeverinë tonë, qëllimi i parë dhe
kryesor është që asnjë familje nuk do të mbetet pa bukë, pa ujë dhe pa drita.
Ç’më duhet mua si kryeministër 600 mijë lek palma, kur ka njerëz që nuk kanë
bukë të ushqejnë fëmijët në darkë? Çfarë kryeministri do të isha nëse do të
pranoja shpenzimin e 140 milionë eurove në një vit për 11 klientët e mi, kur me
këto para mund të kisha hapur 55 mijë vende pune. 55 mijë vende pune! Kjo krizë
ekonomike dhe sociale që vendi po kalon, fakti që sot mijëra familje diskutojnë
bukën e fëmijëve, pamundësia për të paguar çmimin e rritur në energjisë e
cila sipas EUROSTAT është më e larta në rajon, ky realitet nuk futet, nuk
depërton dot, në zyrën me vizatime të Edi Ramës.

Ky popull e paguan
energjinë më shumë se çdo popull tjetër në Ballkan. Këto janë vijat tona të
kuqe të papranueshme, jo vetëm sot si opozitë por dhe nesër në qeveri.
Propaganda me suksese imagjinare duhet dhe do të marrë fund me fundin e kësaj
qeverie. Prandaj kërkoj që brenda 15 Janarit, degët tona, aktivistët tanë,
anëtarët tanë, simpatizantët tanë, këshilltarët tanë bashkiakë, deputetët tanë,
kryetarët tanë të bashkive, të evidentojnë me saktësi në çdo rreth të
Shqipërisë gjendjen reale të papunësisë jo thjeshtë si statistikë por si njerëz
me halle e brenga, pra si njerëz me emër dhe mbiemër, njerëz që janë në
vështirësi ekonomike që nuk kanë asnjë të ardhur, të gjithë ata që kanë pësuar
dëme nga fatkeqësitë natyrore, nga përmbyjet, që u janë sëmurur bagëtitë, atyre
që u janë prishur pa të drejtë banesat. Këto të dhëna do të vihen në funksion
të përfundimit të programit social dhe hartimit të buxhetit realist të Partisë
Demokratike, që do të adresojë saktësisht këto nevoja. Alternativa jonë do të
jetë një alternativë realiste siç i takon çdo vendi demokratik dhe jo përralla,
as fjalë në hava, por plane të mbështetura tërësisht në nevojat e qytetarëve
dhe në mundësitë që kemi për ti përballuar prej ditës tonë të parë në
qeverisje. Ky është misioni i një qeverie. Kemi të saktë problematikën ekonomike
dhe sociale në çdo zonë të vendit. Nuk mund të lejojmë më dhe nuk do të
lejojmë, që në kufinjtë e mbijetesës, shqiptarëve t’u orfrohet përsëri
gënjeshtra e 20 mijë lekëshit apo e thesit me miell në prag të zgjedhjeve. Do
ti garantojmë përmes këtij procesi transparent të vërtetë dhe konkret që nesër
qeveria jonë, qeveria ime do të mundësojë që çdo familje shqiptare të ketë
bukë, ujë dhe drita. I kemi dhënë zgjidhje kësaj në platformën tonë. Kemi
diskutuar bashkarisht me qytetarët duke marrë përsipër në buxhetin e shtetit
pagesën e plotë për familjet në nevojë ekonomike deri në 200 kilovat, edhe
faturën e ujit për të gjithë familjet në nevojë, për të gjithë familjet e
varfëra. 

Eshtë e papranueshme, e
theksoj; është kriminale dhe do ta trajtojmë si kriminale në aspektin kriminal
dhe në aspektin financiar që miliona dollar, 100 milionë dollarë vetëm këtë
vit, kanë shkuar për makina, për luks, për palma ndërkohë që njerëzit janë pa
bukë, pa ujë dhe në errësirë. Kjo në qeverisjen time, kjo në qeverisjen tuaj,
do të marrë fund. 

Në mënyrë konkrete i bëj
sot thirrje qeverisë të kryejë menjëherë vaksinimin e plotë të të gjithë lopëve
të prekura nga dermatoza nodulare. Janë 400 mijë lope në gjithë vendin. Qeveria
duhet të akordojë mjaftueshëm para për të blerë vaksinat për çdo lopë.
Kushtojnë më pak se sa rryshfeti shtesë që i jep një nënkontraktori për të
ndërtuar shtabin e ri të hajdutërisë të OSHEE-së. Kushtojnë më pak se 1 milionë
dollarë. Nuk i gjejnë 1 milionë dollarë për bagëtitë e fermerëve sepse ato para
i përdorin për çartera. Ashtu si nuk gjen dot 8 milionë lekë për të riparuar
aksin nacional në Bërzhitë për 1 vit sepse 10 milionë lekë merr çarteri për në
Hamburg. Po kështu, me këtë kërkesë dua të siguroj të gjithë fermerët se si
kryeministri i vendit në krye të qeverisë së ardhshme do të ofrojmë ndihmë të
plotë për vaksinimin e të gjitha bagëtive dhe do të kompensojmë me vlerë
financiare të gjithë bagëtitë e humbura si rezultat i kësaj sëmundje dhe
neglizhencës qeveritare. Puna që na pret është e jashtëzakonshme. 

Ky është një udhëtim për
të gjithë shqiptarët, drejt një Shqipërie që ofron mundësi për të gjithë ata.
Larg një Shqipërie ku një pakicë ka në dorë politikën, ekonominë dhe gjithë
resurset e vendit. Kjo do të jetë një betejë e vështirë sepse sfidat janë të
larta, por në anën tonë janë interesi publik, e mira e përbashkët dhe dëshira e
shumicës dërmuese të shqiptarëve për ndryshim. 

Bashkë me ta le të
bëhemi shpresa për këtë ndryshim, bashkë me ta le të bëhemi ky ndryshim tek i
cili mund dhe do të besojnë gjithë shqiptarët. Dhe jo një ndryshim vetëm për
një grusht pushtetarësh brenda partive politike. Dhe për këtë na duhet një
hapje e vërtetë, një bashkim i fuqishëm, një vendosmëri për të përfaqësuar në
çdo nivel, jo thjeshtë e vetëm interesat tona si parti, por interesat e çdo
shqiptari.

Sigal