Lulzim Basha/ Liria dhe përgjegjësia, gjeneza jonë dhe rruga e Shqipërisë evropiane

485
Sigal

Dje u festua me madhështi 24 vjetori i themelimit të Partisë Demokratike

 Demokratët festuan dje 24 vjetorin e themelimit të PD-së, në mjediset e Hotel Sheratonit. Të ftuarit janë, ish-themeluesit dhe ish-studentët e Dhjetorit ‘90, anëtarë të rinj të PD-së, drejtues të lartë të politikës, aleatët e demokratëve, trupi diplomatik, krerët e komuniteteve fetare, akademikët, rreth 800 të ftuar dhe ndryshe nga herë të tjera,  Një vit më parë PD-ja  festoi 23-vjetorin e themelimit të saj, si e para parti opozitare pas afro gjysmë shekulli diktaturë komuniste bashkë me të majtët. Në këtë festë munguan përfaqësues të së Majtës, kur një vit më parë, në festën e 23 vjetorit të themelimit të PD-së, atëherë, mori pjesë edhe Ilir Meta dhe Vangjel Dule. Në fjalën e rastit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha iu referua edhe mungesës të Sokol Olldashit dhe Ferdinand Poni, të cilët janë ndarë nga jeta.

*Kryetari i PD-së

 24 vjet më pare, ne shqiptarët bashkë me Partinë Demokratike nisëm procesin e pakthyeshëm të Shqipërisë së lirë, demokratike dhe europiane. Ne u ndamë nga e kaluara e hidhur, nga diktatorët dhe ideologjitë e së keqes. Fituam të drejtat tona dhe e futëm Shqipërinë në rrugën e kombeve të lira. Sot është rasti të kujtojmë me krenari se jemi pjesë e kësaj trashëgimie, se i kemi rrënjët tona në mobilizimin më të madh të lirisë dhe ndryshimeve demokratike në historinë e kombit shqiptar. Me gjithë zemër i uroj jo vetëm demokratëve por gjithë shqiptarëve: Gëzuar 24 vjetorin e lirisë, gëzuar themelimin e Partisë Demokratike. Si çdo komb që respekton historinë, edhe ne i kthehemi rrënjëve të lirisë tonë si një burim i pashtershëm vlerash, forcë dhe frymëzimi. Ne kujtojmë ato tre ngjarje të shënuara të dhjetorit 1990, sepse janë të lidhura në një trinitet, siç lidhen dielli, rrezja dhe drita.

• Me 8 dhjetor shpërtheu Lëvizja Studentore;

• Me 11 dhjetor lëvizja mori përmasa popullore dhe imponoi pluralizmin politik;

• Po atë mbrëmje, duke u gdhirë 12 dhjetor, shqiptarët themeluan dhe shpallën partinë e parë politike të tipit perëndimor, me një program thellësisht demokratik dhe pro europian.

Në lidhjen e tyre organike secila prej tri ngjarjeve madhore ka veçorinë e saj.

• Lëvizja studentore me idealizmin dhe kurajon e saj mposhti frikën dhe krijoi një lidhje të fuqishme me qytetarët dhe intelektualët e Tiranës.

• Pluralizmi i diktuar nga ky bashkim krijoi gjithë përfshirjen dhe izoloi nomenklaturën komuniste që sundonte për afro gjysmë shekulli.

• Krijimi i menjëhershëm i Partisë Demokratike jetësoi pluralizmin e vërtetë dhe i mbylli dyert manipulimeve të regjimit për një pluralizëm fasadë.

Studentët dhe intelektualët vendosën menjëherë në mbrëmjen e shpalljes së pluralizmit për krijimin e një partie të madhe popullore, për krijimin e Partisë Demokratike. Ky ishte një moment që ndryshoi rrjedhën e historisë. Partia Demokratike u bë zëdhënësja e revoltës popullore antikomuniste. Pa mjete, pa financa, pa përvojën dhe literaturën e nevojshme demokratike, mes shumë vështirësishë dhe pengesash, themeluesit ndezën pishtarin e demokracisë në mbarë Shqipërinë. Ata u përballën me partinë-shtet dhe me shtetin policor, vranë frikën me guximin e tyre.  Këta heronj të gjallë të  demokracisë organizuan brenda një kohë të shkurtër një parti politike nga njëri cep i vendit në tjetrin, ndërtuan alternativën e parë perëndimore të Shqipërisë dhe e udhëhoqën me mençuri atë drejt suksesit.  Kjo është gjeneza e Partisë Demokratike. Duke u kthyer në ato ditë dhe muaj të fillimit, ne konstatojmë  me krenari se Partia Demokratike përcaktoi lirinë  si substancë  të antikomunizmit.

• Partia Demokratike lindi si parti e lirisë dhe atdhetarisë.

• Partia Demokratike përqafoi përgjegjësinë politike e qytetare në vend të aventurizmit politik;

• Partia Demokratike zgjodhi tolerancën në vend të luftës së re të klasave,  zgjodhi gjithë përfshirjen në vend të diferencimit idelogjik, krahinor apo fetar, zgjodhi dashurinë në vend të urrejtjes.

Partia Demokratike u rrit duke luftuar  për këto  vlera. Ajo u ngrit si forcë e kalimit paqësor të vendit në demokraci ndonëse përballej me diktaturën me të egër të Europës. Këto janë vlerat e ADN-së sonë, e identitetit tonë si forcë politike. Me këto vlera dhe përmes tyre Partia Demokratike lindi e madhe dhe mbeti e madhe. E vërteta e Lëvizjes  Studentore, sikurse ajo e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë është  shkruar në arenë, me akte, me vepra, me vlera, me arritje që vendi dhe shoqëria shqiptare nuk i kishin njohur kurrë më pare dhe sot i nderojnë me respekt. Këto ngjarje do të mbesin monumente të kurajës civile dhe  ndërgjegjes demokratike shqiptare. Në çdo përvjetor historia kërkon heronjtë e saj. Me nderim dhe mirënjohje të thellë kujtojmë sonte ata që nuk i kemi më midis nesh:

• Azemin të parin,  prijësin dhe heroin e Lëvizjes Studentore,  themeluesin dhe  drejtuesin e lartë të Partisë Demokratike;

• Kujtojmë  dhe nderojmë tre themelues të tjerë, anëtarë të kryesisë së parë të PD-së, Gramoz Pashkon, Pjetër Arbnorin dhe Ali Spahinë;

• Kujtojmë me dhimbje akoma të freskët më të fundit e këtij panteoni politik Sokol Olldashin dhe Ferdinand Ponen.

Emra të tjerë demokratësh që nuk jetojnë më, kalojnë në këtë çast në mendjen e secilit prej nesh. Nderim  dhe mirënjohje për të gjithë. Duke kujtuar protagonizmin konstant të Partisë Demokratike në të gjitha ngjarjet  e mëdha të të demokracisë, nderimi dhe mirënjohja ime u drejtohet sonte gjithë demokratëve, nga i pari tek i fundit, nga ai dhjetorit të vitit 1990 tek ai i dhjetorit të vitit 2014. Ne të gjithë bashkë, jemi familja e madhe demokrate në shtëpinë e madhe të lirisë, që ka bërë histori  e do të vazhdojë të bëjë histori pozitive vlerash në këtë vend. Kemi fatin të kemi mes nesh shumë prej themeluesve të orës dhe vijës së parë, protagonistë të ndryshimit dhe udhëtimit europianoperëndimor të Shqipërisë të këtyre viteve. Nderim dhe mirënjohje në radhë të parë për liderin historik të Partisë, Sali Berishën, i cili më shumë se askush ka meritën historike që e mbajti të madhe dhe të fortë Partinë Demokratike, e mbajti alternativë në ditë të mira dhe në ditë të këqija. Kjo është Partia Demokratike. Dekriminalizmi i Kuvendit është për ne kushti i domosdoshëm për funksionimin e tij si një institucion i fjalës së lirë, i debateve të shëndetshme dhe dialogut të nevojshëm në të mirë të vendit. Kemi sakrifikuar e po sakrifikojmë për këtë objektiv jetik për demokracinë- kemi ndërprerë marrëdhëniet me Kuvendin – një masë inekstremis për një virtyt inekstremis,  por jemi të vetëdijshëm se qytetarët shqiptarë pa përjashtim e çmojnë, madje edhe vetë kundërshtarët tanë politikë do ta çmojnë lart vlerën e betejës tonë kur partitë të vendosin bashkërisht flakjen e mekanizmit që promovon trafikantë  dhe kondigjentë të krimit të organizuar në Kuvendin e Shqipërisë. Shpresojmë se kjo ditë nuk është larg. Bashkë  me 24 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, ne kremtojmë edhe Nisjen e Re që ishte deviza jonë politike e këtij viti. Nisja e re po maturohet dhe do vazhdojë pa u ndalur. Ne përfaqësojmë të ardhmen e këtij vendi dhe shqiptarët presin shumë prej nesh. Bashkimi, rinovimi, demokracia pjesëmarrëse nuk janë një proces i mbaruar por një rrugëtim i përhershëm. Ndonëse ndihemi më të bashkuar se kurrë në historinë tonë politike, kjo nuk mjafton. Bashkimi bën fuqinë dhe ky proces nuk do ndalet.  Nuk ka vend për ndasi. Të bashkuar do ngremë një alternativë të re, alternativën fituese për demokratët dhe gjithë shqiptarët. Shqipëria po kalon momente të vështira. Shumë nga arritjet 24 vjeçare janë vënë në pikëpyetje. Shoqëria është në pragun e mbijetesës. Zëri i Shqipërisë reale na thërret. Ne e dëgjojmë dhe duhet t’i dalim zot. Ky vend na ka thirrur gjithnjë për punë të mëdha dhe ne i jemi përgjigjur. Koha po afron sërish. Ne po përgatitemi. Ne po hapemi, po shtrihemi në çdo familje shqiptare. Kemi nevojë të bashkohemi me këdo që ka besuar ndonjëherë apo beson sot tek Partia Demokratike. Të hapur dhe bindes edhe për më skeptikët. për një jetë më të mirë. Lidhja jonë e re duhet të kalojë kufijtë tradicionale të ndarjeve politike.  2015 do të jetë viti i 25 vjetorit të rilindjes së madhe demokratike të Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Ju ftoj ta presim me dinjitetin e një vendi të lirë. Do të jetë viti i udhëtimit  në  historinë e sakrificave dhe përpjekjeve shqiptare për liri, i ilustruar në projektin tonë “drejt lirisë”. Do të jetë viti i modernizmit të mëtejshëm të Partisë Demokratike, viti i daljes së saj fuqishëm në pahun e kohës dhe shpresave të shqiptarëve si alternativa e re e zhvillimit dhe prosperitetit të tyre. Kjo është Shqipëria jonë, kjo është Partia Demokratike – forca e ëndrrës, besimit dhe suksesit për të gjithë.

SOM 1

“Shpresojmë se kjo ditë nuk është larg. Bashkë  me 24 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, ne kremtojmë edhe Nisjen e Re që ishte deviza jonë politike e këtij viti. Nisja e re po maturohet dhe do vazhdojë pa u ndalur. Ne përfaqësojmë të ardhmen e këtij vendi dhe shqiptarët presin shumë prej nesh. Bashkimi, rinovimi, demokracia pjesëmarrëse nuk janë një proces i mbaruar por një rrugëtim i përhershëm. Ndonëse ndihemi më të bashkuar se kurrë në historinë tonë politike, kjo nuk mjafton. Bashkimi bën fuqinë dhe ky proces nuk do ndalet.  Nuk ka vend për ndasi. Të bashkuar do ngremë një alternativë të re, alternativën fituese për demokratët dhe gjithë shqiptarët”