Lulzim Basha: Do të jemi një opozitë të fortë, moderne, bashkëpunuese për çështje madhore të vendit

408
Sigal

* Kryetar i PD-së

Askush nuk mund të harrojë se qeveria  “Berisha” është qeveria që anëtarësoi vendin në NATO, qeveria që hoqi vizat dhe bëri realitet ëndrrën e lëvizjes së lirë, që hoqi vendin nga lista e rekordeve të zeza të korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar, që rriti rrogat dhe pensionet, që evitoi recensionin në kohën e krizës globale, që shtroi trasenë e Shqipërisë së zhvilluar, moderne dhe europiane, me rrugë që nuk i ka njohur historia e këtij vendi, me 24 orë energji, shkolla, ujësjellës dhe spitale të reja, që futi Shqipërinë në moshën dixhitale, që u përkushtua si kurrë më parë në zgjidhjen e çështjes kombëtare, pavarësimin e Kosovës dhe njohjes së saj, që  përafroi më shumë se asnjë tjetër, integrimin e vendit në BE, që nënshkroi MSA, që e zbatoi atë dhe reformat shoqëruese, që aplikoi për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në BE dhe që meritoi rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, për marrjen e statusit kandidat, që udhëhoqi me vizion, kurajo dhe vendosmëri procesin e vështirë të konfirmimit të gazsjellësit Trans – Adriatik. Qeveria “Berisha” është e do të mbetet një histori e pakrahasueshme suksesi, në historinë njëqind vjeçare të shtetit shqiptar. Qeveria “Berisha” është e do të mbetet gjithashtu një vlerë dhe një trashëgimi shumë e çmuar e PD-së. Ne vijmë nga një përvojë e çmuar e qeverisjes, që na ka mësuar shumë të gjithëve. Ne i kemi potencialet të bëjmë opozitën më efikase që ka njohur vendi. Ne jemi demokratë. Ne i përkulemi pa apelim, votës së lirë të popullit. Ne e dimë se rrotacioni i pushtetit  është një dhunti dhe atribut jetëdhënës i demokracisë. Për këto arsye dhe për faktin tjetër të gjithëpranuar, se zgjedhjet e lira janë mjeti për ta lënë dhe jo vetëm për ta marrë pushtetin, ne e kemi pranuar dhe  përjetuar  si demokratë këtë zhvillim në jetën e vendit. Ne shpalosim legjitimisht meritat e qeverisë sonë, në përmbushjen e detyrave që ka qeveria, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve më të mira që ka njohur vendi. Ne shpalosim legjitimisht vlerat e kalimit të rregullt e të përgjegjshëm të pushtetit. E gjithë kjo nuk na pengon aspak, të shohim drejt në sy, sot dhe në ditët në vijim, parregullsitë dhe interferimet antiligjore të ish –opozitës, në procesin ligjor. Për herë të parë, kemi parë një opozitë që ka vjedhur e blerë vota, për të tjetërsuar rezultate. Bashkë me aleatët tanë, kjo këtu është opozita parlamentare e Shqipërisë. Unë  besoj se kjo fjalë thotë shumë, për çdo shqiptar. Ajo ka një tingëllim të veçantë, epik dhe heroik do të thosha, në historinë e shtetit shqiptar. Në periudha të caktuara të kësaj historie, opozita parlamentare ka qenë kultura dhe klasi i Shqipërisë. Me ardhjen  e komunizmit, opozita parlamentare u bë simbol i martirizimit dhe persekutimit më të egër. Me hapjen e vendit, pas vitit 1991, opozita parlamentare ka qenë në momentet më të mira, simbol i shpresës dhe rojtare e pazëvendësueshme e demokracisë. Gjithë kjo histori është sot pjesë e vetëdijes dhe përgjegjësisë sonë, për misionin e ri që po marrim si opozitë, mision i cili në shoqërinë e hapur, është  po aq i lartë, i rëndësishëm dhe jetik, sa edhe qeverisja. Ne jemi krenarë, sepse jemi partia që e ka themeluar opozitën parlamentare në Shqipërinë postkomuniste, pluraliste. Në periudhën 1991-1992, ishte grupi parlamentar i partisë sonë, që me guxim, vendosmëri dhe vizion të ri demokratik udhëhoqi përpjekjet, për t’i dhënë shprehje në rrafshin kushtetues e ligjor, përmbysjes së madhe të dhjetorit 1990, duke përgatitur terrenin për fitoren e madhe të 22 marsit 1992. Nga viti 1997 deri në vitin 2005, grupit parlamentar demokrat i ra barra të mbante gjallë dhe ndezur pishtarin e opozitarizmit, në një periudhë të karakterizuar nga revanshizmi i egër neokomunist, me një qeverisje të rekordeve të zeza, ku ngritja e korrupsionit në sistem dhe kapja e shtetit nga krimi i organizuar kishin njollosur imazhin e vendit dhe dërrmuar shpresën për zhvillim dhe integrim. Opozita parlamentare e PD-së mbijetoi dhe doli fuqishëm në rolin e saj, duke ndezur shpresën për ndryshim. Sot, në një Shqipëri  të zhvilluar dhe të përgatitur për shpërthime të reja zhvillimore, falë qeverisjes sonë tetëvjeçare dhe reformave liberale në veprim, ne fillojmë një opozitë të re, përballë një shumice që është votuar me një program antireformist, populist dhe etatist, tipik për të majtat e vjetra asistencialiste të viteve gjashtëdhjetë, të tejkaluara prej kohësh nga të majtat e reja europiane. Ne duam ta njoftojmë sot këtë shumicë dhe qeverinë e saj, dhe  ky  është një lajm i mirë, në mos për ta, për publikun shqiptar, se duke filluar nga sot e deri në ditën e fundit të Kuvendit që ka dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit, ata do të kenë përballë grupin parlamentar të PD-së; do të kenë  përballë një opozitë të fortë, moderne; profesionale, bashkëpunuese për çështje madhore të vendit; kontrolluese e përditshme e akteve të qeverisë; verifikuese e rreptë e premtimeve të saj; kritikuese e të metave dhe gabimeve  të saj; denoncuese e korrupsionit; abuzimeve dhe shkeljeve eventuale të saj; mbrojtëse e vendosur e lirive, të drejtave dhe gjithë arritjeve demokratike  në vend; një opozitë propozuese dhe shpresëdhënëse që do të avancojë vazhdimisht alternativën e saj të qendrës dhe qendrës së djathtë.  Qytetarëve shqiptarë u deklarojmë sot, konsensusin tonë pa kushte, për çdo ligj dhe akt që shkon në favor të integrimit europian të Shqipërisë. Ne njoftojmë gjithashtu bashkëpunim konstant dhe mbështetje nga deputetët tanë, në komisionet përkatëse dhe në aulën e Kuvendit, për të gjitha obligimet e anëtarësimit të  Shqipërisë  në NATO, për marrëdhëniet e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, për politikat e paqes në rajon, për  bashkëpunimin e veçantë,  në dritën e politikave të reja integruese me Kosovën, etj. Ne do të jemi të hapur, për çdo nismë verifikuese të akteve të qeverisë sonë nga shumica e re. Ministrat tanë na kanë dhënë të parët, shembullin e kësaj gatishmërie domethënëse, gjë që tregon se nuk kemi asnjë shqetësim nga transparenca, përkundrazi, kush do të  ketë nevojë dhe kohë të merret me koncensionet  e qeverisë  sonë fjala vjen, e para dhe e fundit gjë që do të zbulojë, do të jenë  akuzat e pabaza, spekulimet dhe shpifjet e parreshtuara që ish – opozita ka adresuar kundër ministrave të PD-së. Duke ofruar këtë gatishmëri, grupi ynë parlamentar dhe PD-ja do të përdorin të gjitha mjetet demokratike, për të mos lejuar zhbërjen e produktit të reformave që janë ndërmarrë gjatë viteve të qeverisjes sonë, në ekonomi, arsim, administrim, etj.  Një prioritet i grupit tonë do të jetë monitorimi ditë për ditë i premtimeve që shumica e re u ka bërë zgjedhësve, kundrejt votës që u ka kërkuar. Dëshiroj ta garantoj në emrin tuaj qeverinë e re, se ne nuk do t’i japim paqe asnjë minutë, për sa u takon mbajtjes prej saj të premtimeve. Këtë e konsiderojmë jetike për të mos lejuar nëpërkëmbjen e dinjitetit të qytetarëve si dhe për kulturën e seriozitetit dhe përgjegjësisë që duhet të kultivojmë në raportet e politikës me publikun. Kush tërhiqet nga premtimet, duhet të përballet me pasojat. Dua të theksoj me këtë rast, se nuk do të jemi opozita e baltës, e spekulimeve, shpifjeve apo dhunës verbale. Do të jemi opozita e fakteve, opozita e gjykimeve të shëndosha, opozita e arsyes. Ne do t’i përmbahemi vlerave të guximit, etikës dhe klasit që karakterizon kulturën politike të qendrës së djathtë.  Ndërkaq, të nderuar miq, ne nuk do të jemi një opozitë akademike apo libreske që vepron vetëm në aulat dhe anekset e Kuvendit të Shqipërisë. Opozita jonë parlamentare do të jetë popullore dhe publike. Deputetët tanë do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me zgjedhësit, jo vetëm me ata që na kanë votuar, por me të gjithë zgjedhësit pa përjashtim, që do të duan të qajnë një hall, të ngrenë një shqetësim, të propozojnë një zgjidhje. Grupi ynë parlamentar do të jetë në çdo seancë, zëri i drejtë, realist dhe i fuqishëm i Shqipërisë opozitare në Kuvendin e Shqipërisë.  Ne duam të bëhemi një shkollë e opozitarizmit në vend, me synimin që kultura e mospajtimit me të keqen në një anë dhe ajo e solidaritetit dhe pozitivizmit në anën tjetër, të bëhen gjithnjë e më shumë një zakon i mirë i komunitetit dhe mbarë popullit shqiptar.  Jo vetëm në këtë aspekt, por para së gjithash në fushën e politikave të zhvillimit, që janë pasioni ynë i madh, ne do të jemi gjithashtu  një opozitë alternative, propozuese, ndërtuese. Koha ka treguar se opozitarizmi dhe qeverisja janë dy talentet e spikatura të Partisë Demokratike. Pas tetë vjetësh në qeverisje të suksesshme, kthehemi të fillojmë sot opozitën e tretë në harkun e pak më shumë se dy dekadave në demokraci. Në këtë edicion, Kuvendi do të jetë arenë primare e opozitarizmit tonë. Grupi parlamentar do të jetë pararoja e udhëtimit që fillojmë sot, për t’u bërë sërish shumicë qeverisëse nesër.