Luksi i deputetëve/ Ndërkohë që qytetarëve u rritet çmimi i energjisë, për kondicionerët e Kuvendit bëhet tender 300 mln. lekë

190
Sigal

Në kulmin e debateve për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur një tender të majmë për ti “ftohur”. Jo për t’u ftohur mendjen, që të zgjedhin një emër të denjë, por për t’i mbrojtur nga vapa e madhe! Temperaturat e larta në Shqipëri kanë sjellë ankesat e burrave të shtetit, të cilat, pasi janë mësuar me temperaturat në banesat e tyre, duan të njëjta kushte edhe në zyrat e shtetit. Në një tender që ka shpallur vetë Kuvendi i Shqipërisë, i cili ka akorduar plot 300 mijë dollarë. Tendera të tilla janë bërë sa herë që në Tiranë temperaturat rriten, apo në stinën e verës. Por, ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, që me vështirësi paguajnë faturat e dritave, apo nuk kanë instaluar kondicionerë në banesa, për burrat e shtetit mendojnë taksapaguesit. Përveç rrogës, dietave të majme, benefiteve të tjera, apo edhe për pensionin e majmë që marrin, me taksat e shqiptarëve këta deputetë do të ftohen. Sipas dokumenteve që ka siguruar BoldNeës.al, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur tenderin për blerje mallrash me objekt “f.v të sistemit për trajtimin e ajrit dhe kondicionimit në Sallën Plenare”. Në dokumente thuhet se fondi limit për këtë tender është 26.281.128 lekë pa TVSH. Fondi është strukturuar sipas projektit; fondi limit për furnizim për pajisje mekanike VRV/Kondicionere/Ventilatore/Rooftop në vlerë 18.085.053 lekë pa TVSH. Gjithashtu edhe fondi limit i përfshirë edhe fondin rezervë 5% në vlerë 11.210.251 lekë pa TVSH për punime për instalimin e pajisjeve mekanike. Punime llamarine, kabllo komunikimi dhe sinjalizimi, tubacione për furnizimin me ajër, grila dhe aksesorë të tjerë si dhe sistemi i Instalimit të tubacioneve të kondesimit. Në dokumente thuhet se kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 2 muaj nga data e dorëzimit nga AK të sheshit të ndërtimit. Tenderi do të zhvillohet në datën 26 qershor, ndërsa me këto afate, punimet pritet të përfundojnë në verë. Por, ajo që bie në sy në këtë procedurë është se po harxhohen miliona lekë për ajrin e kondicionuar të Kuvendit, kur fare mirë këto para mund të shkonin për ndërtimin e çerdheve, kopshteve, lulishteve apo edhe për shkollat e spitalet. Kuvendi është marrë gjatë me këto procedura, pasi i ka specifikuar një e nga një. I ka analizuar në bazë të ankesave apo edhe të vetë të sistemit aktual. “Objekti është i përbërë nga zona me tipologji të ndryshme, në të cilat ushtrohen aktivitete që dallojnë me njëra tjetrën, por që kanë të njëjtin qëllim të përbashkët për sa i përket sigurimit të një komoditeti normal për punonjësit. Këto kërkesa janë vlerësuar në proporcion me standardet e jetesës si dhe me ndikimin e tyre në koston e ndërtimit të objektit”, thuhet në këto dokumente. Por, në çfarë standardi të jetesës? Të deputetëve apo të njerëzve të thjeshtë?! Më tej, thuhet se sistemi i ngrohje/ ftohjes se godinës është planifikuar të jetë me pompë nxehtësie VRV Inverter (gaz gaz). “Këtu kemi përfshirë ambientet e zyrave dhe korridoreve. Gazi do të shpërndahet nga rrjeti i tubove të bakrit. Të tre katet do të kenë në funksionin e tyre vetëm një grupim pajisjesh të jashtme. Të gjitha njësitë e brendshme do të komandohen nga një pult qendror, të cilët do të instalohen në ambientin e recepsionit, kati përdhe”,- thuhet në këto dokumente.