Lufta e Vlorës, Presidenti Meta: Kur populli i merr në dorë fatet e veta atëherë janë të sigurta

330
Sigal

Për Presidentin Ilir Meta, lufta e Vlorës tregoi se Shqipëria ka zot dhe gjithashtu është model për mos pranimin e sundimit të huaj. Kreu i shtetit u shpreh se kjo luftë bëri të qartë se kur populli i merr në dorë fatet e veta atëherë janë të sigurta.

“Lufta e Vlorës ishte lufta më e vërtetë për Shqipërinë dhe ekzistencën e saj, ishte lufta që garantoi funksionimin e pavarësisë së Ismail Qemalit. Ajo ishte lufta kombëtare për Shqipërinë për vendosjen e autoritetit të shtetit, ndalimin e planeve anti-shqiptare, që vendosnin në pikëpyetje pavarësinë.

Shpërtheu në një moment kur të gjitha ushtritë zbarkuan në Shqipëri. Thirrja e presidentit amerikan Uillson, ngjalli shpresa të mëdha edhe për shqiptarët, por çështja ishte e nënçmuar dhe paqartësia u bë edhe me e madhe se para luftës. Vlora mori në duar fatet e veta, por edhe Tepelena, Mallakastra, Himara, Dibra, etj. Shqiptarët kanë luftuar për të mbrojtur të drejtat e tyre, lufta e Vlorës bën dallim sepse ishte çlirimtare. Kjo ishte një fitore historike. Më në fund Shqipëria u bë.

Lufta e Vlorës krijoi modelin e mos pranimit të sundimit të huaj. Lufta e Vlorës u dha fundin e merituar projekteve për shpërbërjen e Shqipërisë. Lufta tregoi se vendi ka Zot. Është një model organizimi atdhetar. Sot nderojmë, kapedanët, mjekët, gratë në krah të burrave, ndihmesën e diasporës. Kur populli i merr në dorë fatet e veta atëherë janë të sigurta.

Lufta u kthye edhe në një burim frymëzimi. 22 vite më pas, 4 djem të rinj vlonjat bënë një histori, heronj, kundër 400 fashistëve, shtëpia u kthye në një kala. Nderim dhe mirënjohje. Na lanë trashëgimi mesazhin që vlen edhe sot; në vendin e shqiponjave lindin gjithmonë shqiponja që do e mbrojnë gjithmonë Shqipërinë. Aq më tepër në Vlorë. Këtu në Vlorë u jetësua liria dhe pavarësia” tha Meta në ceremoninë e 100-vjetorit të luftës së Vlorës.