Luçiano Boçi: (Anti)Reforma e Arsimit të Lartë vendos diktatin e politikës

458
Sigal

Luçiano Boçi, drejtues i Departamentit të Arsimit në PD, në intervistën për “Telegraf” vlerëson si antireformë projektligjin e ri të MAS “Për Arsimin e Lartë”, sepse vendos (përfundimisht me ligj) diktatin e politikës në çdo qelizë të Arsimit.

– Zoti Boçi, ndryshimi i emërtimit nga MASH në MAS është thjesht një emërtim rutine i institucionit, apo shpreh brendi thelbësore të një politike të re?

– Në realitet është një “risi” e atakuar nga ne, që në momentin kur u lançua nga kjo qeverisje. Ka pasur debate deri në kufijtë e ironisë në lidhje me këtë emërtim. Për ne nuk ishte thjesht çështje terminologjie më shumë se çështje vizioni e filozofie mediokre qeverisjeje. Ky ndryshim, sado formal të shfaqej në dukje, sillte një spostim vëmendje nga misioni final i vetë arsimimit, që është dhe duhet të jetë arritja e kërkimit dhe hulumtimit shkencor dhe i funksionit të Ministrisë përkatëse. Ai shmangte pothuaj tërësisht shkencën si objektiv social dhe e degdiste atë drejt një pike, e cila, ndonëse ka rëndësinë e vet specifike, nuk mund të jetë aq shumë me peshë, sa të spostojë atë. Sporti është pjesë e edukimit dhe e arsimimit, sikurse një aktivitet kulturor i domosdoshëm, por që asnjëherë nuk mund të jetë ekuivalent i shkencës. Kambanat tona të alarmit u vërtetuan, kur kjo filozofi mori trajtat e nismave konkrete kryministrore, të cilat për habinë e të gjithëve parashtruan si problem kyç të arsimimit të nxënësve në Shqipëri lëndën argëtuese të fizkulturës, përkundrejt atyre që sigurojnë formimin shkencor të nxënësit. E gjitha kjo u shoqërua me daljen nga vëmendja totale të shkencës, promovimit dhe zhvillimit të saj, e shprehur jo thjesht në nivelin e organizimit strukturor të ministrisë, por dhe në zërat qesharake që iu akorduan shkencës nga buxhetet shtetërore suksesive, si dhe së fundmi, me goditjen tjetër që i jepet e asaj me Ligjin e ri për Arsimin e Lartë.

– Si e vlerësoni gjendjen e Arsimit të Lartë në Shqipëri?

– Arsimi i Lartë është vendosur me dhunë në një udhëkryq të imponuar nga qëndrime dhe vendime zyrtare të pashije dhe aspak proakademike dhe në tërësinë e tyre antistudentore. Ka një arrogancë të theksuar dhe trysni qeverisëse, e cila reflektohet në shumë drejtime dhe mënyra. Nuk e kam fjalën thjesht për mbylljen e disa universiteteve, pasi nuk jam kundër penaliteteve që duhet të jepen në rastin e evidentimit të shkeljeve ligjore, sesa për diferencimet penalizuese me ngjyrime të theksuara politiko-klienteliste-preferenciale të tyre. Më shumë, ndër të tjera, më shqetëson rrëzimi progresiv që imponohet autoritetit të stafeve akademike, qoftë me mosvlerësim financiar, qoftë me mosvlerësim shkencor nga zyra ministrore të pa identitet. Gjithashtu, shqetësuese mbetet sjellja ndaj universiteteve publike, të cilat tentohet të kategorizohen në të dorës së parë dhe të dorës së dytë, sipas disa interesave të ditës. Alarmante është situata e studentëve, numri i të cilëve ka pësuar rënie të pa argumentueshme, të cilët konceptohen si mbushës buxheti dhe jo si të mbështetur nga buxheti, si individë incognito që nuk kanë peshë ne rolin dhe vendimmarrjen universitare.

– Sipas jush, përse u pezullua nga qeveria Agjencia e Akreditimit?

– Pezullimi i saj është pjesë e hapave të vendosjes së saj nën kontroll të plotë shtetëror për ta përdorur më pas si instrument efikas për arritjen e qëllimeve të ngushta. E çuditshme është se ky pezullim u bë në një kohë, kur kjo agjenci kishte nisur procedurën e pranimit dhe ishte fare pranë fitimit të së drejtës për të qenë anëtare e ENQA-s.

– Çfarë risie do të sjellë agjencia e akreditimit që është angleze? Dhe a i përmbush kjo agjenci standardet europiane përkatëse?

– Sipas ligjit aktual, informacioni i paraqitet Këshillit të Akreditimit, nëpërmjet Agjencisë së Akreditimit, i cili shprehet me vendime përkatëse për institucione, degë e programe të caktuara. Ligji i ri parashikon që agjencia angleze t’ia përcjellë përfundimin e vlerësimit Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë, e cila ia kalon Bordit të Akreditimit për vlerësim final.

– Është hapur një debat, lidhur me politikën e re ekonomike që ndjekin universitetet, duke rritur tarifat ekonomike të studentëve. Përse ndodh kjo?

– Kjo është pjesë e shumë absurditeteve të instaluara nga kjo filozofi e re universitare. Për më tepër, një fakt i tillë anashkalon dhe shpërfill të gjitha premtimet për ulje tarifash për studentët të së majtës në pushtet dhe shkon ndesh me tendencën e rolit gjithnjë e në rritje të shtetit, në mënyrën dhe llojin e financimit që i bën ai arsimit të lartë. Vendos në pozitë të disfavorshme, për shumë arsye komplekse, universitetet publike ndaj atyre të pavarura (private).

– A mundet të justifikohet politika e qeverisë duke thënë që rektoratet e universiteteve shtetërore janë të pavarura nga politika, dhe ato caktojnë politikën ekonomike në universitetet shtetërore?

– Roli që i mbetet të luajë Rektorit në aspektin e gjetjes, sigurimit dhe menaxhimit të burimeve financiare është fare minimal, për të mos thënë pa vlerë fare. Rektori, me këtë ligj, shndërrohet në një përfaqësues honorifik të trupës akademike, e cila është tepër e shpërfillur në veprimtarinë e saj, në raport me trupën administrative. Ai kontrollohet dhe dirigjohet nga administrator, quasi i emëruar nga politika i institucionit të arsimit të lartë.

– A ka baza ligjore testimi i mësuesve me shkallën e kualifikimit të tyre, kështu siç po zbatohet nga MAS?

– Testimi është një mekanizëm antiligjor, me karakter filtrues politik, i futur në praktikën e rekrutimit të personelit mësimor dhe praktikën e vlerësimit të dijes së mësuesit në mënyrë arbitrare dhe krejtësisht i pambështetur në ligj apo aktet nënligjore. I panjohur dhe i papranuar nga teksti i kontratës kolektive të mësuesit.

– Ministrja Nikolla akuzon, si MASH, që “gjetëm në sistem 4000 dëshmi shkeljeje të ligjit duke vendosur mësues pa arsim përkatës apo jashtë profili”. Cili është reagimi juaj?

– Është një nga spekulimet më gjakftohta dhe më të shëmtuara. Shifra i referohet mësuesve pa arsim përkatës dhe atyre jashtë profilit, të konsideruar të tillë me të padrejtë. Në rastin e pare, pjesa më e madhe janë mësues që kanë mbaruar një shkollë mësuesie të mesme ose arti, të cilët kanë përmbushur të tre shkallët e kualifikimit, çka do të thotë që ligjërisht janë mësues të konsideruar me arsim përkatës dhe janë të shpërndarë në ato shkolla me pak nxënës, për arsye gjeografike dhe me distancë të madhe  nga qendrat urbane. Ndërkohë, nga 2005-2013, PD largoi 13.000 mësues me pedagogjike por pa shkallët e domosdoshme të kualifikimit. Të dytët, të quajturit jashtë profilit, janë rezultat i natyrshëm i mospërputhjes së plotë të normës mësimore me numrin natyral të mësuesve, fenomen ky që rrjedh brenda normalitetit organizues të një shkolle.

-Cila është epërsia dhe cila është dobësia e universitetit publik?

– Epërsia janë përvoja dhe cilësia e stafit akademik. Dobësia, autonomia e kufizuar ose e rrëzuar e tanishme.

-Si e vlerësoni ju faktin që  MAS ka pezulluar procesin e anëtarësimit të Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë në ENQA (rrjeti i agjencive europiane të arsimit të lartë) dhe tashmë ajo kontrakton një agjenci tjetër,  e cila është anëtare e ENQA?

– Veprim me prapavijë të plotë politike që synoi, siç dhe ndodhi, vendosjen nën kontroll të saj, duke ndërprerë mandatet e anëtarëve dhe drejtuesve të saj. Kontaktimi i agjencisë britanike mund të realizohej nga vetë agjencia.

-Ligji aktual e njeh sistemin part-time dhe shkollën doktorale. Mos hapja e tyre, a përbën shkelje ligjore për qeverinë?

– Pengimi i sistemit part-time është shkelje e së drejtës kushtetuese për arsimim të çdo individi, që ka dëshirë dhe mundësi ta ndjekë një sistem të tillë. Çdo shtet është i detyruar të ofrojë rrugë alternative arsimimi për popullatën, krahas sistemit me kohë të plotë.

 -Si mundet të besojmë tek suksesi në Reformimin e Arsimit të Lartë, drejt kërkimit shkencor, në kushtet e një buxhetimi 2.6% të GDP?

– Sukseset e kësaj “reforme” janë imagjinare dhe i gjen vetëm në manualet e fjalimet qeveritare. Në kushtet e një buxheti për arsimin, 2.6 %, kur premtimi ishte për 5% dhe në kushtet e financimit të kërkimit shkencor në nivelin e 0,7%, është e pamundur të besohet dhe të preken arritje, sado e madhe të interpretohet dëshira.

Kritika ndaj P/ligjit për Arsimin e Lartë

– Si e vlerësoni reformën e ndërmarrë në Arsimin e Lartë nga MAS-i, me projektligjin e ri?

– Reforma e re, më shumë se e tillë, është riformatim interesash tërësore të një kaste politike dhe njëkohësisht një tentativë për të nënshtruar dhe kontrolluar politikisht universitetet. Kundërshtimi për të ka për të qenë absolut në nivel akademik e në nivel politik, pasi është formatuar në formën më të keqe të mundshme. Pasoja e parë e papranueshme dhe më evidente e këtij ligji është humbja e autonomisë akademike dhe financiare, e shprehur kjo në rritjen artificiale të rolit të Administratorit të IAL, i cili pothuaj është i deleguar nga MAS, pavarësisht procedurës së pretenduar konkurruese, përkundrejt rolit të Rektorit. Gjithashtu, kjo humbje e autonomisë shprehet në rrëmbimin e kompetencave të universiteteve nga qendra pranë ministres, siç është Qendra e shërbimeve arsimore, apo AKAFL, në kufizimin e rolit të senatit akademik, në shkrirjen e këshillave të fakulteteve dhe në rritjen e kontrollit artificial të gjitha njësive nga “të deleguar të qeverisë” të paraqitur si administratorë të dekanateve e departamenteve, sikurse shprehet në shpërfilljen totale të studentëve, të cilët shihen si klientë, që shkojnë e vijnë, sipas interesit të tyre të ngushtë dhe jo si faktor me impakt tërësor.

Ka ndonjë vlerë pozitive, që ju e  vlerësoni se mund të ndikojë në rritjen cilësore të mësimdhënies?

– Rritja e cilësisë së mësimdhënies duket se nuk është pjesë e synimeve të  kësaj reforme, përkundrazi. Përpos rregullimit të interesave ekonomiko-politike, këto ndryshime ligjore nuk synojnë arritje cilësore apo kërkimore-shkencore dhe njëkohësisht i japin një goditje fatale zhvlerësuese, gjithçkaje pozitive të arritur në këto vite përpjekjesh e investimesh.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA