Luan Rama: Shqipëria nuk e meriton që të jetë në duar gangsterësh

526
Sigal

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, teksa referon shkrimin e një dite më parë të së përditshmes “Bild”, deklaron se Shqipëria nuk e meriton që të jetë në duart e gangesterëve që e qeverisin sot atë.

Në këtë kontekst, Luan Rama deklaroi se dje kryeministri Edi Rama në vend që të fliste për dorëheqjen e tij si e vetmja mënyrë për ti dhënë fund krizës politike dhe institucionale që ka përfshirë vendin prej më shumë se 5 muajsh, ai foli për një Shqipëri imagjinare, duke dëshmuar se jeton jashtë realitetit.

“Kryeministri i Shqipërisë u paraqit në dy pamje. Ai bëri aktorin për t’u paraqitur i shqetësuar për ‘kinse’ për imazhin e Shqipërisë në botë.

Nuk janë protestat e qytetarëve nuk janë protestat e opozitës që e cënojnë imazhin e një vendi. Imazhin e një vendi  e përbalt qeverisja e krimit. Një nga gazetat më të madhe në botë dhe e më shitura në Europë “Bild “ e cilëson Shqipërinë si një vend kaotik në duar të bandave.

Qytetarët e një vendi dhe opozita është në protest është në luftë për ta larguar të keqen nga qeverisja e  vendit. Shqipëria nuk e meriton të jetë në duar gangsterësh”, u shpreh ai.

Konferenca për shtyp e Zëvendëskryetarit të LSI-së, Luan Rama

Në emër të LSI-së dua të sjell në vëmendje të qytetarëve për të bërë çështje të opinionit publik një problem thelbësor dhe prioritar, siç është ai që ka të bëjë me imazhin e Shqipërisë në botë.
Në tiradën e vet të gjatë e të bezdisshme, Kryeministri i Shqipërisë u paraqit në dy pamje që pavarësisht perceptimit ekstremisht në të kundërt, në thelb janë e njëjta gjë. Ai bëri aktorin për t’u paraqitur i shqetësuar për kinse “imazhin e Shqipërisë në botë” nga njërën anë, dhe nga ana tjetër, për t’u paraqitur i qetë që protestat e qytetarëve dhe të opozitës nuk e lëkundin dhe nuk e rrëzojnë qeverinë, por po dëmtojnë imazhin e vendit. Natyrisht pa thënë shkakun apo arsyen e vetme se përse imazhi i Shqipërisë në botë vjen gjithnjë e më shumë duke u rrënuar!
Nuk janë protestat e qytetarëve, nuk është protesta e opozitës që e prish imazhin e Shqipërisë në botë, sepse imazhin e një vendi në asnjë vend të botës nuk e cenojnë protestat e qytetarëve si një institucion demokratik në një shoqëri demokratike.
Imazhin e një vendi e cënon dhe e përbalt, e nëpërkëmb dhe e rrënon papërgjegjshmëria e qeverisjes, kriminalizmi i qeverisjes dhe qeverisja në shërbim të krimit.
Dhe pikërisht për shkak të këtij faktori themelor edhe një prej gazetave më të mëdha në botë dhe më e madhja e më shitura në Europë, siç është gazeta Bild, thotë shprehimisht se: “Shqipëria është shembulli kryesor i një vendi kaotik në duar gangsterësh.”
Kjo është arsyeja se përse imazhi i Shqipërisë në botë vjen gjithnjë e duke u rrënuar.
Shkaku është qeveria e gangsterëve, me kryegangsterin kryeministrin e këtij vendi.
Në papërgjegjmëri të plotë, kur duhet që më shumë se cilido tjetër dhe më shumë se kushdo të reflektojë me përgjegjshmëri për të vënë interesat e vendit mbi ato të klanit kriminal, për të vënë të ardhmen europiane të Shqipërisë mbi të ardhmen e vet dhe të klanit të vet mafioz, të reflektonte duke dhënë dorëheqjen për t’i çelur rrugë zgjidhjes së krizës politike, ai vazhdon me kryeneçësi duke përligjur ato që thotë “Bild-i”.
Por jo vetëm “Bild-i”, këtë e thonë të gjitha agjencitë, këtë e thonë gazetat dhe mediat më prestigjioze e më të mëdha të Europës.
Prandaj qytetarët dhe jo vetëm opozita, por qytetarët e këtij vendi dhe opozita e bërë njësh me ta është në protestë, është në revoltë, është në kontest.
Është dhe do të jetë në luftë të vendosur për ta larguar njëherë e përgjithmonë të keqen nga qeverisja e këtij vendi, për të realizuar më në fund rikthimin e vendit në normalitet përmes një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm, të barabartë, ku qytetarët shqiptarë të jenë të lirë dhe sovranë në të drejtën e tyre për të zgjedhur.
Shqipëria nuk e meriton të jetë në duar gangsterësh!