Luan Rama: Qeveria po e përdor shtetin kundër qytetarëve!

798
( fjala ne Kuvend) 
Çdo akt juridik apo çdo vendim që merr ky Kuvend për mbrojtjen e qytetarëve, është i rëndësishëm, e në këtë pikëpamje, edhe marrëveshjet që kanë për objekt sigurimin dhe mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Europë e gjetiu nëpër botë, marrin një rëndësi parësore.
Sepse, në fund të fundit, kemi të bëjmë me një demonstrim të vëmendjes dhe të përkujdesjes shtetërore ndaj qytetarëve tanë.
Në thelb e gjitha kjo është çështje raporti midis shtetit dhe individit, dhe si ndërveprueshmëri midis kontributeve që reciprokisht japing individi dhe shteti për të mbajtur dhe për të mbrojtur njëri-tjetrin. 
Mirëpo tingëllon paradoksale e gjitha kjo, kur realisht shteti ynë nuk i mbron qytetarët e vet në vendin e tij. 
Sepse qytetarët shqiptarë në Republikën e Shqipërisë janë të pambrojtur përballë arbitraritetit shtetëror, përballë arbitraritetit të administratës, përballë arbitraritetit të qeverisjes. Janë të pambrojtur përballë abuzivizmit shtetëror, përballë abuzivizmit të administratës, pëballë abuzivizmit dhe arrogancës së qeverisë. Dhe për të perifrazuar një frazë të kryeministrit, më lejoni të them atë që ai më thoshte mua, kur i ngrita shqetësimin për një largim të padrejtë nga puna vetëm për arsye politike, i cili m’u përgjigj: “ske çi bën Luan, kështu e ka kjo punë”! 
Qytetarët e vendit tënd zoti Kryetar i Kuvendit dhe të vendit tim zoti Kryetar i Kuvendit, për të cilët, ne të dy kemi folur dhe kemi punuar bashkë për të garantuar shtetin social me dimensione humanizimi, janë të pambrojtur përballë korrupsionit. 
Janë të pambrojtu përballë korrupsionit në të gjithë nivelet të administratës. 
Natyrisht, kjo nuk është një epidemi e shfaqur vetëm gjatë 5 viteve të fundit në qeverisje. Por ka 5 vjet që në vend të luftohej është thelluar, është agravuar, është bërë më me pasoja korrupsioni mbi cilësinë e jetës së qytetarëve, mbi shërbimin që shteti duhet t’u garantojë qytetarëve. Kemi folur për drejtësinë shoqërore, për shtetin e së drejtës dhe për drejtësinë si institucion zoti Kryetar i Kuvendit, por për fat të keq, si asnjëherë tjetër në 27 vite të Shqipërisë postkomuniste, sistemi i drejtësisë është në një kolaps total. Sot Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese zoti Kryetar iKuvendit! 
Sot Shqipëria është me një sistem drejtësie tërësisht në kolaps dhe përballë abuzivizmit, arbitraritetit dhe arrogancës së çdo institucioni në vendimmarrjen e vet, përfshirë këtu dhe Kuvendin e Shqipërisë, qytetarët shqiptarë janë të pambrojtur. 
Ky Kuvend sot mund të ndërmarrë çfarëdo lloj akti dhe askush nuk ka mundësinë të mbrohet siç e garanton Kushtetuta duke ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese, sepse një Gjykatë Kushtetuese me 4 anëtarë nuk ka kourumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe për të marrë një vendim në mbrojtje të kushtetuetshmërisë. 
E pra, kjo është skandaloze siç është skandaloz fakti që në të njëjtën situatë është dhe Gjykata e Lartë e vendit. E flasim pastaj për Reformën në Drejtësi. Bëjmë retorikë këtu dhe mburremi edhe përballë partnerëve ndërkombëtarë që po i japim jetë Reformës në Drejtësi. Me cilën Drejtësi? Me drejtësinë pa Gjykatë Kushtetuese? Me Drejtësinë pa Gjykatë të Lartë?! 
Dhe natyrisht, pas 5 vitesh në qeverisje, nuk mund të justifikohemi duke thënë që përgjegjësia është e Berishës. Është për të qeshur!
E kuptoj, në vitin e parë, në vitin e dytë, hajde dhe në vitin e tretë, transferohet përgjegjësia te paraardhësi. Por pesë vite më pas, të flasësh për përgjegjësi te paraardhësi nuk është asgjë më shumë se sa të referohesh siç referoheshim në vitet 80-të, duke marrë si sistem referimi standardet e Shqipërisë të 1938-ës. Mbrojtja e qytetarit nuk është çështje individuale. Nuk është as çështje interesash apo oreksesh personale, qofshin këto dhe të kryeministrit të vendit, sipas atij shembullit kur një qytetare e sëmurë në Rrëshen gjeti mundësinë t’i drejtohej kryeministrit, dhe më pas ky e mori prej dore dhe e çoi në mjediset e spitalit që të merrte trajtimin, të cilin shteti e ka detyrim ta bëjë, pavarësisht e njeh apo jo kryeministrin, e takon apo nuk e takon kryeministrin. E pra, kjo qasje shtetërore, institucionale u mungon qytetarëve shqiptarë, sepse këtu gjithçka lidhet me emrin e një individi. Shteti është kryeministri, kryeministri është shteti. Shteti – kryeministër janë shërbimi, janë jeta, janë shpëtimi, janë shëndetësia, janë siguria, janë arsimi, janë gjithçka. Prandaj marr shkas nga ky diskutim që po bëhet për të evidentuar këtë dimension skandaloz të abuzivimizmit dhe të shpërdorimit të emrit të shtetit, gjoja në emër të shtetit , por që në fakt është e lidhur gjithçka me emrin e kryeministrit. U fol këtu edhe për çështjen e taksimit apo të tarifës për përdorimin, shfrytëzimin e Rrugës së Kombit. Është në fakt edhe kjo një gjë paradoksale. Ajo rrugë ka nisur si një trill, si një ideal romantik dhe patriotik me të ashtuquajturën “Taksa Majko” dhe po e katandisim këtë gjë në tarifën ‘Edit Tooll”.
Natyrisht, jo këtu në këtë salle, po asgjëkundi, aq më tepër që tani qytetarët shqiptarë lëvizin dhe shohin se cila është cilësia e shërbimit dhe mënyra e tarifimit dhe në vendet e Europës, nuk është kundër faktit që administrimi, mirëmbajtja dhe cilësia e shërbimit në atë rrugë ka nevojë për tarifë. Problemi këtu shtrohet për kuotën e tarifës, prandaj të mos spekulojmë duke thënë që ju jeni kundër tarifës, kur në vendet e tjera ekziston, por këtu problemi është te kuota e tarifës. Te transparenca që çon në marrëveshjen që fikson atë kuotë të tarifës. 
E qeveria e ka detyrim, e ka përgjegjësi përballë qytetarëve të vet edhe në përmbushje të domosdoshmërisë së mbrojtjes shoqërore apo sociale të qytetarëve, të jetë transparente përballë tyre. Unë personalisht me thënë të drejtën jam për një tarifë logjike, siç jam për një tarifë logjike edhe në rrugë të tjera, për më përpara se të vendosë tarifën, shteti duhet të garantojë standardet, cilësinë dhe sigurinë e shërbimit dhe pastaj të vendosë tarifimin. 
E për ta bërë më dramatike çështjen dhe për t’i dhënë dimension global siç preferojmë të shprehemi rëndom, e transferojmë vëmendjen nga tërësia e problemeve që kemi brenda vendit që janë probleme të sigurisë, të luftës kundër krimit, kundër korrupsionit, kundër shpërdorimit, kundër abuzivizmit edhe kundër talljes me qytetarët tek atu/ja propagandistike e financimeve apo interferencave ruse në mjedisin politik apo në realitetin politik shqiptar. Është një sajesë e shëmtuar dhe e rëndomtë. Edhe nga informacionet zyrtare që agjencitë e specializuara çojnë në institucionet e shtetit, asgjëkundi nuk është folur, madje as dyshuar për rrezik rus ndaj Shqipërisë. 
E mora si shaka dhe si lojë propagandistike siç marrë zakonisht shpesh herë ato që artikulon kryeministri, çështjen e ndikimit apo rrezikut rus, por pasi dëgjova dhe dy këshilltarë nga Fushë-Arrëzi, që i ka marrë PS, a thua se ka blerë Interi Messin; asi foli dhe një torollak nga Shkodra që kjo qenka loja e madhe dhe këta këshilltarët të ndjeshëm nga rreziku rus në Shqipëri jepnin dorëheqjen dhe largoheshin nga grupi i këshilltarëve të LSI, që kontributin e tyre patriotik për të mbrojtur atdheun nga rreziku rus do të shkojnë ta japin në rradhën e këshilltarëve të PS, atëherë e quaj realisht një rrezik serioz. 
Se, përderisa ndjeshmëria patriotike paska prekur edhe pejzat e shpirtit të një torollaku këshilltar në Bashkinë e Shkodrës dhe të dy të tjerëve në Fushë-Arrëz, realisht qenka një çështje që duhet konsideruar. 
Të nderuar kolegë të mazhorancës, miq dhe bashkëluftëtarë të kauzave të përbashkëta, mos e degradoni deri këtu, cilësinë, seriozitetin, vëmendjen dhe investimin që ka bërë PS, për Shqipërinë Europiane. Kemi qenë ne socialistët që kemi folur dhe e kemi demonstruar duke kthyer në një institucion kauzën, të lëshojmë pushtet për të bërë shtet. E ndaj mos e lëshoni shtetin për të forcuar pushtet. Mos e shpërdoroni shtetin për të përdorur pushtetin, për të ngritur pushtetin e egos tuaj personale sepse ky është një dëm me pasoja të pallogaritshme. Dhe nuk dua të ndalem këtu për të sjellë referenca edhe nga kolegët socialist ë se cili është qëndrimi i tyre real për të gjitha këto kauza demagogjike dhe qesharake. E për ta mbyllur më lejoni të them një shprehje që në sentencën e vet shpreh qartë se cili është në fakt raporti midis pushtetit, shpërdorimit, arrogancës dhe keqpërdorimit që i bën qeveria e kryeministrit Edi Rama autoritetit që në fakt duhet të ushtroj në emër të shtetit. Drejtësia pa fuqi është e dobët. por fuqia pa drejtësi është despotike, prandaj reflektoni me atë ndjenjë përgjegjësie dhe serioziteti që e ka në AND-në e vet, vetë PS që ka ditur ta demonstrojë kur i është dashur të tregojë se ngrihet mbi interesat e vet për hir të interesave të shteti, jo vetëm nën kauzën të lëshojmë pushtet për të bërë shtet, por në të gjithë atë investim që ka bërë që prej 91, e në vite me rradhë për të cilën ju nuk flisni. Nuk flisni sepse për ju historia fillon në 2013-ën, kur erdhi Rilindja, e ashtuquajtura dhe jo PS në pushtet. Ju e bëni skëterër gjithçka ka bërë shteti shqiptar, shoqëria shqiptare, qytetarët shqiptarë, vetë PS në 97-98, në vitin 2000-2001. Sepse kështu thoni: Skëterrë çdo gjë përpara se të vija unë!
Dhe ku ndryshon diktatori i Koresë së Veriut nga despoti i qeverisë së Rilindjes? Në asgjë. Madje janë të ngjashëm njësoj si dy pika uji, kur thonë: epoka, koha fillon në ditën që kam ardhur unë. Prandaj të nderuar kolegë ngrihuni të paktën në atë nivel përgjegjësie dhe serioziteti që kishte PS kur ishte PS
Sigal