Sigal

Fjala e deputetit të LSI-së, Luan Rama në Parlament

Së pari dua të theksoj që sot nuk është një ditë e zakonshme dhe Kuvendi nuk mund t’a trajtojë të gjithë atë që po ndodh jashtë sallës së tij si një çështje procedurash. E dyta, protesta e studentëve, revolta e studentëve, në thelb është treguesi më i mirë i produktit politik të të gjithë klasës politike të këtij vendi në 27 vjet dhe është produkti më akuzues i qeverisjes së këtij vendi, që do të thotë që të gjithë ne këtu, pavarësisht ngjyrës politike dhe krahut që përfaqësojmë, duhet të ndihemi të turpëruar, të ulim kokën dhe t’u kërkojmë ndjesë atyre studentëve, dhe të harrojmë për një çast se çfarë mandati partiak kemi këtu, për t’u ngritur të paktën në nivelin e qytetarisë, të kulturës dhe të rezistencës së atyre studentëve atje.

Pikërisht kjo është arsyeja që ne jemi sot në këtë sallë, që t’i bëjmë thirrje vetes sonë, të ulim kokën dhe t’u kërkojmë atyre ndjesë dhe të reflektojmë jo duke u kapërdisur, as duke u mburrur me numrin e kartonëve apo me postet që mbajmë, por pikë së pari të mendojmë që ata janë djem dhe vajza nënash, janë djem të këtij vendi që janë atje për shkak të përgjegjësisë sonë. Të të gjithëve ne. Më lëni t`ju shikoj në sy kolegë deputetë të Partisë Socialiste dhe të shoh te secili prej jush fytyrën e vërtetë, dimensionin njerëzor, solidaritetin për të cilin keni folur në 27 vjet dhe ta shfaqim këtë sot si reflektim. Le të rrijë procedura, le të rrijë Kuvendi mbledhur sot, nesër, pasnesër. Këtu në mjediset e Kuvendit, në komfortin e kondicionerëve, në kontrast, me rrugën ku qëndrojnë ata dhe të legalizojmë që tani atë që Kryeministri thotë se është dakord. A je dakord? Hajde të miratojmë ndryshimet në ligj, të legalizojmë atë që thonë studentët dhe pastaj të ecim më tej ose përndryshe studentët kanë të gjithë të drejtën e Zotit të na nxjerrin të gjithë jashtë duke filluar nga ky Rama këtu e tek Rama këtu.