Sigal

Fjala e Zëvendës Kryetarit të LSI-së Luan Rama në Konventën Kombëtare

Motra dhe vëllezër!

Të dashur delegatë, anëtarë, veprimtarë dhe përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të mbledhur në Konventën tonë Kombëtare! Shqipëria reale që na ofruan studentët protestues përkundër Shqipërisë virtuale që na propagandon makina e pushtetit, na kujton misionin e madh të LSI-së, e cila 15 vjet më parë lindi si forca e luftës kundër të keqes, lindi si gjeneratori i përshpejtimit të ritmeve të integrimit evropian të Shqipërisë. Dhe në këto 15 vite, LSI eci, u rrit, u forcua dhe u bë faktor përcaktues në politikën shqiptare falë mbështetjes dhe dashurisë së qytetarëve shqiptarë dhe në mbrojtje të interesave të Shqipërisë.

E sot konstatoj se paska qenë misioni ynë historik të mos i ndahemi luftës me të keqen, me të keqen që ka zënë për fyti fatet e Shqipërisë, me të keqen që ka marrë peng procesin e integrimit evropian të vendit dhe që i është kundërvënë interesave qytetare, interesave shqiptare, interesave kombëtare.

Ne nuk e kemi fshehur dhe nuk e fshehim asnjëherë. Po, ishim me studentët, ishim me protestën, sepse jemi me Shqipërinë, jemi më rininë e këtij vendi dhe të tjerët që bëhen xhelozë dhe që ndjehen keq që LSI është edhe forcë e rinisë, le të rrinë në hallin e tyre, lë të rrinë në dhimbjen e tyre dhe të vazhdojnë të shohin sesi projektohet fundi i agonisë së tyre.

Ne jemi sot në këtë Konventë, në këtë fillim viti të ri politik, pasi kemi mbyllur një vit me vështirësi. Pasi kemi mbyllur një vit me probleme dhe pasi kemi mbyllur një vit ku shqiptarët panë mirë se cila është e keqja dhe cila është e mira. Se cila është ajo që duhet luftuar dhe cila është ajo që duhet mbështetur për të ndërtuar Shqipërinë e ëndrrave, Shqipërinë Europiane.

LSI asnjëherë nuk ka bërë pazar me interesat e vendit. Dhe për hir të interesave të vendit, për hir të interesave kombëtare, për hir të integrimit evropian të Shqipërisë është investuar gjithmonë si faktor i rëndësishëm stabiliteti, si faktor i rëndësishëm integrimi dhe si faktor i rëndësishëm unitetet, shqiptar dhe kombëtar.

Dhe këtë e kemi dëshmuar, sa herë ka lind nevoja.

Ne zgjodhëm që pikërisht për hir të këtyre interesave, të shkojmë dhe të bëjmë opozitën. E zgjodhëm opozitën edhe kur na ftonin të rrinim në pushtet. E zgjodhëm opozitën duke humbur pushtetin, për fituam LSI. Dhe të gjithë bashkë e fituam LSI-në, pa makutët, pa batakçinjtë, pa servilët dhe pa hajdutët që sot janë në prehërin e Rilindjes.

Ne duke dalë në opozitë bëmë dhe një detyrë të madhe patriotike  sepse jo vetëm i ikëm tepsisë, por u treguam shqiptarëve se cila është e keqja që me 4 vjet në bashkëqeverisje me LSI arriti të fshihej, të kamuflohej dhe të fitonte nën imazhin e LSI. Do të duhej të iknim ne nga pushteti që ti hapeshin petët lakrorit të korrupsionit, të krimit e të drogës dhe të firmave që fitojnë qindra miliona me dokumente të falsifikuara në zyrat e pushtetit. Prandaj ne jemi sot këtu, për tu thënë shqiptareve, jemi me ju dhe bashkë me ju jemi me interesat evropiane të Shqipërisë. Dhe duke luftuar kundër të keqes, kundër korrupsionit dhe kundër krimit.

Ne do të vazhdojmë të jemi faktori bashkues, faktori i unitetit për integrimin evropian të shqiptarëve.  Prandaj motra dhe vëllezër, le ta nisim këtë vit të ri politik, nën tonusin, frekuencën, në solidaritetin dhe në frymën e rezistencës që na demonstruar studentët për të bërë të mundur që  të fitojë çeljen e negociatave me BE. Për të bërë të mundur realizimin e ëndrrës së madhe, për të bërë të mundur që Shqipëria të jetë shtëpia e jonë e përbashkët, shtëpia e dashurisë sonë të madhe, shtëpia e mirësisë, shtëpia e unitetit.