Luan Rama i LSI-së: Mesazhet e Konferencës së Pezës, aktuale dhe frymëzuese

472
Sigal

Gjatë ditës së djeshme u përkujtua në Pezë  të Madhe, Tiranë, 72- vjetori i Konferencës së Pezës, ku merrnin pjesë zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Gjeneralmajor Jeronim Bazo, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, deputetë etj.. Në një prononcim për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama u shpreh se, Konferenca e Pezës përcaktoi karakterin patriotik dhe antifashist të luftës partizane.  ”Peza është çeta e parë antifashiste në Europë”, tha përfaqësuesi i LSI-së. Sipas tij, mesazhet e Konferencës së Pezës janë gjithnjë aktuale dhe frymëzuese. “Peza është monument krenarie në historinë antifashiste të shqiptarëve”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së. Ndërsa, gjatë fjalës së tij Peleshi theksoi se vlerat e luftës duhet tu përcillen brezit të ri si dhe të punohet së bashku për të kaluar sfidat e mëdha. “Duhet të përcjellim vlerat e luftës çlirimtare te brezi i ri. Jemi para sfidave të mëdha, të punojmë së bashku”,- u shpreh Peleshi. Ndërsa, ministrja e Mbrojtjes Kodheli u shpreh se këtë vit do bëhen përpjekje, për të sjellë sigurinë për të ardhmen. “Të kujtojmë me meritë dëshmorët dhe martirët”- theksoi Kodheli. Konferenca e Pezës njihet si përpjekja e parë madhore për unifikimin e faktorit shqiptar, duke e renditur vendin përkrah koalicionit botëror anti-fashist. Platforma kryesore e konferencës ishte bashkimi i shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje në frontin nacionalçlirimtar.