Luan Rama e mohon: LSI nuk votoi për rritjen e çmimit të ujit, ata që ishin në mbledhje nuk i njohim

690
Megjithëse u tha se LSI ishte dakord për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, ku dy këshilltarë të vetëshpallur të kësaj force, votuan pro, nënkryetari i LSI-së Luan Rama e mohon.
Ai tha se vendimi i LSI-së është bërë i qartë para mbledhjes dhe se nuk i njeh ata individë. Bëhet fjalë për Agim Krajën dhe Genta Mezinin, e cila është betuar sot si këshilltare.
Luan Rama tha se Kraja nuk është këshilltar i LSI-së dhe se Mezinin nuk e njeh fare. Ai deklaroi se LSI nuk ka qenë e pranishme në mbledhje.
“Qëllimi politik dhe institucional është qëndrimi që u shpreh nga Erjona Bixha. Agim Kraja nuk përfaqëson LSI-në sepse ai ka qenë dikur me monarkinë, është kthyer ka ikur, punë e tij. Ne zgjodhëm rrugën institucionale. Ofruam seriozitet dhe zgjidhje ligjore. Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e LSI. Jemi koherentë në qëndrimin tonë. Kemi një konstante të pandryshueshme që është shërbimi ndaj qytetarëve. Individë të veçantë mund të luajnë. Genta Mezinin nuk e njoh fare kush është, nuk e njoh për këshilltare të LSI-së”, deklaroi Luan Rama.
Ai theksoi se koordinatorja e këshilltarëve të LSI-së, “Erjona Bixha e bëri të qartë para se të fillonte mbledhja qëndrimin e këshilltarëve të LSI-së çdo lëvizje tjetër nuk ka të bëjë me qëndrimin e LSI-së”.
Rama pohoi se LSI zgjodhi rrugën institucionale. “Mbledhja filloi me këshilltarët e PS dhe PD. Mblidhja filloi me këtë kuorum. Ne nuk kemi qenë. As këshilltarët nuk kanë qenë në fillim të mbledhjes. Por qëndrimi politik është ai që ka shprehur koordinatorja e LSI-së. Ky Kraja nuk është këshilltar i LSI dhe atë tjetrin se njoh. Ky nuk është qëndrim i LSI. Grupi i këshilltarëve zgjodhi rrugën e bashkëpunimit me kryetarin e bashkisë. Ne bashkëpunimin e kemi pasur institucional”, tha ai.
Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi sot rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me votën e 31 anëtarëve, kuorumi i nevojshëm, 25 këshilltarë të PS, 3 të PDIU, 2 të LSI dhe 1 i FRD.
Këshilltarët e Partisë Demokratike bojkotuan mbledhjen.
Rritja e çmimit të ujit të pijshëm bëhet me 20 lekë për m3: nga 45 lekë/ m3 bëhet 65 lekë/m3.
Sigal