Luan Baçi: Kryeministri Rama, koncesionari i Rafinerisë së Naftës në Ballsh. Me lëmoshat që dha, do të fitojë kohë

242
Sigal

Luan Baçi, ish- deputet

Është tallja e radhës e Edi Ramës, i cili ka 8 vjet tashmë që vetëm gënjen, mashtron, vjedh, bën vetëm propagandë. Gjetja e investitorëve të huaj për të zgjidhur problemin e naftëtarëve nga ana e tij, është thjesht të fitojë kohë

Kryeministri Rama është koncesionari i Rafinerisë së Naftës në Ballsh

 Gazeta Telegraf

Luan Baçi, ish- deputet në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se kryeministri Rama do t’i gënjejë naftëtarët, sepse pas koncesionarëve të rafinerisë së naftës në Ballsh, është vetë ai. Gjithë nëpunësit e administratës publike në Fier janë nën presion e terror nga drejtuesit, për të dhënë lista me familjarë, që duhet të votojnë Rilindjen, ndryshe i zbojnë nga puna. Zoti Baçi pohon se kanë shtuar shumë dhe përkohësisht vendet e punës, por u kanë përgjysmuar pagat, deri në 25 prill. Zoti Baçi pohon se spitali rajonal i Fierit, ndonëse nuk është i specializuar, nuk ka asnjë masë paraprake, është me pacientë të infektuar me Covid-19, ndërkohë që mësuesit e infektuar shantazhohen të punojnë, duke u bërë vatra të infektimit të mëtejshëm.

Zoti Baçi, pse kryeministri Rama nuk përmendi në debatet publike për grevën e naftëtarëve përgjegjësinë ligjore të  koncesionarëve që kanë rafinerinë e naftës?

– Protestat e punonjësve të naftës së uzinës së Ballshit, janë nga protestat më të gjata në kohë. KM Rama asnjëherë nuk e përmend publikisht përgjegjësinë ligjore të koncesionarëve, pyetje shumë me vend kjo. Po si do ta përmendë këtë përgjegjësi, kur pas koncesionarëve është vetë Rama dhe banda e tij e hajdutëve të pangopur! Po si do ta përmendë, kur koncesionarët i ndërron në çdo gjashtë muaj. Po si do të përmendë përgjegjësinë ligjore te tyre, kur kjo përgjegjësi bie direkt mbi të. Po si do ta përmendë, kur vetë po deklaron se jemi duke kërkuar  partner tjetër tani, pra hajdutin e radhës që të vjedhë në emër të Ramës.

Jam i bindur se do ta mbyllin çështjen, nuk mund të hetohet kryebashkiaku i plotpushtetshëm dhe i mbështetur fuqimisht nga Rama në aferat e tij. Prokuroria është nën presion dhe ka treguar në shumë raste se është varur

Ju si e konsideroni heshtjen e prokurorisë, që nuk vepron përpara një krimi, derisa punëdhënësi nuk paguan me vite 900 punëtorë?

– Kjo është një vjedhje e pastër, shumë e dukshme dhe e pa justifikueshme në çdo aspekt. Kemi rastin që pagat e një periudhe kohe, janë fituar me gjyq, nga punonjësit e rafinerisë, ka një vendim gjyqi, që përmbarimi e ka në duart e veta dhe nuk e ekzekuton. Të gjitha pushtetet janë të kapura nga një njeri, që komandon gjithçka, dhe si e tillë, edhe prokuroria dhe çdo institucion tjetër ndikohen dhe urdhërohen nga ky njeri, që ka uzurpuar çdo pushtet në këtë vend.

A e quani zgjidhje të problemit të naftëtarëve dhe Rafinerisë në Ballsh, premtimin e kryeministrit Rama se, po bisedon me të huaj, të marrin ata përsipër qindra milionë euro borxhe, e Rafinerinë e Naftës në Ballsh?

– Është tallja e radhës e KM të vendit Edi Rama, i cili ka 8 vjet tashmë që vetëm gënjen, mashtron, vjedh, bën vetëm propagandë. Gjetja e investitorëve të huaj për të zgjidhur problemin e naftëtarëve nga ana e tij, është thjesht të fitojë kohë, deri në 25 Prill, kur sovrani do t’i bëjë gjyqin, duke e larguar jo vetëm nga pushteti që ka vjedhur, por edhe nga politika, duke e dërguar aty ku ai meriton, për vjedhjet dhe abuzimet e tij.

PD Dega Fier ka kallzuar penalisht në Prokurori kryetarin e bashkisë Subashin dhe drejtuesen e Shëndetit Publik në Fier, Mirela Mitro, për këto shkelje flagrante dhe të vërtetuara. Por prokuroria Fier shpalli moskompetencën

– Si është gjendja e shërbimit shëndetësor në Qarkun e Fierit, për të përballuar pandeminë e Covid-19?

Shërbimi shëndetësor është pothuaj në kolaps të plotë, është një situatë shumë e rëndë dhe pothuaj jashtë kontrollit. Janë me qindra raste qytetarësh të infektuar me Covid-19, të identifikuar dhe që mjekohen në shtëpi, duke u konsultuar me mjekë që njohin personalisht, shumë herë jo infeksioniste dhe me shpenzime të veta, që i përballojnë edhe duke u futur në borxhe. Janë me qindra raste të tjera të paidentifikuar me simptoma të qarta të infeksionit, por që lëvizin lirshëm, venë në punë, krijojnë kontakte, madje ka raste të mësuesve të infektuar, që nën presionin e drejtuesve të tyre venë dhe japin mësim, duke rrezikuar seriozisht jetën e shumë të tjerëve. Janë dhjetra raste që të sëmurët me Covid, janë shtruar ne spitalin e Fierit megjithëse ky spital nuk e ka tagrin dhe kushtet që të trajtojë keta pacient. Çdo shërbim dhe shpenzim për të sëmurët përballohet nga familjarët e tyre. Tamponet dhe analizat bëhen në mënyrë selektive. Drejtoresha e këtij institucioni, i përzgjedh sipas bindjeve partiake, lidhjeve familjare dhe farefisnore, ndërhyrjeve të deputetëve të rilindjes dhe sipas porosive të kryebashkiakut të emëruar, Subashit. Qeveria në vend që të reagojë, të marrë masa, të reflektojë, bën të kundërtën. Akuzon opozitën për destruktive dhe thurr lavde për udhëheqësin e saj. Kryeministri Rama dhe qeveria e tij, kanë si prioritet, koncesionet, PPP, vjedhjet, abuzimet, dhe pasurimin e pandalshëm të tyre.

A ka tendenca që në Qarkun e Fierit të manipulohen listat e zgjedhjeve? A ka presion shtetëror ndaj nëpunësve të administratës publike që paraprakisht të hartojnë lista me persona familjarë që do të votojnë në 25 prill 2021 Partinë në qeverisje?

–  Çdo ditë po venë nën presion administratën, për largim nga puna ose me masa të tjera diskriminuese, që këta jo vetëm duhet të votojnë rilindjen e Ramës, por duhet të detyrojnë me lloj- lloj formash, familjarët dhe të afërmit e tyre dhe të japin prova për votat që do marrin. Kujtoj këtu, formularët e mbushur nga drejtues institucionesh, ku kanë detyruar punonjësit e administratës, të shkruajnë me dorën e tyre, me shkrim dore, emër, mbiemër, numër personal të ID, numër e tel. dhe duke e firmosur atë personalisht çdo njeri prej tyre. PD Dega Fier, ka kallzuar penalisht në Prokurori kryetarin e bashkisë Subashin dhe drejtuesen e Shëndetit Publik në Fier, Mirela Mitro, për këto shkelje flagrante dhe të vërtetuara. Por prokuroria Fier, shpalli moskompetencën dhe e delegoi këtë çështje në SPAK. Dhe këtu filloi loja e tyre, SPAKU, përsëri nuk e quajti të arsyeshme ta ndiqte çështjen dhe ja kaloi përsëri Prokurorisë Fier, ku këta të fundit filluan hetimin, duke marrë në pyetje mua si drejtues të Degës dhe Sekretarin e Degës, pavarsisht se faktet i kanë mbi tavolinë të qarta dhe shumë të dukshme. Jam i bindur se do ta mbyllin çështjen, nuk mund të hetohet kryebashkiaku i plotpushtetshëm dhe i mbështetur fuqimisht nga Rama në aferat e tij. Prokuroria është nën presion dhe ka treguar në shumë raste se është varur. Pra jo vetëm që presioni është në rritje dhe në forma nga më të ndryshmet, por kanë filluar edhe mënyrën tjetër shumë të dënueshme të mbushjes së institucioneve me militantë të tyre, të harruar deri tani dhe të lënë pas dore. Në Bashkinë e Fierit, janë hapur në mënyrë të paligjshme me dhjetra vende pune, pa punë. Gjysmojnë pagat dhe shtojnë njerëzit në punë. Krijojnë brigada punonjësish, gjelbërimi, pastrimi, ku mbledhin parazitë, votues të tyre tradicionalë  të paarsyeshëm, duke i gënjyer dhe këta të shkretë, disa muaj para zgjedhjve dhe pastaj i braktisin përsëri në fatin e vet të pa shpresë. Në çdo institucion tjetër po bëjnë krehjen e fundit se mos ka mbetur ndonjë nga ata që nuk i votojnë, por që kanë rezistuar në punë, me ndonjë mik apo të afërm të lidhur me pushtetarët e sotëm dhe e heqin menjëherë për ta zëvendësuar me militantë besnikë të tyre. E veçanta në Fier është ‘Albpetroli’, një ndërmarrje shtetërore, me aktivitet të zgjeruar dhe numër punonjësish të konsiderueshëm. Këtu janë përqëndruar  të gjitha forcat tashmë, pasi kjo ndërmarrje, ka qenë e administruar gjatë këtyre 7 viteve nga mercenarë, hajdutë të ardhur nga Tirana dhe pak akses kanë patuar këtu në Fier për të vjedhur dhe për emërimet. Tashmë në fund të mandatit, Rama ua fali ‘Albpetrolin’ drejtuesve të Fierit, jashtë Bashkisë, Petros dhe Baftjarit dhe këta kanë filluar ethshëm të bëjnë rregullimet dhe plotësimet e duhura për nevojat e tyre në funksion të ëndrrës së tyre për një mandat të tretë. Ta harrojnë, 25 Prilli 2021 do të jetë funerali i tyre politik, qytetarët e Fierit dhe gjithë Shqipërisë nuk mund të durojnë më këtë bandë hajdutësh dhe grabitësish të pa skrupuj, sovrani do t’i ndëshkojë me votë dhe do t’i largojë turpshëm nga pushteti që kanë uzurpuar.

– Faleminderit!