LSI te busti i Qemal Stafës, Luan Rama: Shqipëria europiane, detyrim për brezat

440
Zv.Kryetari i LSI Luan Rama, Sekretari i Përgjigjthshëm Endrit Braimllari, Deputetja e LSI-së Floida Kërpaci dhe të rinjtë e forumit rinor të LRI-së zhvilluan sot homazhe te busti i Qemal Stafës në Tiranë me rastin e 5 majit. Gjatë fjalës së tij, Zv.Kryetari i LSI-së, Luan Rama tha se 5 maji është dita e kujtesës popullore dhe kombëtare për sakrificën më të madhe që bëri populli shqiptar. “5 maji ditë e shenjtë e historisë sonë, 5 maji është një ditë krenarie”,- tha Luan Rama
Fjala e plotë e Luan Ramës
5 Maji, dita e nderimit të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dita e kujtesës popullore dhe kombëtare për sakrificën më të madhe që bëri populli shqiptar, është padyshim një ditë e shenjtë e historisë sonë, është një ditë krenarie.
E mbi të gjitha, është një ditë mesazh që sakrifica, gjaku, heroizmi partizan, jetët e atyre djemve dhe vajzave që u flijuan për lirinë e atdheut, të mbeten në bazamentin mbi të cilin ne të punojmë për një të ardhme më të mirë.
Jemi këtu si çdo 5 maj, përpara bustit të Qemal Stafës, njeriut simbol të luftës, të një brezi të lavdishëm, të rinisë shqiptare, që u bë jo vetëm promotorja dhe frymëzuesja e luftës popullore për çlirimin e atdheut.
Por jemi këtu para bustit të Qemal Stafës, pasi 5 maji është dita e rënies së tij, e pikërisht për të nderuar këtë brez është lidhur emri i Qemal Stafës, rënia e tij heroike me ditën e nderimit së dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Po nga largësia e kohës me atë ngjarje ne jemi këtu me këta të rinj, për të dëshmuar se nuk ka kohë, se nuk ka distancë por ëndërra për Shqipërinë Europiane, ëndërra për Shqipërinë demokratike, ëndërra për Shqipërinë e të rinjve dhe të rinisë që është e ardhmja e saj, mbetet gjithmonë si detyrim që shkon stafetë nga brezi në brez. Prandaj edhe njëherë lavdi dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. I përjetshëm qoftë kujtimi i atyre që flijuan jetën për lirinë e atdheut dhe ky mesazh dhe nderimi për ta të jetë stafeta e krenarisë dhe e nderit që shkon brez pas brezi sepse një popull që di të nderojë historinë e vetë di të ndërtojë të ardhmen e vetë të sigurt.
Sigal