“LSI për skrap”, Xhixho: S’na zhdukin dot nga skena politike, pasi ajo është një realitet

135
Kryeministri Edi Rama zbuloi dje paktin me Lulzim Bashën, që sipas tij synonte që të çonin LSI-në për “skrap”, por kryesocialisti tha se kryedemokrati e tradhtoi. Nënkryetarja e LSI-së Erisa Xhixho,  tha se sa herë që Edi Rama e ka ëndërruar një gjë të tillë, forca politike ku bën pjesë vetëm është rritur.
Sigal

“Mendoj që sa herë që Rama e ka ëndërruar këtë gjë, LSI është rritur dhe nuk është një forcë e re por ka 15 vite, është një realitet politik tani. Por mendësia e tij ndaj mendimit ndryshe, prirjes së tij ndaj pluralizmit politik. Të flasësh me atë gjuhë është një artikulim që nuk bën krenar askënd. Sa i përket gjithë qasjes së tij ndaj LSI-së që vjen në rritje gjatë gjithë kohës dhe sa herë është përballuar me fushatat elektorale ka pasur vetëm rritje. Sa më shumë goditet LSI aq më shumë rritet” tha ajo.

Por çfarë mendon Xhixho për deklaratat e Lulzim Bashës në 2017 për LSI-në, që e cilësonte ndër të tjera si “partie tepsie” dhe a e kanë tejkaluar këtë ngërç? “Këtë pyetje duhet t’ia bëni zotit Basha. Duhet parë në kontekstin kur është thënë dhe si erdhi ajo retorikë. Unë mendoj që ne jemi në një moment shumë kritik për vendin dhe secili mban përgjegjësi për deklaratat që bën, por unë mendoj sot zgjedhjet e 25 prillit janë kritike. Përpara këtij regjimi që ne jemi sot, padyshim që cdo gjë sot duhet të jetë në fokusin e llogaridhënies së kësaj qeverie.

Sot ka vetëm një armik kundër demokracisë së vendit dhe ai është Edi Rama. Rikthimi i këtyre videove në mënyrë të dëshpëruar nga PS-ja, ndërkohë që duhet të japin llogari. Gjithë filozofia e fushatës së PS nuk do të ketë as program as alternativë, gjithë filozofia e tyre do të jetë artikulimi i këtyre videove dhe batuta” tha ajo.

E ndërsa PS-ja ka afruar disa nga ish-figurat kryesore të LSI-së, si Lefter Koka, Nasip Naço, etj, forca e drejtuar nga Monika Kryemadhi në objektiv ka bazën socialiste të zhgënjyer. Për të larguarit, Xhixho kishte një koment. “Nuk ka asnjë shqetësim LSI ndaj njerëzve që erdhën për interesa të caktuara, largohen për interesa të caktuara. Në njësinë 1 dhe 2 takoj cdo ditë socialistë të pakënaqur”.

Në fund, Xhixho tha se beson se mbështetja në elektorat është më e madhe se ajo që pasqyrohet në sondazhe. “Edhe me manipulimin e sondazheve LSI-në nuk e zhdukin dot nga skena politike, pasi ajo është një realitet dhe zgjedhjet e radhës që ju do të befasoheni nga rezultati”.