LSI organizoi një takim në Vllahinë dhe Trevllazër të Vlorës ku u prezantuan edhe kandidatët për deputet të LSI-së

438
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi takime në Vllahinë dhe Trevllazër të Vlorës, ku u prezantuan edhe kandidatët për deputet të LSI-së.

Të pranishëm në këto takime ishin Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta, kryesuesi i listës së LSI-së në qarkun e Vlorës, Prof. Shezai Rrokaj, kandidatët e LSI-së për qarkun e Vlorës, Enada Koçiraj e Flamur Çelaj, qytetarë, simpatizantë, etj.

Duke marrë fajlën në këto takime, Kryetari i Kuvendit theksoi se politika duhet t’i japi besimin rinisë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e bën këtë duke kandiduar të rinj në listat për deputet.

“Ne duam t’i japim besim rinisë dhe përmes këtyre të rinjve t’i japim besim të gjithë të rinjve në vendin tonë se Shqipëria është e tyrja”,- u shpreh Kryetari i Kuvendit duke shtuar se LSI-ja është forcë stabiliteti dhe integrimi ndaj dhe ajo do të dalë forcë e parë politike në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. “Të gjitha rrugët të çojnë te LSI-ja. Te forca e stabilitetit, e qëndrueshmërisë, e integritetit, karakterit dhe këto janë vlerat që nuk i ka vetëm LSI-ja, por që i ka edhe populli i Vlorës, ndaj edhe në Vlorë, LSI do të jetë forcë e parë”,- theksoi z. Meta.

Duke folur për modelin politik që përcjellë LSI tek qytetari, z. Meta u shpreh se LSI-ja është një parti e cila jeton me problemet e qytetarëve për t’i zgjidhur ato dhe jo duke i parë qytetarët me arrogancë.

“Kjo nuk është një betejë e LSI-së, kjo është një betejë e rinisë së Shqipërisë për t’i dhënë një shans gjithë të rinjve dhe të rejave një herë e përgjithmonë dhe për t’i dhënë fund qeverisë, e cila i shikon qytetarët me arrogancë. Ne duhet ta shohim njëri-tjetrin në sy në mënyrë që t’i kuptojmë sa më mirë hallet dhe problemet e tuaja”,- nënvizoi Kryetari i Kuvend.

Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet të LSI-së në qarkun e Vlorës, profesor Shezai Rrokaj u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim pa një program të ri për të qeverisur vendin e cila do të jetë efikase dhe që do t’i ofrojë punë qytetarëve. Krahas kësaj, profesor Rrokaj u ndal edhe tek platforma fiskale e LSI-së e cila do të ri-ngrejë fuqinë e bizneseve shqiptare.

“Ne kemi një program të ri: qeverisje e mirë dhe punë për qytetarët. Ne do të ulim taksat mbi buxhetorët të cilët paguajnë sot 13-23%. Kemi një politikë të qartë për taksat e konsumit. Ne gjykojmë që biznesit duhet t’i japim frymëmarrje, pasi nëse nuk i japim frymëmarrje biznesi tkurret”,- tha profesor Shezai Rrokaj duke shtuar se vendit i duhet një politikë e thjeshtë e cila do t’i japi zgjidhje problemeve të qytetarëve duke filluar që nga infrastruktura. “Politika e LSI-së nuk është një politikë ekranesh, nuk është politikë propagandistike. Na duhet një politikë e thjeshtë. E dini çfarë është politika e thjeshtë. Na duhet kjo rruga këtu, nuk ka ujë, duam të kemi ujë”,- tha z. Rrokaj.

Kandidatja e LSI-së për qarkun e Vlorës, Enada Koçiarj, e cila vjen nga radhët e Lëvizjes Rinore për Integrim u shpreh se rinia ka nevojë për mbshtetje dhe besim dhe këtë të rinjve u jep vetëm LSI duke i përfaqësuar ato në listat e kandidatëve për deputet.

“Ne kemi nevojë për mbështetje kemi nevojë për besim. Dhe këtë mbështetje dhe besim na e ka dhënë vetëm LSI-ja. Sot të gjithë flasin për të rinjtë, por askush nuk interesohet për ta. Ka ardhur kohë që vetë rinia të flasë dhe të përfaqësohet. Ka ardhur koha që ne t’i themi stop kësaj politike që fal vetëm arrogancë dhe mendjemadhësi”,- tha Enada Koçiraj.
Sigal